Lidhur me organizimin e tryezës së punës, “Për një drejtësi të reformuar, 2014-2020”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço i është përgjigjur interesit të medias, duke dhënë disa detaje paraprake lidhur me objektin dhe qëllimin e kësaj tryeze.
Më poshtë prononcimi i plotë i Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço
“Në datën 31 tetor do të mblidhet një tryezë pune në nivel teknik por edhe politik, për të përcaktuar qartë shtyllat kryesore të reformimit të sistemit gjyqësor, atje ku u la në konferencën e 6 tetorit.
Sigurisht që Ministria e Drejtësisë është e vendosur tashmë për ta zhvilluar këtë reforma në disa shtylla kryesore sikurse janë Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, dhe Këshilli i Prokurorisë.
Kryesorja është se nuk kemi menduar që reformimin e sistemit ta bëjmë të vetëm, dhe takimi i datës 31 tetor do të përfshijë pjesëmarrjen e opozitës, pra nivelin politik por edhe ekspertët më të mirë.
Sigurisht që do të jenë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, si Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, PAMECA dhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë të cilët kanë vite që e asistojnë dhe e reformojnë sistemin gjyqësor. Padyshim që e pranishme do të jetë edhe shoqëria civile, që do të ketë një rol të madh në këtë drejtim.
Të gjithë besoj se biem dakort që sistemi i drejtësisë është sistemi më i debatueshëm, dhe një sistem i anatemuar nga të gjithë.
Ne kërkojmë që çdo reformë të jetë gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, dhe kjo duhet ndërmarrë sa më shpejt. Mjaft kohë është humbur dhe mjaft kohë kemi mbetur mbrapa, e për pasojë sistemi ynë gjyqësor nuk është në të njëjtin nivel sikurse edhe në vende të tjera të rajonit.
Në fjalën time në emër të qeverisë shqiptare, në datën 6 tetor unë prezantova hapat se si e mendonte qeveria dhe maxhoranca zhvillimin e reformës në gjyqësor. Aty u tha qartë që në Kuvendin e Shqipërisë duhet të ngrihet një komision i posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë, me ekspertë të ndryshëm, shoqëri civile, me opozitën dhe ekspertët e saj më të mirë, me Ministrinë e Drejtësisë dhe grupin këshillimor pranë saj, por edhe partnerët ndërkombëtarë që në çdo rast do të japing asistencë për të reformuar sistemin.
Ne nuk do të bëjmë çudira në këtë drejtim, por do të përfitojmë nga eksperiencat më të mira të BE-së.
Ka mjaft skeptikë lidhur me reformën në drejtësi, sepse është një nga reformat më të vështira dhe që kërkon një konsensus mjaft të gjerë.
Nëse do të kishim kërkuar të bënim një refomë të shpejtë, pa u konsultuar, sigurisht që do e kishim bërë brenda 6 mujorit të parë të vitit të kaluar, sepse nuk është ndonjë sekret se kemi një maxhorancë tejet të konsoliduar.
Por ne kemi bërë ndryshime në dy apo tre nene, për të mos vazhduar abuzimi me ligjin dhe paligjshmëria në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës. Besoj se për pjesën tjetër kemi qenë të hapur dhe të vendosur që bashkë me aktorët e tjerë, të bëjmë një refomë gjithëpërfshirëse.
Në refomë do të përfshihen të gjitha institucionet sikurse edhe institucioni i Presidentit të Republikës, por ne nuk kemi kohë për të humbur dhe për të bërë këtë refomë në kalendat greke.
Përfitoj nga rasti për t’i bërë opozitës një thirrje të sinqertë dhe për t’i thënë se vendi i saj është në parlament, dhe nuk është as në rrugë dhe jo vetëm tek SHQUP-i, është në komisione dhe në debate të ndryshme”, deklaroi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.