Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço është prononcuar sot për median lidhur me interesin që ajo ka shfaqur përsa i përket rendin e ditës së mbledhjes së sotme të KLD-së, që përbëhet prej 21 pikash, mes të cilave edhe një numër i madh emërimesh për kryetarë gjykatash.
Ministri Naço deklaroi me shqëtësim se pjesë e këtij rendi dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së një inspektori të KLD-së, për t’u emëruar gjyqtar, në një kohë që ky i fundit zotëron një pasuri të pajustifikuar.
“Ajo që më bën përshtypje në këto 21 pika të rendit të ditës, është fakti se akoma në axhendë nuk është futur propozimi i Ministrit të Drejtësisë, i cili prej 4 muajsh kërkon shqyrtimin e kërkesës ndaj një inspektori të KLD-së, për të cilin ILDKP-ja ka gjetur një pasuri të pajustifikuar prej rreth 200 mijë dollarësh. KLD-ja fut në rend dite gjithçka që e mendon me rëndësi dhe nuk fut këtë kërkesë, që besoj se është një nga më të rëndësishmet, pasi lidhet me luftën ndaj korrupsionit. Mjafton ky fakt për të treguar që axhenda e KLD-së është një axhendë personale, dhe jo ajo që kërkojnë qytetarët shqiptarë apo axhenda që kërkon qeveria dhe partnerët ndërkombëtare. Në një kohë që kërkesa e Ministrit nuk merret në konsidetaratë, KLD-ja, mesa jam në dijeni ka futur kërkesën e këtij inspektori për t’u emëruar gjyqtarë pranë një Gjykate Apeli. Unë shpresoj që të mos ja japing këtë imunitet por megjithatë gjithçka mund të ndodhë, dhe nëse ndodh atëherë ky këshill nuk ka integritet”, deklaroi Ministri Naço
Lidhur me pyetjen se si e konsideron futjen në një rend dite të vetëm, të emërimit të një numri të madh kryetarësh gjykatash, gjë që nuk është bërë për vite më radhë, Ministri Naço theksoi se:
“Në këtë drejtim e kam inkurajuar KLD-në që të zbatojë ligjin dhe do vazhdoj ta bëj një gjë të tillë,. Kisha konstatuar që në shtator të vitit të kaluar se gati 21 kryetarë gjykatash ishin të komanduar prej tre, pesë, apo gjashtë vitesh, ndërkohë kërkova që ata të futeshin në rendin e ditës, dhe të emëroheshin duke mos vazhduar më kjo gjendje paligjshmërie. Vazhdoj ta inkurajoj KLD-në në këtë drejtim, sikuse do ta këshilloja që të ishte e vëmendshme edhe ndaj luftës kundër korrupsionit, për të cilin është përgojuar së fundmi sistemi i drejtësisë”, tha z. Naço
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.