Ministri Naço: Progres Raporti 2014, vlerësoi vullnetin për thellimin e reformave - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 29/10/2014

Ministri Naço: Progres Raporti 2014, vlerësoi vullnetin për thellimin e reformave

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço është ftuar për të bërë një diskutim lidhur me evidentimet e Progres Raportit 2014 mbi sistemin e drejtësisë si dhe mbi detyrimet që lindin në bazë të rekomandimeve të lëna nga ky raport.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço:

 

Pak javë më parë u publikua Progres Raporti për vitin 2014 ku besoj se çdokush nga kolegët ministra, që ishin të përfshirë në ecurinë e secilit nga 5 prioritet, kishin arsye për t’u ndjerë në tryezën e raportimit më të çliruar si dhe më të sigurtë.

Arsyeja se nga buronte ky çlirim, vinte nga fakti se ky raport konfirmoi vlerësimin shumë pozitiv të KE-së për arritjet e Qeverisë Shqiptare.

Ndonëse personalisht mendoj se nuk ka vend për vetëkënaqësi, dua të evidentoj, se ndër të tjera, u vlerësua maksimalisht vullneti ynë për thellimin e reformave,  angazhimi për të luftuar në mënyrë vendimtare krimin dhe korrupsionin, si dhe hapat konkretë të shënuar në reformën e gjyqësorit.

Sot të vetëdijshëm flasim për një realitet që ka nisur të funksionoj, e që ka marrë edhe një notë pozitive në progres raportin e fundit.

Evidentimet e këtij raporti treguan vërtet progres, atje ku çdo herë një njollë e zezë për të cilën deri një vit më parë, askush nuk e kishte venë ujin në zjarr, dhe na rëndonte si një turp i madh, por që s’kishte skuqur askënd, dhe ishte bërë një realitet i gjithëpranuar verbërisht nga vendimmarrësit përkatës.

Nocioni i shtetit të së drejtës apo edhe sundimi i ligjit ishin thjesht pjesë e literaturës dhe një demagogji që as vetë ata që propogandonin, nuk e besonin.

Dhe sot, pa ekzagjëruar do të guxoja të thosha se për një vit ne mbikaluam 6 vitet e pseudo-reformave të së shkuarës dhe konkretisht:

 

KLD

 

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me nismë të deputetëve ka miratuar ndryshimet ne ligjin  “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

 

Ky ligj i kushton një vëmendje të veçantë problematikave që kanë shoqëruar veprimtarinë e KLD në këto vitet e fundit, si dhe nevojave për reformimin e legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e këtij organi kushtetues, në funksion të rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe efiçencës.

Ndryshimet e miratuara normojnë qartë veprimtarinë e KLD-së me afate të qarta ligjore, ndryshe nga praktika e deritanishme,

ku kërkesa për procedimin disiplinor të gjyqtarëve mbahej peng për vite të tëra për qëllime presioni dhe klienteliste.

 

Po kështu, ndryshimet ligjore përcaktojnë se, mbledhjet e KLD-së, do të mbahen çdo muaj, duke synuar rritjen e efiktevitetit dhe shmangien nga praktika e deritanishme.

Gjithëashtu në frymën institucionale të bashkëpunimit dhe luajalitetit kushtetues të institucioneve të pavarura, nën parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve nga njëra anë, por dhe të parimit të ligjshmërisë nga ana tjetër, u bënë ndryshimet ligjore në Këshillin e Lartë i Drejtësisë, ku me propozim të Presidentit të Republikës, si zëvendës kryetar i KLD-së, të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi.

 

Sikurse e kam theksuar dhe në raste të tjera ndryshimet ligjore të miratuara ne Korrik nuk përbëjnë reformën e plotë pra nuk e shterojnë këtë proces.

 

Këto ndryshime erdhën  më së shumti nga nevoja për të frenuar situatën e paligjsgmërisë në veprimtarinë e KLD-së. Shumica e ndryshimeve tashmë të miratuara nuk janë gjë tjetër veçse rregullat që KLD-ja i kishte vënë me aktet e saja nënligjore, por që nuk i zbatonte. Në tërësi këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën, eficencën dhe përgjegjshmërinë në veprimtarinë e KLD-së.

 

SISTEMIN E VLERËSIMIT TË GJYQTARËVE

 

Sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve, nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe nuk i përgjigjet realitetit.

 

Konkretisht ka përfunduar vlerësimi për gjithë gjyqtarët për vitin 2005-2006, dhe aktualisht KLD ka filluar vlerësimin e gjyqtarëve për vitin 2007-2009.

 

Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë, ka përgatitur projektligjin “Për sistemin e vleresimit të gjyqtareve”, nëpërmjet të cilit synohet që gjyqtarët të kenë rol aktiv në procesin e vlerësimit.

 

Sistemi i ri do të bazohet në vetvlerësim, të kryer nga vet gjyqtarët dhe më pas nga një verifikim nga ana e Inspektoriatit të KLD-së.

 

Projekti është shpërndarë për mendim tek të gjithë aktorët e drejtësisë dhe organizmat ndërkombëtare, që na asistojnë në reformën në drejtësi.

 

SHKOLLA E MAGJISTRATURËS

Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që mbart shkolla e magjistraturës, si në drejtim të trajnimit fillestar në kuadër të përgatitjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, ashtu dhe trajnimit vazhdues,

Është fakt se që prej vitit 2000 shkolla e magjistraturës ka nxjerrë më shumë se 300 të diplomuar, nga të cilët rreth 150 gjyqtarë dhe rreth 150 prokurorë.

 

Në këtë kuptim, roli që duhet të marrë shkolla e magjistraturës meriton një vëmendje të veçantë, në funksion të ripërtëritjes të sistemit të drejtësisë.

 

Ndërkohë që ndryshimet në Ligjin për Shkollën e Magjistraturës synojnë forcimin e elementit akademik në veprimtarinë e kësaj shkolle si dhe në drejtimin e saj.

 

PROCEDIMI DISIPLINOR

 

Sikurse konstatohet dhe në Progres Raport përvec ndryshimeve ligjore janë marrë masa administrative për të rritur përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor.

 

Jane rritur procedimet disiplinore nga shtatori 2013 deri më sot dhe janë dërguar rreth 24 kerkesa në KLD.

 

Janë në proces dhe 10 procedime të tjera që pritet shumë shpejt t’i dërgohen KLD-së.

 

Një element tjetër që do të risi përgjegjshmërinë në sistemin gjyqësor është dhe vazhdimi i inspektimeve për cdo shkelje të ligjit në bashkëpunim dhe me inspektoratin e KLD-së në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit.

 

Ndërkohë që me urdhër të Ministrit të Drejtësisë është krijuar Regjistri Solid i Procedimeve Disiplinore ku regjistrohet cdo procedim disiplinor dhe sanksionet përkatëse.

 

Ndërkohë që me nismë të Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendi miratoi në mars 2014 ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për të përfunduar reformën në lidhje me imunitetin.

Miratimi i ndryshimeve u bë me qëllim ndëshkimin e zyrtarëve të niveleve të larta që kryejnë veprime korruptive, si dhe përcaktimin e mjeteve institucionale për gjykimin e këtyre rasteve, duke i dhënë atribute në këtë fushë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

 

REGJISTRI ELEKTRONIK I NOTERËVE

 

Në kuadër të masave që lidhen me transparencën e ushtrimit të veprimtarisë së profesioneve të lira, për herë të parë në muajin maj 2014, u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, lista e asistent noterëve.

 

RREGJISTRIMI AUDIO

 

Nga 19 gjykata që ishte deri fillim të mandatit tonë , tashmë është shtrirë në 25 prej tyre.

 

LIGJI PËR ADMINISTRATËN GJYQËSORE

 

Pavarësisht se  ligji që u konstestua në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Unionit e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe u shfuqizua prej saj. Ky vendim është analizuar  dhe

 

Ligji do  të bëhet me asistencën e Euralius-it dhe nën frymën e vendimit te Gjykates Kushtetuese,  si dhe duke sjellë eksperiencat dhe praktikat më të mira të vendeve europiane.

 

Do të zhvillojmë një proces të gjerë konsultimi me aktoret e fushes me qëllim që ligji të jetë i gjithëpranuar.

 

GJYKATAT ADMINISTRATIVE

 

Në datën 4 nëntor 2013 filloi funksionimi i gjykatave administrative, të cilën e kam quajtur një histori suksesi në sistemin e drejtesisë, që  për ushtrimin normal të punës së të cilave,

 

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me ZABGJ dhe vetë gjykatat ka marrë të gjitha masat e nevojshme organizative.

 

Konkretisht, është punuar intesivisht përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës së tyre, pasi në këtë gjykatë procedohet më shpejt ne zgjidhjen e cështjeve , brenda 90 ditëve.

 

Janë marrë masa konkrete ligjore lidhur me përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe përshpejtimin e procedurave.

 

Kështu, Kuvendi miratoi më datë korrik të  këtij viti ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë

 

të lehtësojnë veprimet në rastin e marrëdhënieve juridiksionale, për sa i takon kohës në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më efektive,

 

me qëllim që autoritetet gjyqësore apo autoritetet proceduese në përgjithësi të kenë mundësi të disponojnë mbi provat dhe mbi dëshmitë.

 

Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë ka hartuar një Dokument Politik shoqëruar me plan veprimi për rishikimin në një shkallë më të gjerë të Kodit të Procedurës Penale.

 

Dokumenti i politikës, i është dërguar për mendim edhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Misionit Pameca, OPDAT-it si dhe përfaqësisë së OSBE-së.

 

Në përputhje me hapat e përcaktuar në planin e veprimit, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur studimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë lidhur me mangësitë apo përmirësimin e dispozitave konkrete të Kodit të Procedurës Penale.

 

Në vijim, do të procedohet më tej me hapat e përcaktuara në planin e veprimit.

 

Gjithashtu, pjesë e projekteve të ndërmarra dhe masave konkrete të realizuar është edhe përmirësimi i arkivave gjyqësore.

 

Po vijon puna për ngritjen e një institucioni të posaçëm i cili do të administrojë dhe menaxhojë dokumentacionin gjyqësor të arkivuar.

 

AKSESI NË DREJTËSI

 

Janë miratuar ndryshimet në ligjin “Për ndihmën juridike” të ndryshuar”, të cilat adresojnë problematikat e evidentuara nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike gjatë implementimit të tij.

 

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NË GJYQËSOR

 

 

Lidhur me prioritizimin e luftës kundër korrupsionit në gjyqësor, zbatimi i parimit zero tolerancë, prioritizimi i kontrollit të pasurive të tyre,  dhe garantimi i dënimeve dekurajuese,

 

si dhe ndërmarrja e masave (përfshi ato ligjore dhe institucionale) në çdo sektor për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin:

 

Përgjatë kësaj periudhe i janë nënshtruar veprimeve hetimore nga prokuroria

6 funksionarë të sistemit të drejtësisë, nga të cilët 2 gjyqtarë të akuzuar për korrupsion; 3 gjyqtarë dhe 1 inspektor i KLD-së të akuzuar për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

 

Në korrik 2014, u shkarkua nga detyra 1 gjyqtar dhe gjyqtari tjetër i akuzuar për korrupsion është pezulluar nga ushtrimi i detyrës.

 

Pas bashkëpunimit me ILDKPI-në, Ministri i Drejtësisë i propozoi KLD-së shkarkimin e 3 gjyqtarëve, për të cilët janë konstatuar parregullsi në verifikimin e pasurisë së tyre. Kërkesat e Ministrit të Drejtësisë u rrëzuan nga KLD, ndërkohë që prokuroria vazhdon hetimin e rasteve.

 

LIGJI “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

 

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi disa javë më parë ligjin e ri “Për të drejtën e informimit”, së bashku me disa shtesa dhe ndryhsime në ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e  të Dhënave Personale”,

 

të cilat kaluan si paketë ligjore. Këto dy nisma sjellin risi në trajtimin e të drejtës së qytetarit për t’u informuar, duke krijuar mekanizma institucionale dhe ligjorë në garantimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte.

 

DREJTËSIA PËR TË MITUR

 

Ka përfunduar draftimi i strategjisë sektoriale për të mitur, e cila është draftuar me ekspertë të UNICEF dhe të Ministrisë së Drejtësisë ,

 

ju është shpërndarë grupeve të interesit dhe mbas reflektimit të sugjerimeve do të kalohet për miratim.

 

LIDHUR ME TË DREJTËN E PRONËS

 

Ka përfunduar projekti i inventarizimit të të gjitha dosjeve i cili konsiston në nxjerrjen e informacionit në lidhje me vendimmarrjen nga viti 1993 deri më sot për të gjitha dosjet e administruara në Arkivin e AKKP-së.

 

AKKP ka përfunduar procesin e evidentimit dhe regjistrimit të çdo informacioni të mundshëm dhe të vlefshëm për procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës. Ky proces ka vijuar me hedhjen në formë elektronike të këtyre të dhënave, duke krijuar kështu për herë të parë një data bazë të plotë elektronike (regjistër elektronik të vendimmarrjes) për të gjitha dosjet që janë trajtuar me vendime nga ish KKKP, ZRKKP apo AKKP nga viti 1993 deri me sot.

 

Realizuar në masën 70% është hedhja e të dhënave për krijimin e regjistrit të vendimeve të kompensimit nga viti 1993-2013

 

Në përfundim të këtij regjistri, nis puna për llogaritjen e faturës së kompesimit për pronarët për periudhën 1993-2013.

 

Në masën 60%  ka përfunduar evidentimi i të gjitha dosjeve dhe pretendimeve që vijnë në kuadër të nenit 22 të Ligjit nr. 9235 datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave” i ndryshuar, dhe është krijuar regjistri elektronik me këto të dhëna.

 

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit për funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, AKKP ka parashtruar pranë Ministrisë së Drejtësisë propozimet konkrete për ndryshime në ligjin nr. 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar si dhe në aktet nënligjore në fuqi me qëllim harmonizimin e kuadrit ligjor në fushën e pronave si dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët gjatë procesit të shqyrtimit te aplikimeve të tyre.

 

DIXHITALIZIMI I INFORMACIONIT TË DHËNË NGA ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME

Në Shtator të vitit 2013 sistemi i aplikimit elektronik të subjekteve ishte i shtrirë në 5 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

 

Ka përfunduar shtrirja e sistemit të aplikimit elektronik (sistemi ALBSREP) sic kemi premtuar, në 35 zyrat vendore.

Kjo do të sjellë transparencë, besueshmëri të publikut dhe shërbim efektiv, në më pak kohë, ndaj tij.

 

Me financimin e Bankës Botërore, 7 vjet më parë, filloi zbatimi i projektit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme.

 

Në 6 vitet e kaluara regjistrimi fillestar kishte përfunduar për 160.000 pasuri.

 

Për 300 ditët e para të qeverisjes, regjistrimi fillestar ka përfunduar në 320.000 pasuri dhe shumë shpejt pritet të shtrihet në 375.000 pasuri

 

Kjo do të thotë më shumë transparence, efektivitet dhe siguri për shtetasit që gëzojnë një titull pronësie.

 

Është realizuar implementimi i sistemit ALBPOS, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sistem ky që mundëson:

 

•           përmirësimin e procesit të rregjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe kthimit të pronës,

•           unifikimin dhe saktësimin e hartave topografike,

•           rritjen e efikasistetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale

 

Sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku janë instaluar  16 antena satelitore në 16 njësi vendore, për të mundësuar përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe parcelave, duke shmangur kështu mbivendosjen ose pasaktësitë e mëparshme.

Koordinatat që ai do të ofrojë janë në përputhje me standardet e kërkuara nga vendet europiane, plus, minus 2 cm.

 

Kjo do të bëjë të mundur që të gjitha institucionet që prodhijnë tituj pronësie si AKKP, ZRPP, ALUIZMI të flasin një gjuhë, gjuhën dixhitale.

 

Dhe të mos ndodh më si dje, ku disa metra katror pronë mal, të regjistrohen në bregdet, det apo diku tjetër.