U mbajt sot në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë tryeza e diskutimit mbi Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në kuadër të hartimit të “Strategjisë sektoriale 2014- 2020”.
Pjesëmarrës në tryezë ishin: Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin znj. Ermonela Felaj, Ambasadori i SHBA z. Aleksandër Arvizu, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese z. Xhezair Zaganjori, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, z. Fatmir Xhafaj, përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësia diplomatike në Tiranë, si dhe ekspertë shqiptarë e të huaj. Të ftuarit morën pjesë në diskutime, duke dalë me sugjerime konkrete në shërbim të dhënies së rekomandimeve për hartimin e një plan veprimi.
Kjo tryezë pune vlerësohet si një nismë efektive për realizmin e reformave në drejtësi, por edhe si një kontribut tjetër i rëndësishëm në rrugën e procesit të reformës kushtetuese e ligjore, si kusht për suksesin e integrimit të plotë të vendit në BE. Gjatë tryezës, e cila e konceptuar në dy pjese kohore, u parashtruan temat e Reformës në Gjykatën Kushtetuese, Reformës në Gjykatën e Lartë, Reformës në Shkollën e Magjistraturës dhe Edukimit Juridik, Reformës në Organizimin e Sistemit Gjyqësor, Reformës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Reformës në Konferencën Gjyqësore Kombëtare dhe në Prokurori dhe të Këshillin e Prokurorisë.
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në fjalën e tij hyrëse të tryezës së diskutimit, u ndal në disa nga pikat kyçe ku synohet që të bazohet reforma në drejtësi.
“Përfshirja e grupeve të interesit, e shoqërisë civile, e publikut dhe në mënyrë të veçantë asistenca e ekspertëve vendas dhe të huaj, si dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, do të kontribuojë në realizimin me cilësinë e duhur të kësaj reforme. Diskutimi i çështjeve konkrete, që kanë lidhje me elementët dhe rrugët më efikase, është hap i rëndësishëm, ku do të përcaktoheshin drejtimet dhe nevojat për ndryshim. Unë kam bindjen se kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të cilët nuk korruptohen as politikisht dhe as ekonomikisht dhe që gjej rastin t’i inkurajoj dhe falenderoj publikisht. Për këtë arsye jemi po kaq të vendosur, që të ndërmarrim hapat e nevojshme, për mbështetjen e sistemit gjyqësor. Integrimi i vendit është emëruesi i përbashkët, që duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese, pasi në rrugën tonë nuk jemi vetëm, por bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë.”
Ambasadori Arvizu në fjalën e tij theksoi se:
“Reforma gjyqësore është koncept i thellë dhe i gjithanshëm, si dhe është kusht për hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE. Ka një pritshmëri nga shqiptarët dhe bashkësia europiane, që kjo reformë do të sjellë ndryshime të vërteta. Është koha që të ndërtohet ky besim me një proces të matur dhe jopolitik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu përqasur të gjitha grupeve të interesit, si dhe opozitës në mënyrë të sinqertë. Ne e nxisim qeverinë që të ndjekë udhërrëfyesin e BE-së. Gjithashtu, i takon opozitës që të mbajë një situatë të shëndetshme. Kjo konferencë është dëshmi që ka mundësi për ndryshime pozitive. Është e qartë se mbështetja kombëtare dhe ndërkombëtare është e disponueshme për këtë reformë. Burimet e EURALIUS, OPDAT, USAID, Komisionit të Venecias etj, janë të disponueshme dhe duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Në përfundim, dua t’ju lë një recetë. Së pari, duhet që të merrni hapa të matur, sepse reforma është një proces dhe jo një maratonë shpejtësie; 2. procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës; 3. udhërrëfyesi i BE-së duhet të jetë orientuesi kyç; 4. reforma duhet të përfshijë të gjithë aktorët; 5. të kërkohet pjesëmarrja e Komisionit të Venecias; 6. procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konseguent me nevojat e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi me ju dhe do t’ju asistojmë në përpjekjet tuaja për të garantuar shtet ligjor në Shqipëri, por edhe partnerët tanë do të angazhohen në garantimin e një reforme të paanshme.”
Kreu i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, në fjalën e tij u shpreh se:
“Ne e mbështesim këtë reformë, sepse ajo synon që të shërojë sëmundjen që në tërësi ka sistemi i drejtësisë në vendin tonë dhe synon që t’i japë zgjidhje problemeve konkrete që kemi. Në një shtet ku nuk funksionon siç duhet sistemi i drejtësisë, ku jo gjithnjë krimineli shkon në burg dhe drejtësia i jepet më të fortit, rezulton se qytetari i thjeshtë mbetet i pambrojtur nga shteti. Ne kemi disa avantazhe dhe nuk kemi pse të huazojmë nga shtete të tjera. Shtetet me demokraci të konsoliduar japin shembuj të mirë, por nuk mendoj që është rasti që të merren si modele apo të bëhen eksperimente për zgjidhjen e situatës. Kjo reformë me shumë gjasa do të ketë sukses, por ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe institucionale, qoftë edhe në lidhje me Konferencën Gjyqësore, për të cilën mendoj që duhet shtuar pesha e saj dhe po ashtu, mënyra sesi duhet të funksionojë KLD dhe Gjykata e Lartë, mendime që ne ia kemi përcjellë ministrit. Problem mbetet numri i çështjeve që gjykon Gjykata e Lartë dhe unifikimi i vendimeve që kjo gjykatë jep. Jemi të gatshëm që ta mbështesim këtë reformë për të garantuar suksesin e saj.”
Gjatë fjalës së tij në pjesën e parë të diskutimit, z. Fatmir Xhafaj u shpreh se:
“Pjesëmarrja dhe kontributi ynë në konferencën e 6 tetorit dhe në këtë tryesë sot tregon vullnetin tonë qeverisës për ta mbështetur procesin e reformës. Ka ardhur momenti të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë. Në konferencë u theksua se Parlamenti ka rol kyç në koordinimin e reformës. Perceptimi i qytetarëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë ka kapur nivelet më të ulëta vitet e fundit, pasi drejtësia konsiderohet një mall që blihet dhe shitet dhe e fiton ai që paguan më shtrenjtë.”
Më tej, tryeza ka vijuar me diskutimet e të pranishmëve, të cilat do të integrohen dhe administrohen në panelin e fundit dhe përmbyllës, që do të prezantojë konkluzionet e diskutimit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.