Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka marrë sot pjesë në ceremoninë e përurimit të Klinikës Ligjore, pranë Fakultetit të Drejtësisë
Gjatë fjalës së tij Ministri Naço e vlerësoi këtë nismë të re duke theksuar kjo klinikë ligjore do të rrisë jo vetëm aftësimin në praktik të studentëve të këtij fakulteti, por njëkohësisht do të jetë edhe një mundësi e mirë për përfitim të ndihmës ligjore falas, nga shtresat në nevojë.
“Më lejoni të ndaj me ju bindjen time se investimi dhe kujdesi i treguar sot ndaj brezit të ri të juristëve të ardhshëm, do të jetë nesër një ndihmë e jashtëzakonshme, jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave që po ndërmerren, në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë. Filozofia e të mësuarit duke punuar apo praktikuar, përbën një premisë mjaft pozitive dhe në këtë kuadër, nëpërmjet kombinimit të dijeve multisektoriale, studentët fitojnë një kuptim më të thelluar të proceseve legjislative, hartimit legjislativ, kufizimeve kushtetuese ndaj ligjbërjes dhe përgjegjshmërisë. Programi që do të ndiqet në këtë klinikë ligjore do t’i ndihmojë studentët të eksplorojnë detajet që mund të lidhen me karrierën potenciale që i pret. Në këtë mënyrë, atyre ju krijohen kushtet për të qenë të përgatitur, për të bërë përzgjedhjen e duhur të karrierës dhe për të kristalizuar, siç duhet, mjedisin ligjor në të cilin ata ndihen më mirë”, u shpreh z. Naço
Gjithashtu Ministri Naço vuri në dukje se struktura e kësaj klinike ligjore është një mjet efikas, që shërben për të konfirmuar, ose eliminuar konceptet e mëparshme, që studentët kanë mbartur ndër vite, ndërkohë që sikurse edhe në profesione të tjera, studentët do t’i forcojnë aftësitë e tyre para se të diplomohen dhe jo pas diplomimit.
Duke evidentuar edhe njëherë rëndësinë e përgatitjes së brezit të ri të studentëve të drejtësisë, Ministri Naço në përfundim të fjalës së tij theksoi se dija që studentët marrin sot, do të jetë fara që do të mbjelli nesër drejtësinë e rilindur që ofron garanci për të gjithë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.