Fjala e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço mbi “Buxhetin 2015” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/11/2014

Fjala e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço mbi “Buxhetin 2015”

Në pozicionin e Ministrit, ndihem mjaft i lehtësuar, që sëbashku me kolegët e kabinetit qeveritar, prej kohësh po e përdorim këtë foltore për të përcjellë arritje, zhvillime positive, apo premtime të mbajtura, sikurse edhe për të lënë mënjanë fyerjet, demagogjitë dhe populizmat e dala boje, të cilat ua kanë lënë vendin lajmeve të mira dhe reale.

Padikutim që lajmi më i mirë që mund të përcillnim sot është se buxheti 2015 ka pësuar një rritje sasiore, të konsiderueshme, dhe padiskutim me një impakt cilësor në shumë drejtime, që ndër të tjera prekin edhe sistemin e drejtësisë.

 

Buxheti i  parashikuar  për vitin 2015 për Ministrinë e  Drejtësisë dhe 10 institucionet  në varësi të saj, me një vlerë prej  6 miliard e 587 milionë, paraqitet me një rritje nga viti 2014 prej 792.8 milionë lekë (5.67 milionë Euro), ose në masën  (+) 13.7 %.

 

Kjo rritje nënkupton se do të arrihet të mbështeten

  • një sërë investime me rëndësi, të cilat kanë si  objekt vazhdimësinë në rrugën e   reformimit, dixhitalizimit, dhe modernizimit  të  çdo mekanizmi dhe  çdo hallke në sistemin e të drejtës, të  çdo shërbimi që shteti ka në detyrimet e veta,  në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
  • apo edhe të tjera shpenzime të nevojshme në funksion të përmbushjes së objektivave për shtrirjen dhe zgjerimin e shërbimeve të institucioneve të sistemit të drejtësisë në të gjithë vendin, përmirësimin e kushteve të jetesës të  të dënuarve në institucionet e vuajtjes së dënimit  për arritjen e standarteve evropiane në trajtimin e këtyre kategorive etj.

 

Më konkretisht detajimi i buxhetit të vitit 2015 sipas zërave buxhetorë është si më poshtë:

 

Fonde për Shpenzime korente (Paga, sigurime dhe shpenzime operative) në total janë miratuar 5 miliardë e 277 milionë e 494 mijë lekë (37.7 milionë Euro), me një shtesë prej rreth 710.6 milionë lekë ( 5.1  milionë Euro) nga buxheti i vitit 2014. Këto fonde janë planifikuar për programet buxhetore te Ministrisë së Drejtësisë.

 

  • Kështu,  për Aparatin e Ministrisë së Drejtësisë dhe 3 institucionet që operojnë brenda këtij programi (Avokatura e Shtetit, A.M.Falimentit dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Ligjore) janë miratuar 349 milionë ( 2.5 milionë Euro) fonde për shpenzime korrente, (169 mijë Euro)  më shumë në krahasim me vitin 2014, shtesë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efektivitetit të punës  së  këtyre institucioneve

 

  • Për shërbimin e kthimit dhe kompensimit të pronave janë miratuar në total 180 milionë  e 550 mijë lekë ( 1.3 milionë Euro); për këtë program janë akorduar rreth 50 milionë lekë më shumë  për shpenzime operative në krahasim me vitin 2014, të cilat do të shftrytëzohen për shlyerjen e një pjese të detyrimeve të mbartura për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për ish pronarët.

 

  • Për sistemin penitenciar, program i cili zë rreth 77% të buxhetit  të shpenzimeve korrente  të të gjithë sistemit,   janë miratuar 4 miliardë e 358 milionë e 420 mijë lekë ( 31.1 milionë Euro)  me një rritje prej 4.2 milionë Euro nga viti 2014, nga e cila 379 milionë lekë (2.7 milionë Euro) shtesë në  paga e sigurime për  burgjet e reja dhe 202.4 milionë lekë (1.5 milionë Euro) për shpenzime operative. Kjo padyshim do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e trajtimit të të dënuarve që vuajnë dënimin në institucionet e paraburgimit dhe të burgimit, në përputhje kjo dhe me kriteret dhe rekomandimet e Komitetit për Parandalimin e Dhunës e të Torturës të Këshillit të Evropës, për arritjen e standarteve evropiane në trajtimin e këtyre kategorive. Njëkohësisht rritja e buxhetit në zërin e shpenzimeve operative është një tregues mjaft pozitiv që flet për përmirësimin e situatës likuiduese të këtij indtitucioni, i cili siç dihet ka patur mjaft probleme  të mbartura për sa i përket detyrimeve kontraktuale të pashlyera ndër vite për arsye të planifikimit buxhetor nën nevojat dhe kërkesat vjetore. Kështu, vetëm ndaj ish kompanisë CEZ Shpërndarje, në mbyllje të vitit 2013, sistemi i burgjeve raportoi një detyrim të akumuluar të papaguar në shumën rreth 45 milionë lekë. Kjo situatë, e cila vazhdoi të rëndohej edhe gjatë muajve të parë të vitit 2014, u rikuperua me rishikimin e buxhetit të vitit 2014, ku programit të burgjeve iu miratua një shtesë fondi prej 158 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike.

 

 

  • Për publikimet zyrtarejanë miratuar 56.8 milionë lekë ( 406 mijë Euro), fonde për shpenzime korrente, ose  7 milionë lekë ( 50 mijë Euro) më shumë në krahasim me vitin 2014, rritje kjo në fondet për paga e sigurime. Shtimi i buxhetit në këtë zë do të shkojë për plotësimin e nevojave për sigurimin e burimeve të duhura njerëzore  që ky institucion ka evidentuar.

 

 

  • Për shërbimin e proves, janë miratuar në total 165.8 milionë lekë për shpenzime korrente (1.1 milionë Euro). Në krahasim me vitin 2014 është miratuar shtesë buxheti për paga e sigurime shoqërore në vlerën 49.8 milionë lekë ( 355 mijë Euro), shtesë e cila është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë për rregullimin e kategorive të pagave të stafit të këtij institucioni.

 

 

Në zërin  investime  për vitin 2015 janë  miratuar në total  1 miliard e 409 milionë lekë (10 milionë Euro), nga të cilat:

 

  • Investime me financim të brendshëm 909 milionë lekë ( 6.5 milionë Euro), të cilat do të shkojnë  për vijueshmërisë  apo përfundimin  e  projekteve të nisura, siç janë:

 

  1. Për sistemet dixhitale të  Ministrisë së Drejtësisë në vazhdim të kontratave të lidhura në vlerën 58 milionë lekë (414 mijë Euro). Reformimi, modernizimi dhe dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona, ku krahas përmirësimeve legjislative kërkohet  edhe marrja  e masave të nevojshme zbatuese.

 

  1. Për përfundimin e rikonstruksionit dhe dixhitalizimit të Arkivës Gjyqësore Lundër në vlerën 29 milionë lekë (207 mijë Euro), nëpërmjet së cilës bëhet e mundur ruajtja e kopjes elektronike te dokumentacionit baze të të gjitha dosjeve gjyqësore, lehtësimi i përpunimit te informacioneve të lidhura me këto dosje dhe menaxhimi më i lehtë dhe i shpejtë i tyre. Krijimi i një sistemi modern nëpërputhje me zhvillimet teknologjike bashkëkohorë dhe me rekomandimet e B.E.

 

  1. Përfundimi i rikonstruksionit të ambjenteve ekzistuese dhe fillimi i punimeve për shtesën e kapaciteteve të Burgut 313 në vlerën 470 milionë lekë ( 3.4 milionë Euro). Ky do te jete një projekt kompleks i cili do të ulë mbipopullimin dhe do të sjellë  përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës dhe sigurisë.

 

  1. Ndërtimi  i Qendrës së paraburgimit Shkodër (TVSH dhe Kosto lokale)

 

  1. Projekti për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë më vlerën 195 milionë

 

  1. Misioni EURALIUS

 

  1. Programi SEPEZH    (Kosto lokale)

 

  • Financimi i huaj 500 milionë lekë ( 3.5 milionë Euro), i parashikuar për disbursimin nga fondet e BE

 

 

Fondi për kompensimin e ish pronarëve  është miratuar në kufijtë e kërkuar nga AKKP për vitin 2015, pra në vlerën 400 milionë lekë ( 2.8 milionë Euro); ky fond është planifikuar 100 milionë lekë (715 mijë Euro)  më shumë në krahasim me vitin 2014.

 

Numri organik i punonjësve i planifikuar për vitin 2015 është 4,765  me një shtesë prej 419 punonjësish në krahasim me vitin 2014, e cila do të shkojë kryesisht për plotësimin e nevojave të stafit të institucioneve të tjera të MD-së.

 

Ndërkohë, buxheti i propozuar për vitin 2015 nga Këshilli i Ministrave, për këtë institucion është 2.1 miliard lekë dhe parashikon një rritje rreth 4% kundrejt buxhetit te vitit 2014.

Kjo rritje konsiston në shpenzime personeli 1% dhe investime 50% si dhe nje shtim numri prej 50 punonjesish.

Vlen të përmendet rritja e buxhetit në investime në masë të kënaqshme, në raport me vitet e kaluara.

Kështu, buxheti i propozuar në investime për vitin 2015 është 210 milion lekë dhe ka një rritje rreth 50% kundrejt vitit 2014.

Me këtë buxhet do të realizohet mbështetja e standardit të arritur në dixhitalizimin e proçesit gjyqësor si dhe funksionimin e sistemit audio në sallat e gjyqit e sisteme të tjera elektronike.

Për këtë gjatë vitit 2015, do të investohet një buxhet rreth 40 milion lekë, në drejtim të paisjeve elektronike e nevoja të tjera të paraqitura, për ruajtjen e standardit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

 

Buxheti 2015 është një lajm i mirë për të gjithë,

  • së pari për ekonominë kombëtare, e cila përmes këtij buxheti mbështetet më shumë,
  • dhe së dyti për vetë qytetarët dhe biznesin, si përfituesit e mëdhenj të tij.

Por, mbi të gjitha ky buxhet është dëshmia më e qartë se gjërat kanë ndryshuar, dhe se pas rënies ekonomike disavjecare, ekonomia po ringrihet.

Qeveria Shqiptare vjen me një buxhet të rritur, i cili na mundëson të realizojmë sikurse kemi rënë dakort me ndërkombëtarët, angazhimin tonë për uljen e borxhit publik.

Ministria e Drejtësisë do të mobilizojë të gjithë burimet njerëzore, teknike dhe financiare që ajo ka në dispozicion, në shërbim të një faqeje të re të sundimit të ligjit në Shqipëri, në përputhje edhe me standardet e pritshme për një vend kandidat të BE-së.