Prezantohet Projekti EURALIUS IV, asistenca e BE për reformat në drejtësi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/11/2014

Prezantohet Projekti EURALIUS IV, asistenca e BE për reformat në drejtësi

Gjatë një ceremonie zyrtare me pjesëmarrje të nivelit të lartë, është prezantuar ditën e sotme nisja e punës se Projektit EURALIUS IV.

 

Pjesëmarrës në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti, i cili i mbështet reformat në sistemin e drejtësisë prej 10 vitesh, ishte edhe Ministri i Drejtesise z. Nasip Naço, i cili ndër të tjera theksoi se institucioni që ai drejton e mirëpret asistencën e këtij projekti dhe në bashkëpunim të ngushtë, pritet që rezultati i reformave të jetë i prekshëm.

 

Sipas Ministrit Naço, përmes prezencës me misione të tilla, Bashkimi Evropian jo vetëm e sheh nga afër realizimin reformave, por është edhe pjesë e brendshme e konsultimit të tyre.

 

“Që prej shtatorit 2004, prezenca e këtij projekti kaq të rëndësishëm, ka qenë një mbështetje kyçe për realizimin e reformave në drejtim të konsolidimit të institucioneve shqiptare të drejtësisë. Sot, edhe mbas 10 vitesh, mbështetje dhe asistence teknike nga ky projekt, me përfitues institucionet shqiptare të drejtësisë, shpreh bindjen se vizioni dhe objektivat e Misionit EURALIUS 4, do të jenë në të njëjtën linjë me prioritetet e qeverisë shqiptare. Vullneti i qeverisë shqiptare sikurse edhe i Ministrisë së Drejtësisë është për t’i adresuar reformat në sistemin e drejtësisë, përmes frymës së bashkëpunimit gjithpërfshirës, ku Projekti EURALIUS 4 do të ketë  një vëmendje prioritare. Vizioni i qeverisë shqiptare, mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit tëkontrollit dhe të balancës së pushteteve. Rritja e integritetit brenda radhëve të sistemit, duke synuar pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizimin e tij, është qëllimi kryesor i reformave në drejtësi”, u shpreh ndër të tjera Ministri Naço

 

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të EURALIUS IV ishte edhe e Z. Niko PeleshiZëvendës/Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i cili vlerësoi se Projekti EURALIUS IV e nis punën në një moment vendimtar që lidhet me vullnetin e palëkundur politik për ta çuar përpara reformën në drejtësi.

 

Iniciativat e kujtdo qeverie për të reformuar sistemin e drejtësisë, natyrshëm shihen me skepticizëm nga publiku e me vigjilencë nga partnerët. Ne e mirëkuptojmë e madje e inkurajojmë këtë. Reforma në drejtësi nuk mund të jetë thjesht një reformë e një qeverie apo mazhorance, pavarësisht numrave. Reforma në drejtësi duhet të jetë një reformë e shoqërisë, e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mund të ndryshojë apo të funksionojë. Ε gjyqtarëve, prokurorëve dhe autoriteteve të pushtetit gjyqësor. Ε ku padyshim, ekspertiza e kualifikuar dhe eksperienca e gjatë e EURALIUS do të jetë një ndihmë e paçmuar”, u shpreh. z. Peleshi

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

Më lejoni, që në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare të shpreh kënaqësinë time, për pjesëmarrjen në ceremoninë zyrtare të hapjes së Projektit EURALIUS 4, prej të cilit mirëpresim çdo kontribut për reformimin dhe zbatimin e sistemit të së drejtës në Shqipëri.

 

Që prej marrjes së detyrës si Ministër i Drejtësisë, e kam përsëritur shpesh se “Reformat tona në Sistemin e Drejtësisë do të flasin me gjuhën e Brukselit”,duke nënkuptuar këtu që çdo iniciativë  ligjvënëse,e cila do të ketë si qëllim reformimin apo përmirësimin e sistemit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës,do të realizohet përmes konsultimit dhe partneritetit të plotë me faktorin ndërkombëtar, nëpërmjet strukturave apo misioneve që na asistojnë.

 

Aleatët kryesorë të Shqipërisë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet strukturave të tyre, na kanë ndihmuar që rruga e anëtarësimit dhe procesi i hyrjes në Bashkimin Evropian, si një objektiv kombëtar madhor për vendin tonë, të jetë një proces i afërt.

 

Ndër të tjera Shqipëria ka nevojë për progres të mëtejshëm në funksionimin e shtetit të së drejtës, në mënyrë që i gjithë kuadri legjislativ, por jo vetëm, të përafrohet sipas standardeve ndërkombëtare, por ndërkohë dhe zbatimi i tij në praktikë, të ofrojë të njëjtat garanci.

Prandaj është e nevojshme që prezenca me misione të tilla të jetë e vazhdueshme, që Bashkimi Evropian jo vetëm ta shoh nga afër realizimin e këtyre reformave, por të jetë pjesë e brendshme e konsultimit të tyre.

 

Që prej shtatorit 2004, prezenca e këtij projekti kaq të rëndësishëm, ka qenë një mbështetje kyçe për realizimin e reformave në drejtim të konsolidimit të institucioneve shqiptare të drejtësisë.

 

Sot, edhe mbas 10 vitesh, mbështetje dhe asistence teknike nga ky projekt, me përfitues institucionet shqiptare të drejtësisë, shpreh bindjen se vizioni dhe objektivat e Misionit EURALIUS 4, do të jenë në të njëjtën linjë me prioritetet e qeverisë shqiptare.

Vullneti i qeverisë shqiptare sikurse edhe i Ministrisë së Drejtësisë është për t’i adresuar reformat në sistemin e drejtësisë, përmes frymës së bashkëpunimit gjithpërfshirës, ku Projekti EURALIUS 4 do të ketë  një vëmendje prioritare.

Vizioni i qeverisë shqiptare, mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit të kontrollit dhe të balancës së pushteteve.

Rritja e integritetit brenda radhëve të sistemit, duke synuar:

-Pavarësinë,

-Paanshmërinë

-dhe Profesionalizimin e tij, është qëllimi kryesor i reformave në drejtësi.

Lidhur me objektivat e reformës sonë gjithpërfshirëse kemi patur  mundësinë të ndalemi dhe në takime të tjera të nivelit të lartë , ndërsa sot përfitoj nga rasti që të parashtroj disa nga pritshmëritë dhe objektivat prioritare afatshkurtra, për të cilat asistenca teknike e EURALIUS 4 do të vlerësohej maksimalisht nga ana jonë.

Nevoja për asistencë konsiston në:

  1. Hartimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2014-2020 si dhe planin e veprimit që e shoqëron atë.

 

Ky objektiv do të materializohet nëpërmjet  hartimit të një dokumenti të mirëfilltë politikash afatgjata, ku parashtrohen disa prioritete kyҫe si:

 

  • rritja e aksesit në drejtësi,

 

  • rritja e besimit të publikut

 

  • rritja e transparencës dhe cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve

 

  1. Një sistem i ri i Vlerësimit të Gjyqtarëve parashikuar në ligj është një tjetër objektiv i rëndësishëm për të cilin lind nevoja e një bashkëpunimi të ngushtë me EURALIUS.

Sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve pasqyron në mënyrë të cunguar performancën dhe aftësitë profesionale të tyre.

Njëkohësisht sistemi aktual i jep më tepër kopetenca KLD-së për vendimmarrjeje për vlerësimin përfundimtar, duke mos sjellë objektivitet në rezultatet e vlerësimit.

Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj do të jetë një garanci më e madhe për ta parë me realizëm këtë process.

  1. Ndërkohë që po kaq prioritare mbeten dhe amendimet në dispozitat procedurale penale, kjo në funksion të:
  • rritjes së efiçencës në gjykimet penale përmes zgjidhjes së çështjes brenda një kohe të arsyeshme;
  • si dhe luftën ndaj korrupsionit.

 

  1. Esenciale mbeten dhe ndërhyrjet në ligjin për Administratën Gjyqësore.

Eshtë  domosdoshmëri të paturit e një ligji që do të rregullojë organizimin, funksionimin dhe statusin e administratës gjyqësore, duke përcaktuar strukturën organizative, kompetencat funksionale, si dhe të drejtat, detyrimet e përgjegjësitë e kësaj trupe.

Ashtu siç e kam përmendur në Konferencën e datës 6 Tetor, si dhe në tryezën e rrumbullakët të datës 31 Tetor , reformat në sistemin e drejtësisë, do të synojnë në:

  • rritjen e integritetit brenda radhëve të sistemit:
  • fuqizimin e pavarësisë,
  • transparencës,
  • eficiencës,
  • përgjegjshmërisë
  • dhe besimit publik në sistemin shqiptar të drejtësisë, duke shfrytëzuar praktikat më të mira të BE-së.

Në fokusin e punës të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar, duhet të jenë:

 

  • Ekzaminimi i hollësishëm i problematikës që mbart sistemi ynë i drejtësisë,
  • Analizë dhe vlerësim i boshllëqeve legjislative,
  • Hartimi i një dokumenti bazë për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme:
  • Ligjore
  • Institucionale
  • dhe organizative

 

Nuk jemi shumë larg datës 31 tetor, ku si Ministër i Drejtësisë, sipas rekomandimeve të Presidentit të Republikës, kam organizuar një tryezë të rrumbullakët diskutimi, me të gjithë aktorët dhe faktorët e interesit që duhet të marrin pjesë në reformimin e sistemit të drejtësisë.

 

Me kënaqësi shpreh ndjesinë pozitive që kësaj tryeze ju bashkuan përfaqësues nga opozita e vendit, përfaqësues të Presidencës, të gjithë aktorët e sistemit gjyqësor, si dhe të shoqërisë civile.

 

Në këtë tryezë ju dha mundësia të gjithëve, të shprehnin mendimet dhe opinionet e tyre, të cilat tashmë janë mbledhur në një koncept-notë dhe në shërbim të çdo iniciative ligjore që do të ndërmerren.

 

Rekomandimet dhe sugjerimet e mbledhura do t’i adresohen:

  • Presidentit të Republikës,
  • Opozitës,
  • Kryeministrit,
  • Të gjithë aktorëve vendas dhe të huaj
  • Si dhe Kuvendit të Shqipërisë, si i vetmi organ kushtetues i cili shqyrton dhe miraton ligjet në Republikën e Shqipërisë.

 

Ministria e Drejtësisë, garanton sot përfshirjen e të gjithë aktorëve në realizimin e kësaj reforme dhe procesi ligjbërës, proces i cili do të jetë i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, çka nënkupton përfshirjen dhe konsultimet në lidhje me to, në çdo hap apo fazë procedurale nëpër të cilat ajo do të kalojë.

 

Gjej rastin t’i shpesh dhe një herë Ambasadores se BE-së por dhe Shefit të Misionit EURALIUS 4, se vullneti ynë për bashkëpunim dhe konsultim gjithëpërfshirës nuk do të ndryshojë dhe EURALIUS,  do të ketë rol kryesor dhe pjesëmarrës aktiv në gjithë procesin reformues legjislativ.

 

Shqipëria është e hapur për të përfituar nga eksperiencat më të mira, që kanë ngritur shtete të forta të sundimit të ligjit, sikurse ato gjermane, austrikake dhe hollandeze.

 

Ne besojmë se eksperienca e këtij konsorciumi që përbën EURALIUS 4, do të jetë mbështetje për strukturat e Ministrisë së Drejtësisë, por jo vetëm, në funksion të realizimit të prioriteteve tona qeverisëse.

 

Në këto kushte më lejoni që të sjell në vëmendjen tuaj se :

 

  • Puna e përbashkët përpjeston detyrat dhe shumëfishon suksesin.

 

  • Të mblidhesh bashkë është vetëm fillimi,

 

  • Të qëndrosh bashkë është progres

 

  • Të punosh bashkarisht është sukses.

 

Për të realizuar suksesin dhe rezultatin e dëshiruar në iniciativat dhe aspiratat tona, tashmë është e nevojshme që të punojmë sëbashku në mënyrë që,produkti i gjithë kësaj reforme të jetë efikas, objektiv, transparent dhe i qëndrueshëm.

 

Personalisht jam i angazhuar për një dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv me të gjithë aktorët dhe faktorët e sistemit të drejtësisë, forcat politike si dhe shoqërinë civile, pa lënë mënjanë dhe faktorin ndërkombëtarë.

 

Kam besim në mundësinë e gjetjes së një mirëkuptimi të frytshëm, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vetëm në interes të vendit.

 

Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që çështjet të cilat e formësojnë sistemin e drejtësisë, të mos jenë një fushë beteje politike, por të trajtohen në një dimension objektiv, të ndershëm dhe pa kufizime artificiale.

I gjithë faktori ndërkombëtar prej kohësh po na përcjell të njëjtin mesazh, i cili duhet të na nxisë për të vënë mënjanë paragjykimet dhe ndasitë politike, duke marrë përsipër përgjegjësinë për të vënë qytetarin në qendër.

Si Ministër i Drejtësisë jap garancitë për t’u investuar me të gjithë forcën  në këtë drejtim, me predispozitën për të dëgjuar si dhe dialoguar qetësisht e hapur me të gjithë aktorët.

Qëndrimi im do të jetë i drejtuar në thelbin e reformave gjithëpërfshirëse, në zgjidhjet e mundshme që forcojnë besueshmërinë në institucionet e drejtësisë.

Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri është një sfidë e vështirë, e cila mund të përmbushet vetëm me përpjekjet e përbashkëta të faktorit vendas dhe ndërkombëtar, sidomos të Misionit EURALIUS 4.

Në vijim të traditës të misioneve të mëparshme EURALIUS, shpreh bindjen se ky mission do të finalizojë reformën e shumëpritur të sistemit të drejtësise.