Ministria e Drejtësisë dhe Universiteti "Aleksandër Xhuvani" nënshkruajnë "Memorandum Mirëkuptimi": Mundësi të reja për studentët dhe qytetarët - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/12/2024

Ministria e Drejtësisë dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” nënshkruajnë “Memorandum Mirëkuptimi”: Mundësi të reja për studentët dhe qytetarët

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Rektoria e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi, i cili ka për qëllim fuqizimin e klinikave ligjore dhe krijimin e një lidhje të ngushtë mes arsimit të lartë dhe shërbimeve publike. Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e studentëve të drejtësisë dhe forcimin e aksesit në shërbimet ligjore për qytetarët.

Nëpërmjet këtij memorandumi, studentët e juridikut do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë praktike pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që kërkojnë mbështetje ligjore. Ky program do t’i ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për tregun e punës, duke aplikuar njohuritë teorike në kushte reale dhe duke ndihmuar ata që janë në nevojë për ndihmë ligjore.

Kjo nismë i hap dyert e Ministrisë së Drejtësisë për brezat e ardhshëm të profesionistëve ligjorë, të cilët do të kontribuojnë në forcimin e shërbimeve cilësore dhe në avancimin e aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa marrë parasysh kushteve të tyre financiare.

Për qytetarët e Elbasanit, ky Memorandum Mirëkuptimi sjell një mundësi të re për të përfituar ndihmë juridike falas në Klinikën Ligjore pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Ky shërbim do t’u ofrojë atyre një qasje më të drejtpërdrejtë dhe efikase në drejtësi, duke mundësuar mbrojtjen e të drejtave të tyre në mënyrë më të shpejtë dhe më të sigurt.

Në përfundim të eventit, Ministri Ulsi Manja theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe u takua me studentët e fakultetit, ku vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e stafit akademik dhe profesoratit, duke i falënderuar ata për rolin e rëndësishëm në mbajtjen e Elbasanit si një vatër të dijes dhe një qendër të zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri.