Drejt një Metodologjie të Re për Mbledhjen e të Dhënave mbi të Drejtat e Njeriut - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/12/2024

Drejt një Metodologjie të Re për Mbledhjen e të Dhënave mbi të Drejtat e Njeriut

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zhvilloi një takim të rëndësishëm me znj. Sirpa Rautio, Drejtoreshën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), për të diskutuar përparimin e bashkëpunimit në mbështetje të të drejtave të viktimave dhe përpjekjet për forcimin e shtetit të së drejtës.

Raporti i FRA-së ka luajtur një rol të çmuar për Ministrinë e Drejtësisë, duke ofruar mbështetje të rëndësishme në hartimin e strategjisë për viktimat e krimit. Ky raport ka pasur ndikim të konsiderueshëm në përcaktimin e politikave dhe masave për mbrojtjen e viktimave, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme mbi nevojat dhe sfidat që ata përballen.

Gjatë takimit, Ministri Manja dhe znj. Rautio theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në hartimin e një metodologjie të re për mbledhjen e të dhënave mbi të drejtat e njeriut. Ky proces është thelbësor për forcimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë.