Ministri Manja takim me Ministren Albulena Haxhiu
31 Tetor 2024, Tiranë – Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, mirëpriti sot Ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një takim që theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e drejtësisë mes dy vendeve. Ky takim shënoi hapa të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.
Në qendër të bisedimeve ishte finalizimi i marrëveshjes teknike mes Dhomave të Ndërmjetësimit, e cila pritet të nënshkruhet deri në fund të muajit nëntor. Kjo marrëveshje do të krijojë një bazë të re bashkëpunimi, duke mundësuar shkëmbimin e ekspertizës dhe mbështetje për profesionistët e ndërmjetësimit në të dy vendet.
Ministrat gjithashtu diskutuan për përmbylljen e marrëveshjes mes dhomave të avokatisë, e cila synon të lehtësojë mundësitë për avokatët shqiptarë dhe kosovarë. Ky bashkëpunim do të forcojë lidhjet gjyqësore dhe do të garantojë standarde më të larta në fushat civile dhe penale për qytetarët e të dy vendeve.
Angazhimi i dy ministrive është i orientuar drejt një partneriteti të qëndrueshëm dhe të thelluar, me qëllim që të sigurohet qasje cilësore dhe të plotë në shërbimet e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.