Ministri Naço: Dënimet alternative, reformë në raport me dënimin penal - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/03/2015

Ministri Naço: Dënimet alternative, reformë në raport me dënimin penal

“Zbatimi i një politike që burgimi të përdoret si ‘mjet i fundit’ është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin e politikave të tjera ku dënimet alternative, vlerësohen si reformë në raport me dënimin penal, i orientuar tanimë drejt së duhurës, drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore. Sikundër nënvizohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian, shndërrimi i dënimit penal në një mundësi për rehabilitim dhe ri-integrim në jetën shoqërore, duhet të jetë prioriteti ynë ”

Me këtë mesazh i është drejtuar Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço të pranishmëve gjatë takimit me temë “Ndërgjegjësimi mbi zbatimin e mbikqyrjes eletronike dhe shërbimit të provës, si një nga format e dënimeve alternative.

Z. Naço theksoi se garantimi i një kuadri ligjor sa më të plotë në fushën e masave alternative dhe përqasja me praktikat më të mira ndërkombëtare është në qendër të vëmendjes të Ministrisë së Drejtësisë.

 

Referuar të dhënave të fundit,  z. Naço vlerësoi se ngritja e institucionit të Shërbimit të Provës, ka shënuar një hap të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë penale në vendin tonë, duke trajtuar që nga krijimi në vitin 2009 dhe deri më tani rreth 13 500 të dënuar.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Ministri Naço ka sjellë në vëmendjen e pjesëmarrësve se Ministria e Drejtësisë është duke kryer një analizë për të përfshirë në sistemin penitenciar “Burgjet me regjim të hapur”.

 

“Koncepti i burgut të hapur nënkupton një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut, duke krijuar kështu mundësinë që paralelisht me vuajtjen e dënimit i burgosuri të ketë të drejtën e punësimit”, u shpreh z. Naço

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 

Sikurse edhe në të tjera aktivitete me të njëjtën tematikë, kam pasur rastin të shpreh qëndrimin tim se në shoqëritë demokratike, ndryshe nga regjimet totalitare, zgjidhja e problemit nuk është mbyllja e një individi në burg, por pikërisht këtu nis një problem madhor që duhet zgjidhur.

Në shumë raste përfshirë edhe vendet më të zhvilluara privimi nga liria bëhet në emër të ndëshkimit dhe të mbrojtjes së shoqërisë, duke lënë në plan të dytë rehabilitimin dhe ri-integrimin e të dënuarve në shoqëri.

Në fakt, çelësi i suksesit do të ishtë gjetja e ekuilibrit të duhur midis dënimit, trajtimit apo ri-integrimit të të dënuarve nga njëra anë, si dhe respektimi i ligjit, mbrojtja e shoqërisë dhe e të dëmtuarve nga ana tjetër, një proces mjaft kompleks ky, që përbën një sfidë të vazhdueshme për çdo vend civil.

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të individëve dhe në mënyrë të veçantë e grupeve vulnerabël, mbetet një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë.

Për këtë kërkohet zbatimi i ligjit njësoj dhe për të gjithë, që kriminalitetit t’i përgjigjemi me një politikë të re dënimi, që do të thotë dënime alternative për veprat penale që parashikojnë dënime të lehta, apo të kryera nga gratë dhe të miturit dhe nga ana tjetër, ashpërsim për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda.

Zbatimi i politikës “që burgimi të përdoret si mjet i fundit” është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin e politikave të tjera ku dënimet alternative, vlerësohen si reformë në raport me dënimin penal, e orientuar tanimë drejt së duhurës, drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore.

Sikundër nënvizohet edhe në Raportet e Komisionit Evropian, shndërrimi i dënimit penal në një mundësi për rehabilitim dhe ri-integrim në jetën shoqërore, duhet të jetë prioriteti ynë.

Në këtë frymë një vit më parë në emër të Qeverisë Shqiptare kam rekomanduar:

-Aplikimin e masave të sigurimit personal të ndryshme nga e ajo e “arrestit në burg”, ndaj personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim.

– Zbatimin e masave alternative të dënimit, të cilat sigurojnë rehabilitimin e  personave që kryejnë vepra penale me masë dënimi deri 5 vjet burgim dhe kanë rrezikshmëri të ulët shoqërore;

-Kërkesa për masën e sigurimit “arrest në burg” për të miturit, që kryejnë vepra penale me masa dënimi deri në 5 vjet burgim, të jetë rast përjashtimor dhe jo i zakonshëm.

– Hetime të shpejta, me qëllim shkurtimin e kohës së qëndrimit të të miturëve në paraburgim.

Nga ana tjetër, rritja e kriminalitetit, sidomos shtimi i atyre veprave penale, të cilat cënojnë rendin dhe sigurinë në vend, kërkon si ndërhyrje imediate ashpërsimin e politikës së dënimit për këto vepra penale dhe sidomos ndaj atyre të pandehurëve me rrezikshmëri të madhe shoqërore.

Për këtë rekomanduam:

-Aplikimin e masës së sigurimit, si rregull arrest në burg, ndaj personave që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burgim, sidomos në veprat penale me pasoja të rënda dhe të pandehurëve me rrezikshmëri të madhe shoqërore.

-Ashpërsim të dënimit për veprat penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg.

-Ashpërsim të dënimit për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

– Ashpërsim të dënimit për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm

– Ashpërsim të dënimit për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike.

 

Gjej rastin të interpretoj disa shifra më rëndësi mbi situatën aktuale në institucionet e vuajtes së dënimit, ku sot qëndrojnë:

129 persona të dënuar deri në 1 vit burgim

153 persona të dënuar nga 1 deri në 2 vjet burgim

440 persona të dënuar nga 2 deri në 5 vjet burgim.

 

I gjithë ky numër personash, referuar politikës së rekomanduar rreth një vit më parë, mund të kishin përfituar nga dhënia apo zbatimi i dënimeve alternative dhe mbikqyrja elektronike, duke ndikuar pozitivisht në mbingarkesën e sistemit penitenciar në tërësi.

Është fakt që ndonëse në dekadën e fundit me fondet e Bashkimit Europian janë investuar rreth 77 milion Euro në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në sistemin penitenciar dhe konkretisht në ndërtimin e burgjeve të reja, por gjithësesi jemi të vetdijshëm që ky sistem sërish ka mbartur problematika të thella që edhe sot janë evidente.

Mbipopullimi i burgjeve është problem jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet më të zhvilluara, përfshirë edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Në këtë kuadër, referuar masave të ndërmarra ndër vite konstatohet se amnistitë apo faljet nuk janë plotësisht efektive në drejtim të uljes së mbipopullimit edhe pse përdoren në shumë vende.

Për fat të keq, aministia dhe falja është efektive vetëm për një periudhë të shkurtër kohe dhe nuk konsiderohet si zgjidhje e qëndrueshme, për uljen e mbipopullimit të burgjeve edhe në Shqipëri.

 

Garantimi i një kuadri ligjor sa më të plotë në fushën e masave alternative dhe përqasja me praktikat më të mira ndërkombëtare, është në qendër të vëmendjes të Ministrisë së Drejtësisë.

 

Ngritja e Institucionit të Shërbimit të Provës, pra e një institucioni të posaçëm  ka shënuar një hap të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë penale në vendin tonë, duke jetësuar kështu në mënyrë të konsiderueshme rekomandimet ndërkombëtare.

Funksionimi i Shërbimit të Provës i krijuar si institucion në vitin 2009, ka trajtuar deri më tani rreth 13 500 të dënuar.

Imagjinoni sikur shërbimi i provës të mos kishte funksionuar, në cfarë gjendje do të ishin burgjet tona sot!

 

Fuqizimi i rolit të shërbimit të provës në Shqipëri përbën një hap akoma më të rëndësishëm, pasi është një domosdoshmëri që synon uljen e recidivizmit.

Ministria e Drejtësisë ka treguar vëmendje të veçantë në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës së nevojshme për aplikimin në rritje të masave alternative.

 

Kështu, janë hapur 10 zyra te reja vendore të Shërbimit të Provës, duke e bërë funksional këtë shërbim në çdo rreth gjyqësor.

 

Në terma konkret numri i personave për të cilët është pezulluar ekzekutimi i dënimit me burgim ka shkuar nga 1758 persona në vitin 2013, në rreth 4000 persona në vitin 2014, ndërsa për të dënuarit me punë në interes publik numri është pesëfishuar duke shkuar nga 145 persona në vitin 2013, në 694 persona në vitin 2014.

 

Ndërkohë në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë penale, Ministria e Drejtësisë po përgatit një paketë ligjore me qëllim adresimin e problematikave të ndeshura në praktikë nga zbatimi i ligjit.

 

Konkretisht, paketa ligjore përmban :

  • Projektligjin “Për Shërbimin e Provës”;
  • Projektligjin “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”,
  • Projektligjin “Për disa shtesa e ndryshime në “Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”,
  • Projektligjin “Për disa shtesa e ndryshime në “Kodin e Procedurës Penale” .

 

 

Nëpërmjet kësaj pakete synohet të shmanget burokracia dhe procedurat e tejzgjatura, të cilat pengojnë ekzekutimin  në kohë dhe me cilësi të dënimeve alternative.

 

Aktualisht kjo paketë ligjore është duke u vlerësuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Misionit Euralius IV dhe pritet t’ju dërgohet për konsultim të gjithë aktorëve.

Sikurse mund të jëni në dijeni, Qeveria Shqiptare, me nismën e Ministrisë së Drejtësisë ka ndërmarrë një ndryshim rrënjësor, që lidhet drejtpërsëdrejti me aplikimin e shkencës në funksion të respektimit të lirive themelore dhe realizimit të interesit të përgjithshëm.

Mbikëqyrja Elektronike, nga një projekt pilot vetëm në qytetin e Tiranës, sot është shndërruar në një shërbim të shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe mundëson mbikëqyrjen e kufizimit të lirisë, brenda mureve të banesës dhe synon kontrollin dhe ndryshimin e sjelljes së autorëve të veprave penale apo të të pandehurve.

Në sajë të teknologjisë së lartë të përdorur garantohet që në kohë reale të verifikohet, nëse i dënuari apo i pandehuri i përfshirë në proces gjyqësor, është duke respektuar detyrimet e caktuara nga gjykata.

Siguria për komunitetin në këtë rast shoqërohet me krijimin e rrethanave optimale që mundësojnë rehabilitimin e të mbikëqyrurve në shoqëri, duke lejuar kështu familjarët të kenë kontakt të vazhdueshëm me ta, duke lejuar forcat e rendit që të dedikohen më tepër drejt parandalimit dhe jo drejt kontrollit të personave me detyrim paraqitje dhe për më tepër duke mbrojtur dhe respektuar të drejtave të njeriut në përputhje mesa është përcaktuar në Rekomandimet e Këshillit të Evropës.

Trajnimi i vazhdueshëm i stafit të Shërbimit të Provës dhe bashkëpunimi me organet e tjera ligj-zbatuese përbëjnë një bazë shumë solide për të lejuar mirëfunksionimin e këtij shërbimi.

Mbështetja e vazhdueshme e ofruar edhe nga ekspertët e huaj, pjesë e programeve të posaçme apo niveleve shumë të larta të ekspertizës, na inkurajon akoma më tepër për të çuar shërbimin e mbikëqyrjes elektronike në një shkallë aplikimi gjithmonë e më të zgjeruar.

Një lajm i mirë është se 134 punonjësit e Shërbimit të Provës trajtohen me statusin e Nëpunësit Civil, duke krijuar kështu një garanci për vazhdimësinë e ushtrimit të detyrës së tyre.

Në këtë aspekt gjej rastin të falënderoj  përzemërsisht Prezencën e OSBE-së, për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të rritjes së performancës në Shërbimin e Provës.

Ministria e Drejtësisë është e impenjuar maksimalisht për të ofruar jo vetëm përdorim efektiv të monitorimit elektronik në respektim të standardeve etike dhe profesionale, por edhe për të garantuar transparencë, ndërgjegjësim dhe informim të vazhdueshëm për respektimin e standardeve etike gjatë monitorimit elektronik, efektivitetin, qëllimin e saj dhe vlerat e tij si një mjet për kufizimin e lirisë së të dyshuarit ose të shkelësve dhe për të mundësuar realizimin e studimeve dhe vlerësimeve të pavarura, që mund të përbëjnë bazën e ndërhyrjeve të ardhshme për përmirësimin e standardeve gjatë zbatimit të të gjitha masave alternative përfshirë mbikëqyrjen elektronike.

Ndërkohë gjej rastin që t’ju informoj se Ministria e Drejtësisë është duke kryer një analizë që do të pasohet nga propozime konkrete për të përfshirë në sistemin penitenciar “Burgjet me regjim të hapur”.

 

Koncepti i burgut të hapur nënkupton një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut, duke krijuar kështu mundësinë që paralelisht me vuajtjen e dënimit i burgosuri të ketë të drejtën e punësimit.

 

Nisma për të vlerësuar këtë mundësi është ndërmarrë, në kushtet kur regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikave që kanë të bëjnë me ndjekjen penale, e konkretisht, efikasitetit të ekzekutimit të dënimeve penale, duke mundësuar maksimalizimin e funksionit rehabilitues të dënimit penal; respektimit të të drejtave të njeriut, që është thelbësore dhe integrimit territorial.

 

Sigurisht, duhet theskuar se burgjet e hapura janë shpesh pjesë e një plani të rehabilitimit për të burgosurit dhe konsiderohen si “burgjet e trajnimit”,  dhe mund të aplikohen për të burgosurit që përbëjnë  rrezikshmëri të ulët për publikun dhe dënimi i të cilëve është më pak se 5 vjet.

 

Ky projekt i Ministrisë së Drejtësisë për aplikimin e këtij regjimi burgu, pritet të vlerësohet në vazhdimësi dhe do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi.