Me ftesë të SCiDEV, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët “Harmonizimi i kuadrit ligjor të Shqipërisë me Direktivën anti-SLAPP të BE”, e organizuar me mbështetje nga Ambasada Holandeze. Ky event u fokusua në mbrojtjen e gazetarëve nga paditë strategjike që kanë për qëllim t’i heshtin ata.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë theksoi disa nga masat që Ministria e Drejtësisë ka përfshirë në Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës dhe Agjendën Kombëtare të Reformave 2024-2027 për transpozimin e kësaj direktive, me qëllim garantimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët dhe lirinë e medias. Një nga instrumentet e rëndësishme në këtë proces do të jetë ndihma juridike falas, e cila do të sigurojë akses të barabartë në drejtësi për gazetarët që përballen me paditë abuzive.
Ministri Manja theksoi se me transpozimin e shpejtë të Direktivës anti-SLAPP dhe dekriminalizimin e shpifjes përmes miratimit të Kodit të ri Penal, synohet të krijohet një sistem drejtësie që garanton fuqishëm lirinë e shprehjes dhe të medias. Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së gazetarëve dhe promovimit të një ambienti më të sigurt për lirinë e fjalës në Shqipëri.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.