Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka marrë pjesë në punimet e Ministerialit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, një iniciativë e përbashkët mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, ku janë diskutuar çështje të ndjeshme si lufta ndaj terrorizmit dhe parandalimi i financimit të tij, trafikimi i armëve etj.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Ministri Naço evidentoi masat e marra në luftën kundër fenomenit të terrorizmit, ndërsa theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar me partnerët e saj strategjikë dhe vendet fqinje kur është fjala për nisma dhe angazhime të përbashkëta rajonale, me qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale.
Ministri Naço theksoi se Qeveria Shqiptare i qëndron të njëjtit vullnet të shprehur tashmë se Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet strehë e individëve që ndërmarrin veprime direkte apo mbështesin aktet terrorriste.
“Kërcënimi nga terrorizmi, sidomos ai me bazë fetare, është real dhe strukturat tona, duhet të jenë në gatishmëri pro-aktive për të neutralizuar çdo shfaqje apo tendencë, me qëllim parësor parandalimin e akteve terroriste. Në këtë kuadër besoj se të gjithë jemi të mendimit që është e nevojshme marrja e masave legjislative të shoqëruara me ngritjen dhe mirëfunksionimin e strukturave të posaçme dhe sigurimi i kapaciteteve apo burimeve njerëzore të nevojshme”, u shpreh z. Naço
Në vijim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare bëri një prezantim të masave legjislative të ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe ka parashtruar risitë që sjellin disa nga ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
“Si rezultat i ndryshimeve apo plotësimeve ligjore që kemi realizuar, mund të themi se Shqipëria ka tashmë legjislacionin e nevojshëm në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe detyrime të partneritetit të saj. Krahas masave legjislative autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa të qenësishme për krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër terrorizmit, duke vlerësuar riskun lidhur me financimin e terrorizmit si dhe duke koordinuar bashkëpunimin ndërinstitucional”, theksoi Ministri Naço
Në këtë këndvështrim Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço bëri më dije se çdo vit në emër të Këshillit të Ministrave i përcillet Prokurorit të Përgjithshëm, rekomandimet që duhet të mbahen parasysh prej këtij organi në luftën kundër kriminalitetit si :
Rritje të numrit të hetimeve pasurore, duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë ligjore për sekuestrimin e aseteve, produkt i krimit të organizuar;
Rritje të numrit të hetimeve proactive ndaj pasurive me origjinë nga veprimtari kriminale, Brenda dhe jashtë shtetit;
Forcim të bashkëpunimit me partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë, me qëllim parandalimin e krimeve kompjuterike të përdoruara për pastrimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale në përgjithësi, si dhe ato për qëllime të financimit të terrorizmit.
Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço u shpreh se prosperiteti i shoqërisë është i lidhur ngushtësisht me sigurinë, një siguri e cila vazhdimisht po kërcënohet nga krimi dhe terrorizmi, që nuk njohin kufij e që janë shndërruar në një sëmundje globale.
Forma dhe mënyra e shfaqjes së tyre janë në një dinamikë të shpejtë ndryshimi dhe për këtë arsye, tha Ministri Naço, edhe kundërveprimi kërkon një qasje të plotë, në drejtim të bashkërendimit të përpjekjeve tona.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.