Njoftim mbi ekspozitën retrospektivë “Drejtësia Ndër Vite në Shtetin Shqiptar” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/05/2015

Njoftim mbi ekspozitën retrospektivë “Drejtësia Ndër Vite në Shtetin Shqiptar”

Të dashur miq,

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë në datët 10 Maj 2015, prej orës 11.30 – 13.30, Ministria e Drejtësisë hap dyert e saj për publikun dhe të gjithë të interesuarit në Ekspozitën Retrospektivë “Drejtësia Ndër Vite në Shtetin Shqiptar” .

Kjo iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare synon të evidentojë dhe të promovojë ekzistencën e normave ligjore dhe rregullatore nëpërmjet të cilave ka funksionuar sistemi i drejtësisë dhe organizimi i pushtetit ekzekutiv në Shqipëri.

Pjesë e kësaj ekpozite që zhvillohet në hollin qendror të Ministrisë së Drejtësisë, përveç rikonceptimit të këndit historik të këtij institucioni, do të jetë edhe fondi i botimeve autentike të akteve ligjore që datojnë prej më shumë se 1 shekulli, që nga dita e parë kur qeveria e Ismail Qemalit miratoi dekretin e titulluar “Kanuni i Zhurisë”, mbi të cilin do të niste nga funksionimi gjyqësori shqiptar.

Nëpërmjet këtij aktiviteti Ministria e Drejtësisë gjen rastin që të shpreh nderim dhe respekt ndaj elitës së jurisprudencës shqiptare.

Prania juaj do të ishte një vlerë e shtuar ndaj simbolikës së kësaj dite.

Përzemërsisht,

Nasip Naço