10 Maj, përkujtohet Dita Kombëtare e Drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/05/2015

10 Maj, përkujtohet Dita Kombëtare e Drejtësisë

Sot, më 10 Maj, në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, doli përpara mediave në një konferencë për shtyp, ku përveç fjalës përshëndetëse të rastit iu përgjigj të gjitha pyetjeve të mediave të pranishme.

 

Duke u ndalur fillimisht në simbolikën e kësaj dite, origjina e së cilës lidhet me Kanunin e Zhurisë, i cili daton më datë 10 Maj 1913, Ministri Naço tha se edhe sot vlen të reflektohet mbi rëndësinë e kësaj dite për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

 

I pyetur nga media se në cilën periudhë të drejtimit të institucionit më të lartë të drejtësisë ndër vite do të preferonte të ishte në detyrë dhe se për çfarë do të mbahej mend në historinë e të gjithë ministrave të drejtësisë, z. Naço u përgjigj se ai ndjen se është në këtë institucion në kohën e duhur për të ndërmarrë reformat e duhura në sistemin e drejtësisë.

 

Naço theksoi se ai, bashkë me stafin që e mbështet, do të mbaheshin mend për kalimin në Parlament dhe rishikimin e një sërë ligjesh dhe kodesh, të cilat ishin të domosdoshme dhe gjetën miratim me propozimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë aktuale.

 

Të gjitha hapat e ndërmarra deri më tani janë shumë domethënëse sipas ministrit Naço, pasi edhe perceptimi i publikut për sistemin e drejtësisë së korruptuar po ndryshon sajë këtyre masave. Ndërsa i pyetur nga mediat se si do të zgjidhet ngërçi me KLD për emërimin e zv/kryetarit të këtij institucioni, Ministri Naço tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe se propozimi i tij duhet të shqyrtohet nga kreu i KLD, i cili ende nuk e ka miratuar.

 

“Ata që bëhen pengesë për reformat në drejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë në kohë qeverisjen e tyre. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në deoncimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar, siç kemi bërë së fundmi, por ka ende raste të tjera dhe ky është vetëm fillimi”, theksoi z. Naço

 

Në fund të konferencës për shtyp, Ministri Naço u dhuroi mediave dhe të pranishmëve një botim të Kanunit të Zhurisë, të firmosur nga vetë Ministri i Drejtësisë, si dhe i ftoi të vizitonin ekspozitën e botimeve të legjislacionit shqiptar ndër vite, mundësuar nga Qendra e Publikimeve Zyrtare dhe Biblioteka Kombëtare.

 

 

PËRSHENDETJA E MINISTRIT TË DREJTËSISË, Z.NASIP NAÇO, ME RASTIN E DITËS KOMBËTARE TË DREJTËSISË

 

Sot, me rastin e kujtesës së Ditës Kombëtare të Drejtësisë, kam kënaqësinë që si Ministër i Drejtësisë të përcjell, një mesazh publik, nëpërmjet të cilit synoj që jo vetëm të shpreh ndjenjën e respektit dhe nderimit për simbolikën e kësaj dite të shënuar për drejtësinë shqiptare, por nga ana tjetër të përcjell vullnetin e qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, për të përmbushur pritshmërinë tonë të përbashkët, për më shumë drejtësi në vendin tonë dhe konsolidimin e shtetit ligjor.

 

Në nderim dhe përkujtim të eksperiencës dhe trashëgimisë së pasur të jurisprudencës shqiptare, në mënyrë simbolike zgjodhëm për të sjellë përpara publikut një aktivitet, në thelb të të cilit qëndron historia dhe përkujtesa për gjithë brezat që kanë lënë gjurmë pozitive në forcimin e shtetit ligjor gjatë një shekulli.

 

Në këtë kuadër, brez pas brezi, përpjekja për përmirësimin e sistemit të rregullave brenda të cilave shoqëria duhej të funksiononte, meriton respekt. Nëse do të ndaleshim në një analizë historike retrospektive të formimit të shtetit shqiptar, vlen të përmendet se menjëherë pas konstituimit të saj, qeveria e Ismail Qemalit, bashkë me detyrën kryesore për organizimin dhe ushtrimin e autoritetit nga ana e shtetit të ri shqiptar, i kushtoi rëndësi maksimale edhe riorganizimit të sistemit të drejtësisë.

 

Në vijimësi, që shteti shqiptar dhe qytetarët e tij, të kishin gjykata të cilat të funksionin sipas rregullave të reja, qeveria shqiptare miratoi në 10 Maj të vitit 1913, atë që do të përbënte aktin e parë juridik e që njihet me emrin Kanuni i  Zhurisë. Në këtë kanun, ashtu si dhe në disa akte të tjera qeveria vendosi rregullat e para të shtetit shqiptar, për organizimin e sistemit gjyqësor, prandaj kjo datë përkujtohet si Dita Kombëtare e Drejtësisë. Më pas, sistemi gjyqësor por dhe ai i drejtësisë në Shqipëri ka funksionuar i riorganizuar në formate dhe sisteme të ndryshme, në varësi të vullnetit të klasave politike të kohës, që kanë qeverisur apo që kanë sunduar në vendin tonë.

 

Në kuadër të procesit reformues të sistemit të drejtësisë kemi diskutuar dhe kemi evidentuar pikat e dobta të tij, si dhe jemi angazhuar në përcaktimin konkret se ku dhe si ky sistem duhet të ndryshojë. Ne kemi bërë një analizë të plotë të gjendjes së sistemit, ndërsa jemi duke kryer konsultimet me të gjitha palët, në mënyrë që reforma që kemi nisur të sjellë një sistem drejtësie të ndershëm, objektiv, të qëndrueshëm, transparent, të përgjegjshëm dhe larg çdo ndikimi.

 

Reforma që kemi nisur do t’i jap shqiptarëve produktin final që presin, një sistem drejtësie që të realizojë vetëm detyrën për të cilën ai është krijuar, “dhënien e drejtësisë për qytetarët e këtij vendi” dhe për të përmbushur sa më shpejt endrrën e tyre, për një Shqipëri europiane.

 

Drejtësia është e të gjithëve, qofshin këta të majtë apo të djathtë dhe reformimi i saj duhet të jetë qëllim i përbashkët.

 

Ky detyrim duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese, pasi individualiteti dhe mëvetësia nuk mund të sjellin rezultate.

 

Si Ministër i Drejtësisë jap garancitë për t’u investuar me të gjithë forcën  në këtë drejtim, me predispozitën për dialoguar qetësisht e hapur me të gjithë aktorët.

 

Qëndrimi im do të jetë i drejtuar në thelbin e çështjeve dhe do të përpiqem për identifikimin e zgjidhjeve që sigurojnë të drejtat e plota të qytetarëve, duke forcuar besimin në institucionet e drejtësisë.

 

Ndryshimi i këtij trendi në nivel kulturor, nuk kërkon thjesht një ‘interpretim’ roli, por dedikim të vërtetë që karakterizohet nga përkushtimi, fryma e shërbimit dhe pasioni qytetar. Reformat nuk mund të kenë një pikë të re fillimi për çdo ndryshim mandati ministror. Në të tilla kushte, ato nuk do të ishin aspak produktive dhe nuk do ta forconin apo siguronin zbatimin e ligjit. Vetëm vazhdimësia dhe qëndrueshmëria do t’i jepnin “kurajo” proceseve reformuese.

 

Ky 10 Maj duhet të na gjejë të bashkuar të gjithëve, ne aktorëve që kemi në dorë për të sjellë ndryshimin. Sot dëshiroj nga të gjithë, që përmes aftësive, përvojës dhe integritetit profesional, të bashkë-kontribuohet për të përmirësuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

 

Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që çështjet, të cilat e formësojnë këtë sistem, të mos jenë një fushë beteje politike, por të trajtohen në një dimension objektiv, të ndershëm dhe pa kufizime artificiale. Unë, personalisht, jam i angazhuar për një dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv me të gjithë.

 

Kam besim se maxhoranca dhe opozita së bashku me Gjyqtarët, Prokurorët dhe ekspertët më të mirë të këtij vendi, duke patur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, do t’i japin vendit tonë një sistem drejtësie të reformuar, i cili do të jetë transparent, objektiv dhe i denjë për qytetarët e tij.