Ministri Naço raporton në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimet në prokurori. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/05/2015

Ministri Naço raporton në Komisionin e Ligjeve mbi inspektimet në prokurori.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka raportuar ditën e sotme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë në organin e prokurorisë, përgjatë periudhës 01.03.2014 – 01.03.2015.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Naço ka bërë publike një pjesë të konstatimeve të vërejtura gjatë inpektimeve të ndërmarra, ndërsa bëri me dije se janë inspektuar rreth 1200 procedime penale nga të cilat 830 procedime i përkasin Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe 370 procedime i përkasin Prokurorisë së Apelit.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

Në përmbushje të detyrimit ligjor ndodhem sot përpara Komisionit të Çështjeve Ligjore për të prezantuar konstatimet e Inspektoriatit të Ministrisë që unë drejtoj, në lidhje me inspektimet e kryera në organin e prokurorisë për periudhën 1 Mars 2014 – 1 Mars 2015.

Duke qenë një kontroll i jashtëm, inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë vlerësohet si një mundësi për të siguruar harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve dhe sigurimin e ekuilibrit dhe bashkërendimit në funksion të politikës penale shtetërore.

Raportet e inspektimeve të kryera nga ana jonë kanë adresuar faktet dhe konstatimet gjatë veprimtarisë së këtij institucioni.

Nëpërmjet këtyre konstatimeve, mund të nxirren rekomandime për politikat dhe aktivitetet që duhen ndërmarrë në përputhje me vizionin dhe prioritetet për sistemin e drejtësisë.

Gjatë periudhës së raportimit, janë ushtruar kontrolle, të planifikuara dhe mbi bazë ankese, në prokuroritë e shkallës së parë dhe të apelit.

Kontrollet e planifikuara janë ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Prokurorinë e Apelit Shkodër, ndërsa kontrolli mbi bazë ankese është ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Në këndvështrimin statistikor përgjatë kontrolleve të ushtruara, janë inspektuar rreth 1200 procedime penale nga të cilat 830 procedime i përkasin Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe 370 procedime i përkasin Prokurorisë së Apelit.

Në inspektimin e cështjeve në prokuroritë e shkallës së parë, në fokus ka qenë ligjshmëria e veprimtarisë së Prokurorit lidhur me ;

  • respektimin e afateve të hetimit,
  • respektimin e afateve të paraburgimit,
  • rregullshmërinë dhe vijueshmërinë e veprimeve hetimore,
  • respektimin e të drejtave të njeriut dhe subjekteve të procedimit penal, në veçanti të ndaluarve dhe të arrestuarve, sidomos aryre që janë të mitur.

Ndërsa, sa i takon inspektimit të realizuar në Prokurorinë e Apelit në fokus ka qenë ndjekja e ecurisë së cështjeve që përmbahen në Rekomandimet Vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit, përsa i takon  politikës penale të ndjekur.

Inspektimet e zhvilluara në periudhën e raportimit kanë mbuluar përgjithësisht proçedimet penale të 2 viteve të fundit.

Bazuar në raportet e kontrollit Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës, duke marrë në konsideratë parimin e propocionalitetit dhe të pasojës së ardhur nga shkeljet e kryera.

Përgjatë periudhës së raportimit, janë konstatuar këto lloj shkeljesh :

  1. Shkelje e detyrimit për veprime të rregullta e të vijueshme hetimore. Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ka rezultuar se :
  • Ka periudha të gjata kohore gjatë të cilave, pa asnjë shkak të dukshëm ligjor, nuk janë kryer veprime hetimore, pra janë zvarritur hetimet jashtë një afati të arsyeshëm ligjor;
  • nuk janë kryer veprime hetimore në përmbushje të detyrave të lëna nga gjykata, pasi kjo e fundit ka vendosur prishjen e vendimit të mosfillimit;
  • ka munguar roli mbikqyrës i prokurorit lidhur me veprimet e deleguara oficerit të policisë gjyqësore.

Në referim të konstatimeve kam rekomanduar :

  1. Shfuqizimin e vendimeve të konstatuara me shkelje;
  1. Fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët e kontrolluar, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.
  1. Shkelje e detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale. Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Durrës dhe konkretisht;
  • Mosfillim procedimi, ndërkohë që kallëzohen veprime koruptive të personave konkret, pa u kryer asnjë verifikim apo veprim proaktiv nga prokurori;
  • Mosfillim procedimi, për shkak se kallëzimi nuk është paraqitur, ndërkohë që ky shkak nuk përfshihet në rrethanat të cilat nuk lejojnë fillimin e procedimit;
  • Mosfillim procedimi megjithëse janë kryer veprime të mirëfillta hetimore, apo kur nga materiali kallëzues del e domosdoshme kryerja e veprimeve hetimore për të provuar apo rrëzuar pretendimet e paraqitura;

Rekomandimi i dhënë nga Ministri i Drejtësisë për këtë natyrë shkeljeje ka qënë:

(i)           Shfuqizimin e vendimeve të konstatuara me shkelje. Për rastin e konstatuar në Prokurorinë e shkallës së parë Durrës, ky rekomandim u konsiderua i drejtëpërdrejtë nga drejtuesi i Prokurorisë së rrethit Durrës, i cili vendosi shfuqizimin e vendimit të konstatuar me shkelje.

(ii)          Fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët e kontrolluar, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.

  1. Shkelje e detyrimit për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti të politikës së dënimit. Kjo natyrë shkelje është evidentuar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, për çështjet që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit.

Rekomandimet e Ministrit të Drejtësisë për vitin 2014, kanë orientuar ashpërsimin e kërkesave të prokurorëve për veprat penale  që parashikojnë një masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg, dhe në veçanti për veprat penale të korrupsionit; të krimit të organizuar; të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake; të ndërtimit të paligjshëm; të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në vështrimin e këtyre rekomandimeve është analizuar përfaqësimi në gjykim i Prokurorisë së Apelit Shkodër, nga ku u evidentua ndër të tjera se, pavarësisht faktit që prokurori i shkallës së parë ka bërë ankim lidhur me masën e dënimit të dhënë nga gjykata, prokurori i apelit ose nuk ka ashpërsuar masën e dënimit ose nuk ka bërë rekurs kur gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Rekomandimi i dhënë për këtë shkelje ka qënë se: Gjetjet e këtij raporti të konsiderohen si në drejtim të politikave të promovimit dhe disiplinimit të prokurorëve, por edhe për unifikimin dhe orientimin e politikës penale që duhet të ndiqet nga prokurorët, specifikisht për ecurinë e çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit.

  1. Shkelje e detyrimit ligjor për respektimin e parimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit, në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.

Kjo shkelje është evidentuar në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Sarandë dhe konkretisht :

  • Nuk është respektuar detyrimi për njoftimin e vendimit të mosfillimit kallëzuesit, në 26 raste të konstatuara në Prokurorinë e rrethit Sarandë.
  • Nuk është respektuar detyrimi për njoftimin e vendimit të pushimit personave të interesuar, në 6 raste në Prokurorinë e rrethit Sarandë.

Nga ankesat e drejtuara Ministrisë së Drejtësisë nëpërmjet portalit Stop Korrupsionit në Drejtësi, apo në rrugë shkresore, ku janë denoncuar për veprime korruptive, punonjës të sistemit të drejtësisë apo institucione të tjera, rreth 26 raste i kanë kaluar për kopetencë trajtimi, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme Prokurorit të Përgjithshëm.

Nga 26 rastet e përmendura, për 5 prej tyre Prokurori i Përgjithshëm ka urdhëruar dërgimin për kompetencë hetimi prokurorive të shkallës së parë, për të cilat në vijim është vendosur :

  • Në 2 raste mosfillim procedimi;
  • Në 1 rast pushim hetimesh;
  • Në 1 rast prokurori i ka përcjellë materialin ShKB -së Ministrisë së Brendshme
  • Në 1 rast materiali është në proces verifikimi.

Duke analizuar këto shifra i kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm në Rekomandimet e vitit 2015, që të ndërmarrë sa më shumë hetime pro aktive.

Mungesa e hetimeve proaktive është një fakt që vazhdon të evidentohet në raportimet e institucioneve ndërkombëtare, që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Progres Raporti për vitin 2014, lidhur me luftën kundër korrupsionit, adreson se:

“Megjithatë, hetimet vazhdojnë të jenë më shumë të nxitura sesa kryesisht, dhe numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët në të gjitha nivelet… Më shumë punë kërkohet për të rritur efiçencën e hetimeve dhe për t’i bërë më proaktive, përfshi edhe për hetimet financiare dhe hetimet për korrupsion të nivelit të lartë, korrupsion në sistemin e drejtësisë, konfliktin e interesit dhe mashtrimin me deklarimin e pasurisë.”

Në përfundim të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj edhe një herë se në procesin e realizimit të angazhimeve të Qeverisë Shqiptare për forcimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar pavarësinë,  efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Prioritet i Ministrisë së Drejtësisë do të vazhdojë të jetë forcimi i pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve në procesin e hetimit, si dhe përmirësimi i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale.

Për këtë ne i kemi rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm:

  • Forcimin e integritetit dhe autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak;
  • Rritjen e hetimeve pro aktive;
  • Zbatimin e kuadrit ligjor;
  • Rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë;
  • Forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve.