Sot miratuam në Këshillin e Ministrave projektvendimin për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore, të kompensimeve të tjera financiare që përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve gjatë qëndrimit në punë dhe procedurave të përfitimit të këtyre kompensimeve. Përmes këtij vendimi kemi një premtim të mbajtur ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, për të cilët realizohet një rritje tjetër e konsiderueshme e pagave, sipas gradave.
Ky vendim miratohet si pjesë e paketës së qeverisë për rritjen e pagave për punonjësit e administratës shtetërore. 3430 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do të përfitojnë nga kjo rritje e pagave në masën 13% – 27% sipas gradave. Duke llogaritur edhe ndryshimin e shtesës për vjetërsi në punë, rritja në vlerë e pagave për gradë, varion nga 6 000 deri 8 500 lekë në muaj për gradën “Inspektor”, (përfshirë edhe punonjësit e Policisë që mbanin gradën “nënispektor”) deri në 36 300 lekë në muaj për gradën “Drejtues i Lartë”.
Gjithashtu, në këtë vendim parashikohet edhe pagesa e kandidatëve për t’u pranuar si punonjës të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë kryer trajnimin fillestar, pas përfundimit të të cilit kanë të drejtë të ushtrojnë detyrën për një periudhë 1 vjeçare, në përfundim të së cilës konfirmohen ose jo si punonjës të Policisë së Burgjeve. Gjatë kësaj periudhe 1 vjeçare ata konsiderohen “Aspirant”, si pjesë e strukturës dhe organikës së institucionit. Paga për këtë kategori do të jetë në masën 80% e pagës së gradës “Inspektor”, që llogaritet si shumë e dy elementeve të pagës, pagës për gradë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, sipas pozicionit ku ushtrojnë detyrën.
Nga miratimi i këtij vendimi përfitojnë rreth 3430 punonjës me grada, të strukturave të Policisë së Burgjeve, si në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ashtu edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Me këtë vendim qeveria dhe Ministria e Drejtësisë mban një premtim për trajtimin financiar dinjitoz të punonjësve të Policisë së Burgjeve, duke i barazuar ata në të njëjtin nivel me Policinë e Shtetit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.