Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço priti në një takim Ambasadorin e SHBA z. Donald Lu dhe Ambasadorin e Austrisë z. Thomas Schnoll. Gjatë takimit u diskutua mbi procesin e reformimit të sistemeve të së drejtës për kujdesin ndaj fëmijëve.
Ministri Naço gjithashtu u njoh me nismën “Komiteti i Nenit 5” një iniciativë e përbashkët e Ambasadave të SHBA-së dhe të Austrisë në Tiranë. Objektivi kryesor i saj është përmirësimi i situatës ligjore për trajtimin e atyre fëmijëve, prindërit biologjikë të të cilëve nuk janë në gjendje të kujdesen dhe vendosin për lënien e tyre për birësim. Ambasadorët vunë në dukje nevojën për t’i ndihmuar këta fëmijë në gjetjen e një familjeje dhe shtëpie të re sa më shpejt, duke minimizuar pengesat e mundshme burokraktike.
Ministri Naço vlerësoi interesin e shfaqur nga Ambasadorët lidhur me këtë çështje të ndjeshme dhe garantoi vëmendjen e veçantë të institucionit që ai drejton. Në lidhje me ndryshimet ligjore që propozohen përmes nismës “Komiteti Neni 5”, Ministri Naço u shpreh se paralelisht do të ishte e nevojshme edhe nisja e një fushate ndërgjegjësuese me synimin për të ndryshuar perceptimin e çështjes së adoptimit në vend.
“Rritja e ndërgjegjësimit, nisja e një fushate publike informuese lidhur me këtë çështje, bashkarisht edhe me miratimin e Strategjisë ndërsektoriale për fëmijët, do të garantojë suksesin e kësaj nisme, e cila mendoj se kërkon koordinim të plotë për të pasur një rezultat pozitiv”, u shpreh Ministri Naço
Ambasadori Lu vlerësoi qasjen e kujdesshme të Ministrisë së Drejtësisë ndaj kësaj çështjeje delikate dhe siguroi Ministrin Naço se Departamenti i Shtetit do të vijonte të ishte një partner në sigurimin e të drejtave të fëmijëve.
Ndërkaq, Ambasadori Schnoll theksoi se puna e bërë nga nisma “Komiteti i Nenit 5”, si dhe angazhimi i Ministrit të Drejtësisë për të diskutuar dhe për t’u konsultuar publikisht me të gjithë aktorët, mbi ndryshimet ligjore të kërkuara, është një tregues se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për plotësimin e standardeve të Bashkimit Europian.
Bashkëbiseduesit theksuan se gjetja e një zgjidhjeje sa më të mirë dhe të shpejtë për fëmijët e braktisur, birësimi i tyre në familje të përshtatshme, si dhe kontrolli në vijimësi i cilësisë së kushteve që këta fëmijë do të gëzojnë në familjet birësuese, duhet të mbetet në fokusin e këtyre ndryshimeve ligjore dhe punës së përditshme të organeve ligjzbatuese në vend. Gjithashtu, u theksua nevoja që të garantohet mbrojtja dhe mirërritja e fëmijëve që ndodhen nën kujdesin e institucioneve publike.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.