Ministri Naço në Luksemburg: Reforma në drejtësi, detyrë primare për integrimin. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/07/2015

Ministri Naço në Luksemburg: Reforma në drejtësi, detyrë primare për integrimin.

Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço, zhvilloi së fundmi një vizitë dy-ditore në Luksemburg, ku mori pjesë në takimin e Ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Takimi u zhvillua me rastin e marrjes nga Luksemburgu të Presidencës në Këshillin e Bashkimit Europian. Në këtë takim morën pjesë ministrat e vendeve anëtare dhe vendeve kandidate në Bashkimin Europian.

 

Në takim u diskutuan çështje me rëndësi për organizimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të Bashkimit Europian në fushës e së drejtës penale dhe civile. Një vëmendje e madhe iu kushtua krijimit të Zyrës së Prokurorit Europian, me qëllim forcimin e luftës ndaj mashtrimit financiar apo veprave të tjera penale me karakter ekonomiko-financiar kundër buxhetit të Bashkimit Europian, në mënyrë që hetimet apo procedimet penale të mos mbeten peng ose pezull brenda secilit shtet.

 

Miratimi i rregulloreve apo përmirësimi i instrumentave ekzistues me qëllim krijimin e mekanizmave të duhur për njohjen e ndërsjelltë proceduriale në bashkëpunimin gjyqësor mes shteteve, duke synuar arritjen e marrëveshjes për superimin e “barrierave” të kufijve shtetërorë, ishin çështje kryesore të diskutuara.

 

Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar në takim ishte rishikimi i rregullave të miratuara nga Këshilli i Bashkimit Europian sa i takon njohjes së juridiksionit, si dhe njohjes dhe zbatimit të vendimeve për çështjet martesore dhe çështjet e përgjegjësisë prindërore.

 

Gjatë këtij takimi Ministri Naço u takua me Ministrin e Drejtësisë së Lukemburgut, z.Félix Braz,  të cilit i shprehu vlerësimin dhe urimet më të mira për presidencën Luksemburgase në Këshillin e Bashkimit Europian. Ministri Naço i shprehu atij mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të shtetit të Luksemburgut lidhur me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht, për vendin tonë.

 

Naço theksoi, se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet me qëllim arritjen e standardeve, ku një punë të madhe për këtë përfshin reforma në sistemin e drejtësisë, proces ky i cili paraqet përpjekjen kryesore të qeverisë shqiptare në kohët e fundit.

 

Ministri Naço realizoi, gjithashtu, edhe një takim me Ministren e Drejtësisë së Francës, zj.Christiane Taubira, të cilës i bëri me dije, se qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e të gjitha detyrave, ku një prej tyre është reformimi i sistemit të drejtësisë. Ministri evidentoi shkurtimisht faktin, se aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të diskutimit dhe konsultimit të procesit reformues dhe brenda muajit tetor të këtij viti qeveria, së bashku me Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, do t’i paraqesë Kuvendit një paketë të plotë ligjore për miratim.

 

Ky fakt, theksoi Ministri Naço, padyshim është inkurajues për procesin e avancimit të metejshëm të dosjes së Shqipërisë në procesin e integrimit dhe hapjes së negociatave.