Ministri Naço në inaugurimin e Arkivës Qëndrore të Regjistrimit Dixhital Audio në Gjykata. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/07/2015

Ministri Naço në inaugurimin e Arkivës Qëndrore të Regjistrimit Dixhital Audio në Gjykata.

Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço, ishte sot i pranishëm në një aktivitet të organizuar nga USAID me rastin e inaugurimit të Arkivit Qëndror të Regjistrimit Dixhital Audio. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, SH.T.Z. Donald Lu, Drejtori i Projektit JuST, z.John Carver, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z.Xhezair Zaganjori, përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësise, Kryetar dhe Gjyqtarë nga rretheve të ndryshme gjyqësore.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë z.Nasip Naço në këtë aktivitet.

Më lejoni që t’ju shpreh kënaqësinë time të veçantë që marr pjesë në këtë aktivitet, si dhe të përgëzoj organizatorët, por njëkohësisht dhe të gjithë personat e angazhuar, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, kanë bërë të mundur vënien në jetë të Arkivit Qëndror të Regjistrimeve Audio të Gjykatave.

Që prej marrjes së detyrës si Ministër i Drejtësisë kam shprehur gjithmonë bindjen se Projekti për Regjistrimin Audio të Seancave Gjyqesore implementuar nga Just, USAID në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar është një nga projektet më frutëdhënës në mirëfunksionimin e sistemin gjyqësor.

Është fakt që tashmë pas një pune këmbëngulëse dhe të pandërprerë, sistemi i regjistrimit të seancave gjyqësore është instaluar me sukses në 38 Gjykata në të gjithë vendin, në 160 salla gjykimi, si dhe janë trajnuar rreth 700 persona nga trupa dhe administrata gjyqësore për përdorimin e këtij sistemi.

Këto fakte do ti konsideroja një histori suksesi për sistemin tonë gjyqësor dhe për këtë falenderoj USAID dhe Z.Carver.

Ndërkohë, përkundrejt këtij angazhimi të implementuesve të projektit, nga Ministria e Drejtësisë, janë marrë të gjitha masat për përdorimin me rigorozitet të sistemit të regjistrimit audio.

Gjatë bashkëpunimit tonë, jemi ndeshur me raste kur gjyqtarët kanë shmangur me qëllim përdorimin e sistemit të rregjistrimit audio të seancave.

Mjafton të përmendim rastin e një gjyqtari në Kavajë i cili nga 287 seanca gjyqësore,kishte aplikuar sistemin e regjistrimit audio vetëm në 8 seanca, që do tëthotë 3.4 % të kohës efektive.

Ky fakt u vlerësua shqetësues, dhe jo vetëm për këtë shkak, por dhe për shkelje të tjera të kryera nga ky gjyqtar Ministri i Drejtësisë, i propozoi KLD-së shkarkim e tij nga detyra. Për fat të keq, kjo masë nuk u pranua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndërkohë që për fat të mirë sot, po ky gjyqtar, është duke u proceduar penalisht për fshehje të pasurisë.

Përpos këtij fakti më lejoni të citoj se Ministria e Drejtësisë, aktualisht ka përgatitur nismën ligjore për amendimin e dispozitave në Kodin e Procedurës Penale, që lidhen me regjistrimin audio të seancave gjyqsore.

Realizimi i kësaj nisme ligjore është bërë me propozimin e USAID dhe përsëri gjej rastin ta falenderoj.

Kjo nismë do të mundësojë shmangjen e çdo keqinterpretimi apo hapësire korruptive nga ana e gjykatave, siç ka ndodhur në ndonjë rast në gjykatën e Apelit, e cila ka prishur vendimin e shkallës parë, pikërsisht për shkak të këtij keq interpretimi, në lidhje me zbatueshmërinë e dispozitave në lidhje me mbajtjen e procesverbalit gjyqësore për regjistrimin audio në procesin penal.

Sot, falë kësaj pune të përbashkët, konstatojmë me kënaqësi impaktin pozitiv që ka dhënë ky projekt në funksion jo vetëm të rritjes së tranparancës, por dhe të përmirësimit të procesit monitorues të sistemit gjyqësor.

Sikurse dihet, një nga sëmundjet nga të cilat ka vuajtur sistemi i drejtësisë është mungesa e transparencës dhe në këtë kuptim implementimi me sukses i këtij projekti është jo vetëm një vlerë e shtuar në funksion të përmirësimit të transparencës së munguar, por nga ana tjetër është një hap shumë i madh i hedhur në këtë drejtim, e që mbi të gjitha, ka ndihmuar në rritjen e përgjegjshmërisë dhe etikës në sistmin gjyqësor.

Vazhdoj t`i qëndroj bindjes sime, se transparenca është një mjet i pazëvendësushëm në eliminimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor, dhe kjo mund të  arrihet përmes dixhitalizimit dhe përdorimit të teknologjisë moderne.
Në këtë këndvështrim, objektivi ynë i ardhshëm lidhur me këtë sistem, mbetet që sistemi i regjistrimit audio të plotësohet edhe me sistemin vidio, në mënyrë që jo vetëm të dëgjojmë se çfarë thuhet, por edhe të shohim se si zhvillohet një seancë gjyqësore, duke bërë të mundur shmangien e çdo sjelljeje joetike he rritjen e solemnitetit brenda një seance gjyqësore.

Vërtet jemi një vend i vogël, por kemi dëshirën e madhe që me ndihmën e partnerëve tanë të implementojmë në sistemin gjyqësor teknologjinë e fjalës së fundit, duke u bërë pararojë në plotësimin e standarteve më të mira ndëkombëtare krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Projekti i Regjistrimit Audio në Gjykata, mundëson gjithashtu nga njëra anë një qasje më aktive të publikut të gjerë përkundrejt proceseve gjyqësore dhe nga ana tjetër një mekanizëm më shumë kontrolli në sistemin gjyqësor.

Në këtë kuptim, në tërësi projekti Just mundëson që në kohë reale palët në proces, por jo vetëm ato të mund të kenë në dorën e tyre me kosto të papërfillshme një informacion mbi mënyrën se si janë zhvilluar seancat gjyqësore, çfarë është thënë brenda dyerve të këtyre gjykatave, si dhe të verifikojnë zbatimin e dispozitave proceduriale nga gjykata.

Një risi tejet e çmuar e Projektit Just është dhe produkti tepër cilësor për të cilën jemi mbledhur sot, ai i “Krijimit të arkivit qëndror të regjistrimeve audio të gjykatave”.

Ky komponent tashmë synon përmirësimin e procesit monitorues të proceseve gjyqësore nga gjykatat e nivelit më të lartë, Inspektoriatet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, pa qenë nevoja që kjo gjë të bëhet nëpërmjet disqeve (CD-ve),duke ndikuar ne mënyrë të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e transparencës, efikasitetit të punës së gjykatave, pakësimit të kostove financiare të palëve në proces, përmirësimit dhe korrektimit të zbatimit të rregullave të etikës në proces nga palët dhe mbi të gjitha ky lloj aksesi kursen dhe kohë, dhe burime, si financiare, ashtu edhe njerëzore.

Përmes arkitekturës së ngritur tashmë realizohet kalimi automatik i të dhënave audio nga serverat e gjykatave në serverin qendror, duke krijuar një nivel sigurie edhe më të lartë duke plotësuar kështu hallkën që mungonte në këtë proces, jo vetëm për të mbrojtur sigurinë e të dhënave, por edhe për të ofruar garancinë që çdo fjalë e thënë në një proces gjyqësor, nuk do të humbasë.

Tashmë, me krijimin e Arkivës Qëndrore të Regjistrimit Dixhital Audio,shumë ankesa mund të verifikohen në mënyrë të menjëhershme dhe më të shpejtë, pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt gjykatave.

Kjo lidhje me arkivin qendror është realizuar deri më tani për gjykatat e rretheve gjyqësore Pogradec, Korçë dhe për Gjykatën e Apelit Korçë, si dhe për dy Inspektoratet gjyqësore. Instalim tërësor i këtij sistemi, do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe ekzistencës së mjeteve më të mira për t’u siguruar se gjyqtarët i zhvillojnë proceset gjyqësore sipas standardeve të larta të integritetit dhe efiçencës. Ky do të jetë dhe fokusi ynë.
Më lejoni të përmend rolin dhe kontributin e veçantë që japin partnerët tanë ndërkombëtarë që na asistojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Një falënderim të veçantë dhe të përzemërt, ia drejtoj Drejtuesit të Projektit JuST z.Carver, dhe ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët prej mëse 20-vitesh nëpërmjet mbështetjes dhe asistencës për reformimin e sistemit të drejtësisë ka dhënë një kontribut të prekshëm për vëndin tonë, duke e afruar Shqipërinë më shumë drejt standarteve të kërkuara.

Të nderuar pjesëmarrës,

Aktualisht jemi në një moment kur Reforma në Sistemin e Drejtësisë po avancon, pikërisht tani ne jemi duke diskutuar me grupet e interesit, ekspertët dhe aktorët ndërkombëtare këtë reformë, në mënyrë që të tregojmë kujdesin e duhur që kjo reformë të jetë gjithë përfshirëse, afatgjatë, dhe e qëndrueshme.

Gjej rastin që nëpëmjet kësaj tryezë të përshendesë përfshirjen e opozitës në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, duke marrë vendin që i takon, e cila natyrisht do të jetë një garanci më e madhe që kjo reformë do të jetë e qëndrueshme në kohë.

Reforma që po ndërmarrim në sistemin e drejtësisë do të jetë një reformë e cila, nuk ka për qëlllim në vetvete ndryshimin e disa ligjeve apo rregullave për ristrukturimin e sistemit gjyqësor, por arritjen e objektivit madhor të saj që është një sistem gjyqësor i pavarur, funksional, i përgjegjshëm, profesional dhe mbi të gjitha në funksion të qytetarëve dhe të gëzojë besimin e tyre.

Do të falënderoja përsëri partnerët tanë ndërkombëtarë, përfaqësuesit e USAID dhe Ambasadorin e SHBA-së Z. LU, për mesazhet e drejtëpërdrejta dhe inkurajuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, përfundoi fjalën z.Naço.