Ministri i Drejtësisë z.Nasip Naço ka marrë pjesë ditën e djeshme i ftuar në forumin me temë “Monitorimi i Efektivitetit të Gjykatave Administrative në vitin e parë të punës”, aktivitet ky i organizuar nga “Konfidustria-Albania (Konfederata e Industrive të Shqipërisë) dhe mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert. Në këtë forum morën pjesë Drejtuesi i Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë Z.Frank Hantke, Kryetari i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë, Kacelarë të Gjykatës Administrative Tiranë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfaqësues nga USAID, OSBE, shoqëria civile, biznesi, bota akademike, universitare, media. Në këtë forum u paraqitën gjetjet e monitorimit, parë nga këndvështrimi i interesit të biznesit dhe qytetarëve.
Në fjalën e tij, Ministri Naço ka evidentuar faktin se krijimi dhe funksionimi i Gjykatave Administrative është “Një revolucion në sistemin e drejësisë”, edhe pse në vetvete funksionimi i tyre, sot shfaq disa problematika, për të cilat, ne po punojmë dhe po përpiqemi t’i ndreqim ato.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Naço.
Me marrjen e detyrës si Ministër i Drejtësisë, gjeta në tavolinën time, disa propozime dhe projekte, mbi mënyrën se si do të nisnin dhe do të bëheshin efektive gjykatat administrative, dhe nuk hezitova për të vënë në jetë zbatimin e tyre. Kështu u bë e mundur që shumë shpejt, dhe konkretisht në 4 nëntor 2013, të nisnin nga funksionimi 6 Gykata Administrative të Shkallës Parë, 1 Gjykatë Apeli Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
Siç mund ta mbani mend, komuniteti gjyqtarëve, avokatëve, juristëve, përfaqësues të biznesit, dhe qytetarët e mirëpritën fillimin e funksionimit të këtyre gjykatave, pasi një model i tillë i kishte munguar vëndit tonë dhe për këtë kishim shumë nevojë.
Në ditën e parë të funksionimit të Gjykatave Administrative, e kam quajtur këtë, “Një revolucion në sistemin e drejësisë”, dhe sot sërish vazhdoj të besoj se krijimi i tyre ka sjellë rezultate, edhe pse në vetvete funksionimi i tyre shfaq disa problematika.
Objektivi kryesor i ligjvënësit në krijimin e gjykatave administrative ishte dhe vazhdon të jetë reformimi i sistemit dhe i procedurave gjyqësore, në lidhje me shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative me qëllim rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së gjykimit, përmes ngritjes së një sistemi gjyqësor autonom, të specializuar me gjyqtarë administrativ; garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave dhe interesave të ligjshme të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor; shqyrtim brenda një kohe sa më të shkurtër të çdo kërkese në lidhje me veprimet dhe/apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.
Ky qëllim dhe produkti që do të sillte kjo nismë, për mirëfunksionimin e Gjykatave Administrative është shumë i rëndësishëm për mua si Ministër Drejtësie.
Të nderuar të pranishëm,
Fillimi nga puna i Gjykatave Administrative, paraqiste shqetësimin se, a do të sillnin këto gjykata rezultatin e dëshiruar , dhe a do të shfaqte funksionimi i tyre ndonjë problematikë, me pjesën tjetër të sistemit gjyqësor ?
Kur flasim për problematika është mëse normale që ashtu si çdo gjë e re, edhe funksionimi i gjykatave administrative ka nevojë të testohet, e më pas të evidentohet se ku janë pikat e dobta, në mënyrë që dhe mekanizmi riparues i çdo defekti, të jetë efikas për funksionimin e saj.
Në këtë mënyrë pas mëse 1-viti nga funksionimi i tyre, Ministria e Drejtësisë me qëllim monitorimin dhe verifikimin e respektimit në praktikë të parimeve të gjykimit administrativ, si dhe për të verifikuar cilësinë e punës së këtyre gjykatave, në muajin dhjetor 2014, ushtroi një inspektim në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Ajo që dukshëm u konstatua ishte fakti se në të dy gjykatat qoftë të shkallës parë, por dhe atë të apelit, numri i çështjeve të regjistruara ishte shumë i madh. Zbatimi i Vendimit Unifikues nr.3/2014 të Gjykatës së Lartë, kishte ndikuar ndjeshëm në rritjen e volumit të çështjeve të regjistruara në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Apelit Tiranë, pasi sipas këtij vendimi të gjitha çështjet administrative që ndodheshin në gjykatat civile pavarësisht fazës së gjykimit, ju kaluan përkatësisht gjykatave administrative të shkallës së parë dhe apelit administrativ, ç’ka solli ngarkesë të menjëhershme në sistem.
Pra nuk kishim një ngarkesë graduale në punën e këtyre gjykatave, por një mbingarkesë të menjëhershme, dhe kjo që në momentet e para të krijimit të këtyre gjykatave. Ngarkesa e lartë e çështjeve të gjyqtarëve administrativ, sidomos në Gjykatën e Apelit, duket të jetë edhe një prej faktorëve që ndikon në vonesën e gjykimit të çështjeve tej afatit ligjor, vonesat në arsyetimin e vendimeve, situatë kjo e cila rriskon të sjellë uljen e cilësisë qoftë sa i takon vendimarrjes, apo arsyetimit të vendimit, shkaqe këto të cilat vënë në rrezik zgjidhjen e çështjeve në mënyrë të drejtë apo vet dhënien e drejtësisë.
Duke iu referuar të dhënave statistikore konstatohet se në gjykatat administrative, ka një numër shumë të lartë çështjesh të regjistruara. Konkretisht, përgjatë vitit 2014, janë regjistruar 55 479 çështje, nga të cilat 36 558 çështje në shkallë të parë, dhe 18 921 çështje në Gjykatën e Apelit. Gjatë të njëjtës periudhë, janë dhënë 24 211 vendime gjyqësore, nga të cilat 19 600 vendime në shkallë të parë dhe 4611 vendime në gjykatën e apelit.
Këto të dhëna tregojnë se numri mesatar i çështjeve të regjistruara për 1 gjyqtar në shkallë të parë është 1261 çështje, ndërsa në gjykatën e apelit është 2703 çështje.
Këto tregues krahasuar me të dhënat e Gjykatave Civile tregon qartë që ngarkesa e punës së Gjykatave Administrative është më e lartë. Po ashtu, numri i vendimeve të dhëna nga 1 gjyqtar në shkallën e parë administrative është 676 vendime, ndërsa në gjykatën e apelit administrativ është 659 vendime.
Përveç ngarkesës së lartë një tjetër problematikë e konstatuar ishte dhe plotësimi i organikës me numrin përkatës të Gjyqtarëve në 4-Gjykata Administrative të Shkallës së parë. Sot ne kemi një organikë të miratuar me 43 Gjyqtarë Administrativ, ndërkojhë që janë emëruar vetëm 36 gjyqtarë dhe ngelet për tu plotësuar kjo organikë me 7-Gjyqtarë.
Si pasojë e këtyre problematikave, Gjykatat administrative në pamundësi shqyrtimi të çështjeve të regjistruara në kohën e duhur, paraqesin në mënyrë të vazhduar kërkesën pranë institucionit të KLD-së, për delegimin e gjyqtarëve pranë këtyre gjykatave, me qëllim përmbushjen e misionit për të cilin ato janë krijuar .Kërkesa më ekstreme ishte ajo e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila së fundmi i ka kërkuar KLD-së, delegimin e gjyqtarëve pranë kësaj gjykate për gjykimin e 3700 çështjeve gjyqësore. Gjendur përpara këtyre fakteve të konstatuara, si dhe nisur nga kjo kërkesë e Gjykatës së Apelit, në muajin dhjetor 2014, ngritëm një grup të përbashkët pune me Inspektoriatin e Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku objekt i punës ishte kryerja e një studimi rreth problematikës që shfaqte funksionimi i Gjykatës së Apelit Administrativ. Nga ky studim i përbashkët realizuar me Inspektoriatin e KLD-së, u arrit në përfundimin se duhen marrë masat organizative-administrative dhe legjislative me qëllim rishikimin e numrit të gyqtarëve, heqjen e çdo pengese ligjore me qëllim plotësimin e 7-vendeve vakant në Gjykatat administrative, emërimin e ndihmësave ligjor.
Në përgjigje të kësaj situate, për të penguar rritjen e ngarkesës, vlerësuam se ishte emergjente ndërmarrja e masave organizative dhe legjislative në drejtim të përmirësimit të situatës.
Këto masa, janë në fokusin e punës së institucioni që unë drejtoj, me qëllim vënien në funksionim të plotë të gjykatave administrative, fokusuar në drejtim të plotësimit të strukturës së gjykatave, rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të këtyre gjykatave, përmirësimin dhe plotësimin e infrastrukturës. Si Ministër i Drejtësisë kam miratuar aktet e nevojshme nënligjore, për përcaktimin e procedurave, për plotësimin e strukturës organizative të gjykatave administrative me numrin e nevojshëm të ndihmësave ligjorë. Së bashku me komunitetin e gjyqtarëve dhe pedagogëve, realizuam një proces model, konkurimi nëpërmjet të cilit arritëm të rekrutonim 25 ndihmësa ligjorë Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe Apelit, bazuar në parimin e paanshmërisë dhe meritokracisë. Tashmë të gjithë ndihmesat ligjorë, janë akomoduar pranë gjykatave ku ata janë shpallur fitues, dhe padyshim që kjo do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të punës në këto gjykata, shkurtimin e kohës së gjykimit të një cështje, uljen e kohës së zbardhjes së vendimit të marrë, rritjes së cilësisë në arsyetimin e vendimit. Një vëmendje jo e vogël, i është kushtuar edhe rritjes dhe pëmirësimit të kapaciteteve profesionale të stafit të këtyre gjykatave npërmjet trajnimeve.
Një sfidë jo e vogël për Ministrinë e Drejtësisë ka qenë përmirësimi i infrastrukturës së Gjykatave Administrative. Krahas punës voluminoze që është bërë për përshtatjen apo pajisjen me ambjente pune dhe zyra të Gjykatave Administrative, ne vijuam punën për implementimin e sistemeve elektronike, apo futjen e teknologjisë së fundit edhe në këto gjykata të reja.Në bashkëpunim me partnerët tanë në muajin dhjetor 2014, ne përfunduan instalimin e sistemit ICMIS,në gjykatat administrative si dhe realizuam trajnimin e stafit të këtyre gjykatave mbi përdorimin e këtij sistemi. Gjithashtu në muajin mars 2015, në bashkëpunim me projektin Just të USAID, filloi instalimi i sistemit të regjistrimit audio RDA në këto gjykata. Sistemi është instaluar në 6 Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë, dhe mbetet i pritshëm instalimi i këtij sistemi në gjykatën administrative te Shkallës së Parë Gjirokastër. Gjej rastin ta falenderoj USAID dhe Projektin Just, për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që kanë dhënë për sistemin e drejtësisë. Falë ndihmës dhe angazhimit të tyre, ne sot kemi një sistem funksional të regjistrimit audio të shtrirë në gjykatat e gjithë territorit të vëndit.
Të nderuar të pranishëm,
Më duhet të theksoj se përpos masave administrative dhe organizative, ne kemi ndërmarrë dhe masat legjislative, me qëllim përmirësimin e situatës së krijuar. Ministria e Drejtësisë së fundmi, ka ndërmarrë nismën për të realizuar disa ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së gjykatave administrative, nëpërmjet të cilave synohet, rritja e efiçiencës së gjykatave nëpërmjet riorganizimit të brendshëm, plotësimit të vendeve vakante në gjykatat administrative,si dhe uljen e ngarkesës së madhe të çështjeve në gjykatën e apelit administrativ.
Këto ndryshime konsistojnë në rritjen e numrit të Gjykatave të Apelit Administrativ, nga një gjykatë që kemi sot vetëm në qytetin e Tiranës, ta shtrijmë këtë shërbim ndaj qytetarit, në të paktën 3 Gjykata Apeli, në të gjithë territorin nga veriu në jug të Shqipërisë, përcaktimin e kritereve të përshtatshme për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatat administrative, me qëllim që t’i jepet mundësia që në këto gjykata, të mos emërohen vetëm persona nga trupa gjyqësore ekzistuese, por të mund të emërohen edhe studentët që mbarojnë Shkollën e Magjistratuës, që sot për fat të keq enden pa e ushtruar profesionin e Gjyqtarit, edhe pse vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit si të tillë.
Kjo nismë ligjore e Ministrisë së Drejtësisë është përcjellë në Këshillin e Ministrave, dhe shumë shpejt do të përcillet për miratim në Kuvënd, kjo edhe në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë.
Të nderuar,
Në përfundim të fjalës sime, më lejoni të theksoj se;
Funksionimi i Gjykatave Administrative, nga njëra anë ka sjellë rezultate pozitive, ashtu sikudër nga ana tjetër ka reklamuar dhe problematikën e vet, e cila ka zgjidhje dhe sigurisht që do të ketë një zgjidhje, dhe për këtë ne po punojmë intensivisht. Forume të kësaj natyre, ku ne marrim pjesë sot, i shërbejnë më së miri evidentimit objektiv të problemit, pa lajka apo demaskime.
Tryeza të tilla diskutimi, jashtë çdo lloj ndikimi klientelist dhe korporatist, përfaqësojnë pjesën e komuniteteve që preken më shumë nga të metat e sistemit, i ndeshin këto të meta, përditë në punën e tyre, dhe për këto arësye dhe gjetjet që vijnë prej këtyre lloj tryezave, janë pasqyrë më e qartë e realitetit.
Bashkëpunimi midis institucioneve publike dhe Forumeve të formateve të tilla, do të na ndihmojë të evidentojmë më saktë problemin, dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë, sidomos kur bëhët fjalë,
për një hallkë të re në sistemin e drejtësisë, të sapo ngritur, dhe që është në hapat e para të
konsolidimit të saj, siç është Gjykata Administrative.
Ju faleminderit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.