Ministri Naço prezanton Pr/ligji "Për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve" - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/10/2015

Ministri Naço prezanton Pr/ligji “Për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, të ndryshuar.

Kjo nismë e cila vjen si nevojë e përmbushjes së detyrimeve nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë si: Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues, synon përmirësimin e kushteve të trajtimit për personat e dënuar, përmes rritjes së garancive ligjore për parandalimin e shkeljeve të të drejtave të këtyre personave.

I pranishëm gjatë mbledhjes së komisionit, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço bëri një prezantim të projektligjit, ku vuri në dukje risitë e tij.

“Reformimi i sistemit të trajtimit të dënuarve është një nga prioritet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të të drejtave të njeriut. Qëllimi kryesor i projektligjit të paraqitur nga ana jonë është përmirësimi i kushteve të personave të dënuar me burgim, për të garantuar dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të tyre, në përputhje me aktet e Bashkimit Europian, aktet ndërkombëtare në fuqi si edhe standardet e pranuara botërisht përmes futjes edhe të nocionit të ri për Shqipërinë, pra të burgut me regjim të hapur”, u shpreh z. Naço

Gjithashtu Ministri Naço argumentoi se përforcimi i sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, do të mundësojë parandalimin e lidhjeve të mëtejshëm me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Sipas z. Naço kjo do të ndihmojë në shkëputjen e tyre përfundimtare nga bota e krimit, dukë nënkuptuar se ndryshimet e reja që propozohen janë një përgjigje në luftën kundër kriminalitetit.

“Me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin e aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në institucion ose në një pjesë të tij, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale”, tha Ministri Naço