Në ligjin nr. 9/2022 “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme” dhe Urdhrin Nr. 187, datë 04.05.2022 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme mbi paraqitjen dhe trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të personave që kërkojnë të certifikohen si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”, janë përcaktuar rregullat për paraqitjen, trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të personave që kërkojnë të certifikohen si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme. Kandidati për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme paraqet shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues brenda 15 ditëve nga përfundimi i afatit të publikimit. Kandidati për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, që kërkon të certifikohet si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme, depoziton pranë Ministrisë së Drejtësisë, përmes shërbimit postar ose dorazi, dokumentacionin bashkangjitur:
1-Kërkesë për shprehje interesi për certifikimin si ndërmjetës i pasurive të paluajtshme;
2-Kopje të mjetit të identifikimit;
3-Certifikatë familjare;
4-Kopje të njësuar të diplomës së arsimit të mesëm të lartë, të lëshuar nga një institucion arsimor i akredituar në Republikën e Shqipërisë ose diplomë të lëshuar nga institucion arsimor i huaj, të njohur e të njësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin;
5-Vërtetim nga prokuroria që nuk është nën hetim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;
6-Vërtetim nga gjykata që nuk është nën gjykim për veprat penale në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë;
7-Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore të kandidatit dhe për personat e lidhur me të;
8-Vetëdeklarim që nuk ka dënim me masë administrative gjobë ose masë administrative që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsërisë në të ardhmen, për shkelje të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, të paktën jo më herët se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
9-Certifikatë për përfundimin me sukses të programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme; (Me Urdhrin e Ministrit të Drejtësisë nr. 619, datë 23.11.2022, “Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar dhe Urdhrin nr. 162, datë 09.02.2023, “Për një shfuqizim në Urdhrin nr. 619, datë 23.11.2022, të Ministrit të Drejtësisë, “Për përzgjedhjen e institucioneve trajnuese për realizimin e programit të detyrueshëm të trajnimit për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme” ka vendosur se institucioni i cili do të zhvillojë trajnimin e detyrueshëm për kandidatët për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme është KUB (Kolegji Universitar i Biznesit).
10-Dokument që provon zotërimin e gjuhës shqipe, të lëshuar nga autoritetet kompetente sipas legjislacionit në fuqi (për shtetasin e huaj)
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.