Ministri Manjani shkarkon nga detyra drejtorin e IEVP Korçë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/11/2015

Ministri Manjani shkarkon nga detyra drejtorin e IEVP Korçë

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, shkarkon nga detyra Drejtorin e IEVP Korçë, z. Laert Çeliku, me motivacionin e menaxhimit jo të duhur të punës në institucionin që drejtonte.

Shkeljet u evidentuan pas raportit të inspektimit që u zhvillua në datat 15- 16 tetor 2015 dhe kishin të bënin me:

  • Abuzivitet me listat e të dënuarve të punësuar sipas organikës së miratuar, ku u gjetën emra fiktivë;

(Sipas rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ligjit nr. 8328 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, nga punësimi në institucion të burgosurit përfitojnë ulje dënimi dhe vlerësime pozitive të sjelljes.)

  • Mangësi në elementet e sigurisë, ku vërehej se kontrollet e kryera në institucion nuk dokumentoheshin dhe nuk zhvilloheshin në të gjithë sektorët gjatë natës. Në blloqet e punës nuk pasqyrohej aktiviteti i specialistëve të sektorit të policisë. Të paraburgosurit qëndronin në observim për një kohë më të gjatë sesa ajo e parashikuar nga rregullorja. Komisioni i masave disiplinore të IEVP përbëhej nga 4 anëtarë, ndërkohë që rregullorja parashikon 5 anëtarë dhe të dënuarit nuk njiheshin me vendimin e komisionit për marrjen e masës disiplinore etj;

 

  • Procesin e dhënies së lejeve shpërblyese e të veçanta, ku evidentoheshin parregullsi të ndryshme;

 

  • Mangësi në shërbimet e tjera mbështetëse;

Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar forcimin e masave të sigurisë dhe rritjen e kontrolleve monitoruese në burgje, me qëllim rritjen e transparencës së punës. Gjithashtu, z. Manjani ka kërkuar rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe dhënie zgjidhje të problemeve të evidentuara në të gjitha drejtoritë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.