Takimi konsultativ mes Gjykatave Administrative, sipërmarrjes private dhe biznesit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/11/2015

Takimi konsultativ mes Gjykatave Administrative, sipërmarrjes private dhe biznesit

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në një takim konsultativ me Kryetarët e Gjykatave Administrative, përfaqësues të sipërmarrjes private, dhomave të tregtisë, shoqatave të ndryshme të biznesit, etj.

Në këtë takim të organizuar nga Ministria e Drejtësisë me temë Efektiviteti i Gjykatave Administrative në raport me sipërmarrjen private dhe biznesin”, është diskutuar gjerësisht  lidhur me pritshmëritë përkundrejt gjendjes aktuale të funksionimit të Gjykatave Administrative.

Ministri Manjani gjatë fjalës së tij theksoi se përkrah idenë e një trajtimi më të mirë financiar të gjyqtarëve, duke garantuar të pranishmit se gjatë mandatit të tij do të përpiqet maksimalisht që të shërbej, të ndërmjetësoj, apo edhe të koordinoj sa më shumë të jetë e mundur në krijimin e një klime partneriteti dhe besimi.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

Dua të falenderoj kryetarët e gjykatave Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit që ju përgjigjën ftesës time për të biseduar bashkarisht në këtë format dhe në këtë standard, që nuk e kam shpikur unë sepse Gjykata është në nivelin e ligjit dhe të gjithë të tjerët përpara gjykatës dhe para ligjit janë të barabartë.

Në këtë kuptim njeriu para ligjit dhe para gjykatës barazohet, kështu që jemi këtu për t’ju respektuar dhe sigurisht pavarësisht nivelit ku ju jeni ulur kërkojmë të bashkëbisedojmë miqësisht por edhe zyrtarisht, për disa shqetësime që për hir të së vërtetës i kemi vënë re.

Falenderoj shumë komunitetin e biznesit që është sot këtu me ne sepse në këto ditë të vështira për ekonominë shqipëtare, biznesi është partneri jonë më i rëndësishëm. Është partneri më i rëndësishëm në kuptimin që zhvillimi ekonomik pa këtë partner nuk ka shanc për të ecur përpara. Unë nuk jam njeri statistikash, nuk jam njeri renditjesh apo shifrash. Unë jam një njeri që përpiqem që të shërbej dhe të ndërmjetësoj, apo koordinoj sa më shumë të jetë e mundur. Ministri i Drejtësisë nuk jep drejtësi por është gjykata ajo që jep drejtësi, ndaj dhe mendova që mund të diskutojmë bashkërisht sesi mund të përmirësojmë disa aspekte të punës sonë.

Të nderuar kryetar të Gjykatave Administrative, ju keni një mision shumë të rëndësishëm ligjor që është misioni për t’i shërbyer në mënyrë të veçantë komunitetit të biznesit.

Gjykata Administrative është krijuar për t’i shërbyer biznesit në kohë shumë të shpejtë. Jam koshient që jo totalisht varet në dorën tuaj, çështjet organizative, prandaj kam thirrur kancelarët.

Në 20 vitet e fundit politika në Shqipëri dhe vendimmarrja kanë harxhuar shumë kohë. Për këdo dhe në çdo rrethanë që ju ndiheni diskonfort me shërbimin që ju ofrohet, jam i gatshëm t’ju gjendem pranë. Detyra ime është t’ju shërbej juve sepse duke ju shërbyer juve mendoj që ju shërbej shumë më mirë komunitetit të bisnezit.

Të jemi realist, kemi vonesa në gjykim dhe kjo vjen pjesërisht për arsye që ne i njohim, që janë çështje organizative. Më lejoni që t’ju informoj në këtë rast që Ministri i Drejtësisë ka marrë një nismë ligjë-vënëse që të sqaroj hollësisht me procedurë të përshpejtuar, çështjen e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila për fat të keq është e mbingarkuar.

Unë nuk jam këtu për të thënë se kush ka të drejtë, sepse këtë do ta gjykoni ju, nëse kjo konsiderohet ndërhyrje jam gati të kërkojë ndjesë në të gjitha aspektet. Por absolutisht nuk është ky qëllimi i kësaj bisede. Përsa më takon mua si Ministër Drejtësie për të ndihmuar dhe koordinuar punën tuaj të përditshme, me veprimin gjyqësor, sekretarinë gjyqësore, me shërbimet e kancelarisë etj, jam gati të jem në krahun tuaj për çdo rast. Në çdo çështje dhe për çdo arsye unë jam i interesuar si anëtar i Qeverisë që t’i shërbehet komunitetit të biznesit me përparësi. Nuk na intereson që t’i humbim kohë biznesit me procedura gjyqi. Ne na intereson që biznesi të jetë i lirë, të çlirohet nga historitë administrative dhe të çelim vende pune. Ekonomia shqiptare nuk ka asnjë shans tjetër nëse nuk mbështesim komunitetin e biznesit. Respekt total për punën tuaj dhe të të gjithë gjykatësve të trupës gjyqësore që shërben në juridiksionin e Gjykatës Administrative.

Jam i angazhuar totalisht më një program shumë agresiv antikkorrupsion. Mbetem përkrahës i pikëpamjes që djalli fshihet në detaje dhe me detajet do të duhet të merremi shumë më gjatë. Jam totalisht i angazhuar edhe në kuadër të reformës në drejtësi që të zgjidhim sa më shumë detaje dhe duhet t’i zgjidhim bashkarisht, sepse ju i dini më mirë se kushdo tjetër, sidomos ato detaje që na bllokojnë punën. Do të kemi takime konsultative vazhdimisht me ju, për të arritur në konkluzione sa më të mira për punën tuaj të përditshme. Nuk po sjell asgjë të re dhe nuk po bëj asgjë të veçantë, por po përpiqem të tërheq vëmendjen se shërbimi ndaj komunitetit të biznesit është shumë i rëndësishëm. Shteti ka nevojë që t’i zhvillohet ekonomia. Nuk ka të ardhme, nuk ka progres dhe nuk ka as drejtësi pa një zhvillim ekonomik. Nëse komuniteti i biznesit është aktiv dhe paguan taksa, është e sigurtë që edhe drejtësia do të funksionoj më mirë. Unë mbetem përkrahës i një trajtimi shumë më të mirë financiar të gjyqtarëve nga sa është deri më sot, madje mendimi im, është që paga e gjyqtarit duhet të jetë mundësisht një lekë më shumë se sa paga e Presidentit të Republikës. Unë jam për pavarësinë e gjykatës që është mbi çdo pushtet politik. Gjykata që është mbi plaët është gjykata që ka nevojë Shqipëria. Unë jam i angazhuar që ta ndërtoj këtë gjykatë hap pas hapi dhe është e sigurtë që nuk ka për të qenë e thjeshtë, por sidoqoftë ne duhet ta arrijmë ta ndërtojmë këtë standard.