Takimi tek ZQRPP, Ministri Manjani paralajmeron masa të ashpra ndaj parregullsive. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/11/2015

Takimi tek ZQRPP, Ministri Manjani paralajmeron masa të ashpra ndaj parregullsive.

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka zhvilluar sot një takim në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku të pranishëm ishin drejtues të zyrave vendore të të gjithë territorit.

Pas një prezantimi të shkurtër nga ana e Kryeregjistruesit z. Ilirjan Muho, mbi ecurinë e punës dhe arritjet e institucionit gjatë këtij viti, Ministri Manjani ka dhënë mesazhin e tij për të gjithë drejtuesit e zyrave vendore, duke paralajmëruar për masa të ashpra, veçanërisht referuar rasteve të zvarritjeve të paarsyeshme.

Z. Manjani ka tërhequr vëmendjen për më shumë angazhim në rritjen e cilësisë ndaj shërbimit qytetar, duke theksuar se ai do të luaj një rol mbështetës në çdo aspekt institucional por njëkohëisht në rast të abuzimit me detyrën, nuk do të ketë tolerim për askënd.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

 

“Të mos kemi asnjë iluzion që kemi ndonjë situatë të pëlqyeshme. Besueshmëria është e ulët dhe unë i kuptoj vështirësitë në cilësinë e shërbimit. Duhen bërë disa ndërhyrje, por është e papranueshme mungesa e “njerëzillëkiut”. Kemi edhe sinjalizime konkrete. Psh, sot e kam nisur ditën e punës me një ankesë, aplikim për një kartelë që në vitin 2013 dhe nuk është marrë ende sot. Është e papranueshme që aplikuesi mos të ketë marrë ende një zgjidhje. Jam i bindur që bëhet për arsye korrupsioni. Reforma e ADISA-s do të jetë jetë një shërbim më vete, por është e papranueshme që ne mos t’i kthejmë përgjigje qytetarit dhe ky është një problem i përhershëm. Ju e dini shumë mirë që kjo nuk është zyrë që ndan toka dhe as prona. Ne jemi thjesht një magazinë inventari titujsh, që i shërben njerëzve sipas nevojës. Sepse nëse vërtetë do të konstatoja që në Zyrat Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ndahen tituj, sigurisht të pamerituara, ju siguroj me bindje që për sa kohë të jem në këtë pozicion nuk kam për të lënë njeri, me çdo mjet, që të shërbejë në ZRPP. Kemi një godinë tjetër, gjithashtu nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, që është 313, këtu afër, kemi shërbim me çelësa në dorë. E kam të papranueshme këtë gjë, jo vetëm unë personalisht por edhe qeveria, shteti dhe shoqëria shqiptare. Mos mendoni se unë e kam fytyrën më të pastër nëse ZRPP akuzohet. Jo, akuzohem edhe unë bashkë me ju. Prandaj dhe e kam marrë si sfidë këtë punë. Është gjithashtu edhe sfidë politike, unë jam njeri i politikës, por nuk dua ta fus në hullinë politike këtë diskutim, por dua të kuptojmë njëri- tjetrin dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi. Të shërbejmë në kohë dhe me cilësi, aq sa mundemi. Nuk e keni idenë e telefonatave, mesazheve dhe emaileve që na vijnë çdo ditë, shto këtu edhe denoncimet e medias përditë në emisionet e mëngjesit. Nuk e di fare nëse është e vërtetë apo jo. Pas gjykatave, në Shqipëri, ZRPP goditet po njësoj. Në vend  që të merremi me gjykatat, që janë një pushtet i pavarur dhe ne jemi duke ndërmarrë një reformë në drejtësi që duhet ta bëjmë për këtë punë, për të shërbyer më mirë, ne detyrohemi të shfokusojmë vëmendjen për t’u fokusuar aty ku problemi është real: tek Zyra e Regjistrimit të Pasurive. E provofshi të gjithë këtë vend ku jam unë. Ju siguroj që është një barrë e jashtëzakonshme, sepse përballem me opinionin publik. Ju nuk e ndjeni shumë, sepse në fund të ditës mbyllni zyrat dhe secili sheh axhendën e jetës së tij, por ju them me bindje se në rolin që unë kam është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. E dimë se dixhitalizimi do të zgjidhë shumë gjëra, por deri atëherë, ju lutem shumë shërbeni njerëzisht, modestisht dhe sipas rregullit. Duhet t’i jepni secilit zgjidhje në kohë. S’mund të kesh përjetësisht barrën e provës, ndaj është shpikur ZRPP-ja, pasi kjo na çon tek zvarritjet. Në momentin që e ke pranuar dokumentacionin, e ke ti si punonjës barrën dhe jo qytetari. Ose mos i pranoni aplikimet derisa të jenë të plota dokumentet. Për çdo aplikim, duhet të publikoni listën e dokumentave, ashtu edhe për një regjistrim fillestar çfarë duhet, të qarta, që mos të vijë personi tek dera pa e ditur çfarë duhet të ketë. Kjo është transparencë! Kam miratimin total të Kryeministrit, të Kryetarit të Parlamentit, që nuk do të ketë asnjë tolerancë. Dua ta përçoj këtë mesazh, për të kuptuar që çështja është shumë serioze. Po ju them fjalë shumë të rënda zyrtarëve që nuk janë nën hyqmin e qeverisë, sepse i meritojnë, por ama për pjesën e qeverisë duhet thënë se mungesa e tolerancës bëhet vetëm në emër të punës. Afatin e kthimit të përgjigjes e keni të qartë. Ose jepuni të drejtën qytetarëve që të shkojnë në gjykatën administrative dhe të gjejnë të drejtën, por ama mos i lini pa përgjigje. Sot ne duhet të ishim duke diskutuar procese më të rëndësishme që kanë të bëjnë me modernizimin e sistemit dhe jo me shërbimet. Të gjithë ankohen për ju, edhe noterët edhe ALUIZNI, etj. Konkretisht për disa rrethe si Shkodër, Lezhë, Vlorë, Fier ka ankesa për vonesa në titujt e pronësisë, pra zyrë me zyrë, shtet me shtet, e jo më me qytetarët. Përgëzoj zyrën e Tiranës që pas një procesi bllokimi rifilloi punën me 300 tituj pronësie dhe nuk është e lehtë të përballohet ky volum pune. Mua me keni mbështetës në çdo aspekt institucional. Luftoj unë atje ku duhet të luftoj që juve të keni kushtet optimale, po të jeni të bindur se do të pastrohen njerëzit që nuk e kryejnë punën. Kjo është e patolerueshme dhe është sfidë e shtetit shqiptar. Lexoni progres raportin se çfarë thotë për ju, deri në Bruksel ju ka vajtur nami. Na pëlqen të flasim shumë për transparencë, antikorrupsion, por problemi është kompleks, sepse kapja me lekë në dorë është fundi i historisë. Çështja është që të ndërtojmë një marrëdhënie që gjërat të funksionojnë. Do të ketë masë ekstreme të largimit nga puna për cilindo që shkel afatet në shërbim. Po kërkoj vetëm afate dhe asgjë tjetër. Nuk mund të kemi marrëdhënie pune me njerëz ç’njerëzorë. Dhe mos u frikësoni se po na ikin disa dhe nuk kemi se ku t’i gjejmë. Po po, do ikin disa. Kujdes edhe nga këto tradicionalet që sa ikin nga shërbimi shkojnë tek kioska përballë zyrës. Janë të gjithë në monitorim! Është e papranueshme! Secili është i lirë që në biznesin e vetë të bëjë çfarë të dojë por nuk ka punë me ZRPP. Sot kemi të rinj dhe të reja sa të duash, që ndoshta mund të mos jenë profesionalisht në nivelin që duhet, por me një program trajnimi dhe angazhimi në këtë shërbim mund ta bëjnë këtë punë shumë mirë. Kështu që nuk ka asnjë shtrëngesë burimesh njerëzore dhe as burimesh financiare, sepse jeni zyrë që akumuloni të ardhura që sigurisht një pjesë e mirë e tyre duhet t’ju mbesin juve për t’i gjeneruar në favor të përmirësimit të kushteve të mira në punë dhe shpërblimit të mirë, patjetër që po. Pra, nuk kam asnjë mesazh tjetër, shërbeni dhe vetëm shërbeni”, u shpreh z. Manjani.