Mesditën e sotme Ministri i Drejtësië, z, Ylli Manjani, zhvilloi një takim me gjithë drejtuesit e sistemit të burgjeve në vend, për të diskutuar nga afër disa nga shqetësimet dhe problematikat e sistemit, por edhe prioritetet e punës.
I pranishëm gjatë këtij takimi ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, z. Valmir Hoxha, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në këtë takim të parë me përfaqësuesit e këtij sistemi, Ministrit Manjani e vuri theksin tek rëndësia e ofrimit të shërbimit në standarde të larta dhe me transperencë.
“Jam njohur me punën tuaj përmes shkresave dhe kontakteve zyrtare, por doja që fillimisht ta shohim njëri- tjetrin në sy, miqtë e mi, sepse ka ardhur një pikë që “nuk mban më ujë pilafi”. Dhe ju e dini shumë mirë se për çfarë pilafi e kam fjalën. Është ai që kemi gatuar të gjithë së bashku, kush më pak e kush më shumë, që ka ardhur pika tani që s’e ha më askush. Sepse juve i shërbeni njerëzve. Edhe ata që janë të dënuar edhe ata që janë të paraburgosur janë njerëz, prej mishi dhe prej gjaku. Kanë edhe ata liritë dhe të drejtat e tyre për aq sa ua jep ligji, detyra juaj është të shërbeni. Është në misionin tim si Ministër i Drejtësië që të merrem me shërbimet dhe do merrem seriozisht me shërbimet. E fillova punën time me njërin nga kolegët tuaj, që të themi të vërtetën deshëm ta bënim shembull dhe për fat të keq, duhet ta them këtë, ka ende shembuj të tjerë që mund të bëhen. Dhe ju lutem, hiqni dorë nga shërbimi jo i duhur. Dua të shihem me secilin prej jush në sy. Hiqni dorë nga lokalet e shërbimit, nga kontratat dhe historirat që fillojnë që nga çmimi i çamçakëzit e deri tek gjërat e sigurisë. Dhe është institucioni më i mbikqyrur në këtë vend. Ju e dini shumë mirë, nuk po ju them ndonjë sekret, që është më i mbikqyruri. Unë nuk dua të bëj katrahurën, apo katastrofën, as nuk dua të krijoj asnjë panik dhe as jam këtu për të bërë populizëm. Futem tek ata njerëz që me politikë merren, por populizmin e urrej, për hir të së vërtetës. Ju lutem shumë, shërbeni! Unë nuk kam shumë mesazhe për të dhënë, vetëm shërbeni. Moria e ankesave për disa prej jush edhe nga punonjësit tuaj, nga vartësit që keni, është e madhe, e jashtëzakonshme. Kam firmosur dje dy urdhra, që përcaktojnë përfundimisht, njëherë e mirë, kriteret profesionale, teknike, fizike dhe etike për çdo punonjës burgu, qoftë civil, qoftë pjesë e policisë së burgjeve. Historia që në këtë institucion të vazhdojmë të bëjmë ‘bamirësi’ qoftë edhe për interesa politike, ka marrë fund. Sa të jem unë ministër kjo s’ka për të ndodhur. Kush është i zoti do ta meritojë atë rritje, kush nuk është i zoti “Mirupafshim”, të ushtrohen në aktivitete të tjera. Njerëzit që sot janë jashtë dyrve tona, profesionistë apo edhe të shkolluar jashtë, që presin të kontribuojnë në administratën publike, është e madhe. S’ka të pazëvendësueshëm! Kështu që në këtë pikëpamje të jemi korrektë dhe t’i zbatojmë ato kritere. Kisha sot një person, i cili kishte një diplomë dhe profesion, që nuk dua ta identifikoj tani, por e konsumova me Drejtorin e Përgjithshëm, i cili pengohej sipas atij- deri diku edhe mund të ketë të drejtë- nga dikush që qenka sipas tij deputet, sepse deputeti paska prevalencë. Harrojeni! Profesionisti është prevalenca jonë. Kush di të punojë është i mirëseardhur. Kush nuk di të punojë, “Mirupafshim”. Nuk kemi asnjë detyrim ndaj askujt por vetëm ndaj ligjit. Po flasim për një institucion të sigurisë kombëtare. Ju kërkoj njëmijë herë ndjesë, juve dhe opinionit publik, nëse këto fjalë janë më shumë sesa duhet apo rëndojnë dikë më shumë sesa duhet, por në një institucion të sigurisë kombëtare, të merremi me histori punësimesh, rekrutimesh, në vitin 2015, për mua është e papranueshme, por do të merremi. Sot unë e desha këtë takim edhe për të ndarë disa konsiderata që, dua t’i bisedojmë, sepse jemi edhe në mes të një situate që ju e dini shumë mirë që ka të bëjë me sigurinë kombëtare, për shkak të terrorizmit global, ku shteti shqiptar është pjesë e Koalicionit Anti-Terror dhe ku kërkohet vëmendje maksimale. Dhe në kulmin e kësaj historie të rrimë tani e të merremi me faktin, se a u bë apo s’u bë tenderi i koncensionit apo kontratës së qerasë së shërbimit të lokalit të burgut X apo Y, apo u futën apo s’u futën thika apo pirunj nëpërmjet këtij lokali. Ju lutem, unë këtë nuk dua ta diskutoj fare. Refuzoj ta mendoj! E kam shumë të vështirë, ma besoni, t’i përgjigjem sot pyetjes se kush e bën ligjin në këtë vend: burgu apo “jashtë burgut”? Ta kuptojmë, ta shohim njëri- tjetrin në sy dhe të mos i kemi asnjë hak dhe asnjë hile edhe ditën që ne s’jemi këtu. Kam ndërmend që t’i përdor të gjithë instrumentat që kam në dorë për këtë punë. Kam alertuar të gjitha shërbimet e mundshme për të qenë të vëmendshëm në këtë histori. Kam folur me disa prokurorë dhe shumë shpejt do flas edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, për të qenë edhe ata solidarë në këtë histori. Sepse nuk kemi ndërmend të harxhojmë frymë dhe kohë me historira që na lodhin të gjithëve. Mendojeni veten që jeni mini- Kryetarë Bashkish në ato sektorë që shërbeni, se praktikisht kjo është puna juaj: të merreni me gjithçka. Ashtu siç një Kryetar Bashkie i shërben qytetit, ashtu edhe një Drejtor Burgu duhet t’i shërbejë burgut, institucioni ku shërben, sepse u shërbehet njerëzve dhe ata janë 24 orë në 24 në dorën tuaj. Nuk shkon kjo histori, që të katandiset institucioni i sigurisë kombëtare me çështje tenderash, apo kush bën tenderin. “Tenderokracia” është problem i madh, jo vetëm të burgjet, të jemi realistë-nuk është se ndodh hataja këtu, ndodh gjithandej. Në tërësi administrata publike prej vitesh është zhytur në “tenderokraci” dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje, ku fjala kompetencë dhe detyrë nënkupton tenderin. Çfarë janë këto historira?! Kështu që nga kjo pikëpamje unë dëshiroj të falenderoj pjesëmarrjen tuaj, edhe pse me tërheqje vëmendje, por ju lutem shumë ta kuptoni këtë si diçka pozitive. Si një shans që i japim njëri- tjetrit për të punuar bashkërisht dhe për të nderuar institucionet e vuajtjes së dënimeve. Sigurisht, që kemi probleme infrastrukturore dhe buxhetore, probleme me të cilat ne do merremi. Kemi projekte, siç është ideja e burgut të hapur, të cilat ne do t’i trajtojmë dhe janë planifikuar që në këtë buxhet për vitin e ardhshëm. Do të duhet të merremi me përparësi me çështjen e trajtimit të të dënuarve apo të burgosurve me probleme mendore – është një histori që vazhdon prej vitesh në Shqipëri dhe që duhet ta trajtojmë. Mendoj që e kemi vënë në rrugën e zgjidhjes. Do marrë edhe kjo kohën e vet, por sigurisht ne do t’i japim gjithë përparësitë e nevojshme. Por problemet nuk janë arsye për të justifikuar sjelljen e gabuar. Absolutisht jo! Të sjellurit në mënyrën e duhur është detyrë. Siç i kërkojmë sot kryetarëve të bashkive të jenë të njerëzishëm me njerëzit, absolutisht të njëjtin kriter kanë edhe për ju. Të jemi të njerëzishëm, të ndihmojmë njëri- tjetrin dhe të kryejmë shërbimin ashtu siç duhet.”
Më tej, mbledhja e punës vijoi me dyer të mbyllura. Ministri i Drejtësisë, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, u ndalën në analizimin e çështjeve konkrete të punës së përditshme në burgje dhe sfidat e mëtejshme.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.