Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka pritur në një takim Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Italisë z. Andrea Orlando, i cili ka zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë, së bashku me z. Franco Roberti, Prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane.
Gjatë takimit, dy homologët kanë diskutuar mbi projektet të cilat do të thellonin më tej bashkëpunimin e ndërsjelltë në fusha me interes të përbashkët, ndërkohë që një rëndësi e veçantë iu dha edhe procesit të transferimit të shtetasve shqiptar nga institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale në Itali, çështje për të cilën palët u shprehën dakord për një plan pune të përbashkët.
Në përfundim të takimit, Ministrat Manjani dhe Orlando gjatë një konference për media, bënë prezente disa nga çështjet kryesore mbi të cilat kanë dakortësuar të thellojnë marrëdhëniet bilaterale.
Gjatë konferencës për media z. Manjani shprehu kënaqësinë që së bashku me Ministrin Orlando takoi edhe Prokurorin Kombëtar të Antimafias dhe Antiterrorizmit të Republikës Italiane.
Lidhur me Reformën në Drejtësi, Ministri Manjani e vuri theksin në rëndësinë që i duhet dhënë veçanërisht drejtësisë penale, për të cilën mund të përfitohet edhe nga përvoja e Italisë.
Gjithashtu, ndër të tjera z. Manjani njoftoi se do të krijohen mundësitë për mbështetjen e dhomave kombëtare noteriale në të dy anët e kufirit, si për shtetasit shqiptarë dhe për ata italianë, për standarte të përbashkëta, për një shërbim të vetëm.
Ministri i Drejtësisë së Italisë, z. Orlando, bëri me dije për median së gjatë këtij takimi u diskutuan çështje që lidhen me bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar si dhe luftën ndaj parandalimit të fluksit të emigracionit klandestin.
“Jam i lumtur që jam i pari Ministër i huaj që takon z. Manjani dhe urimi i vetëm është që këto takime të jenë të frytshme si sot. Edhe ne jemi duke përjetuar një sistem reformash të mëdha dhe jemi të interesuar të jemi përkrah atyre që kanë sfida të ngjashme me ne. Jemi përballë një sfide të rëndësishme që mund të arrihet nëpërmjet shkëmbimit të të dhënave.”, tha Ministri Orlando
Ministri Orlando i është përgjigjur interesit të medias mbi letrën kërcënuese në adresë të ti, që dyshohet se mban autorësinë e organizatës ISIS.
“Duhet të pyesni ata që më kanë bërë këtë dhuratë për Krishlindje. Përveç shakasë, Italia ka adoptuar masa të ndryshme në luftën kundër terrorizmit xhihadist. E them me siguri se do të vijojmë luftën kundër këtyre vrasësve kriminelë. Ndaj, kjo është dhe arsyeja se pse jam këtu, për çuar së bashku përpara këtë luftë”, u shpreh z. Orlando
Gjatë kësaj konference, Ministri Manjani është ftuar nga media të japi një koment të parë lidhur me raportin e Komisionit të Venecias mbi draftin e ndryshimeve të propozuara nga Komisioni i Posaçëm për reformën në drejtësi.
“E njoh veten për konsistent në një gjë, konsensusin sa më të madh për reformën. Raporti i Komisionit të Venecias që ka dalë sot, ka “supertheksuar” konsensusin për këtë lloj reforme”, tha z. Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.