“Opinioni i Komisionit të Venecias”- Grupet e interesit, tryezë diskutimi publik - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/12/2015

“Opinioni i Komisionit të Venecias”- Grupet e interesit, tryezë diskutimi publik

 

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka marrë pjesë ditën e sotme në tryezën e diskutimit publik me temë “Reforma në sistemin e drejtësisë nën dritën e opinionit paraprak të dhënë nga Komisioni i Venecias”.

Në këtë tryezë të organizuar nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, u mblodhën së bashku profesionistë dhe aktorë të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë ndarë pikëpamjet e tyre rreth procesit të reformimit dhe opinionit paraprak të Komisionit të Venecias.

Gjatë këtij diskutimi kanë dhënë argumentat e tyre përfaqësues dhe drejtues të grupeve të interesit të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë, ku ndër të tjera është është dakortësuar mbi nevojën e reformimit të sistemit.

Gjithashtu të pranishmit në këtë diskutim publik kanë përshëndetur rolin e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani për angazhimin e tij që kjo reformë të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

Nga ana e tij, Ministri Manjani gjatë fjalës në nisjen e këtij aktiviteti u shpreh se zgjidhja më e mirë që do të garantonte një reformë të thellë dhe të qëndrueshme në drejtësi, është që të gjithë aktorët e sistemit të punojnë sëbashku.

“Unë kam patur dhe kam bindjen e thellë që çatinë në një shtëpi e rregullojnë më së miri banorët e shtëpisë. Ata e dinë më mirë ku pikon çatia. Kushdo që përpiqet të rregullojë çatinë e dikujt tjetër, nga jashtë mund ta bëjë bukur, mund ta bëjë me investime të mira apo kolosale, por nëqoftëse shtëpia, tavani vazhdon të pikojë, nuk kemi bërë asgjë mirë. Kështu që nga kjo pikëpamje gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, prokurorët, avokatët, punonjësit e institucioneve të dhënies së drejtësisë në tërësi janë ata që e dinë ku pikon çatia e shërbimit ligjor më mirë se kushdo tjetër. Në filozofinë tonë të përbashkët besoj se zgjidhja me e mirë që ne të ndërmarrim një reformë të thellë ose të qëndrueshme në drejtësi, është të punojmë sëbashku. Ne nga jashtë dhe ju nga brenda. Ju nga brenda jeni shumë më të rëndësishëm sepse çdo vendim gjykate dhënë drejtësisht, me trasparencë dhe në kushtet e zbatimit korrekt të ligjit, është më i mirë se çdo ligj tjetër. Vendimi i gjykatës është ai që orienton drejtësi, është ai që orienton ligjzbatuesin. Prandaj ne nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes së reformës këtë shërbim kaq të çmuar. Dua të bëj dhe një thirrje publike për të gjithë trupën gjyqësore dhe për të gjithë trupën e prokurorëve, që të mos shfokusohen për asnjë arsye në kryerjen e misionit të tyre Kushtetues. Diskutimet për reformën në drejtësi do të ndodhin dhe kjo është pjesë e axhendës publike të shtetit, por ndërkohë të mos harrojmë që janë po këta gjyqtar dhe po këta prokurorë që arrestojnë, gjykojnë dhe dënojnë përsona në këto çaste që flasim. Janë po këta avokatë që i shërbejnë komunitetit me profesionalizmin e tyre. Të mos shfokusohemi nga asnjë situatë apo deklaratë, por ju lutem shumë merrni përgjegjësinë kushtetuese për të kryer funksionin tuaj, në bazë të ligjit dhe në bazë të provave dhe fakteve që administrohen në sallat gjyqësore. Shërbimi duhet të vazhdojë pavarësisht diskutimit apo debatit që mund të vijë në tryeza jashtë gjyqësore apo jashtë shërbimit të prokurorisë. Jam i lumtur që konstatoj edhe përpara se të vija këtu sot në këtë tryezë, që vetë komuniteti i juristëve është i interesuar mësë shumti sesa kushdo tjetër që të distancohet nga praktika abuzimi dhe korrupsioni. Duhet të kuptojmë që në shërbimin gjyqësor ka njerëz prej mishi dhe prej gjaku, me familje, me halle, njësoj si të gjithë, ndaj “mos t’i fusim të gjithë në një thes”. Thirrja ime e fundit është që të vazhdoni të ushtroni detyrën kushtetuese për të dhënë drejtësi”, u shpreh Ministri Manjani.