Ministri Manjani prezanton drejtorin e ri të ZVRPP Lezhë, z. Ardian Simoni - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/01/2016

Ministri Manjani prezanton drejtorin e ri të ZVRPP Lezhë, z. Ardian Simoni

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka prezantuar sot drejtorin e ri të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, z. Ardian Simoni.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Manjani ka ashpërsuar tonet ndërsa ka theksuar rëndësinë e këtij shërbimi, duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel ligjin dhe se askush dhe për asnjë arsye nuk duhet të mendojë se gëzon “mbrojtje”.

“Ditën e parë të punës, kur jam zgjuar Ministër, në një emision mëngjesi, ka marrë në telefon një qytetar nga Lezha dhe shprehu konsiderata aspak të mira për zyrën tuaj. Ky ka qenë kontakti im i parë zyrtar-virtual me ju. Pasi pyeta Kryeregjistruesin, bëmë një analizë dhe më rezulton se ka një “shpartallim” të organizmit të punës. Një zyrë “të shpartalluar” në këtë farë pike nuk e pranoj! Nuk kam asgjë personale me asnjërin prej jush këtu, por jam i bindur se institucioni së pari ka fytyrën e drejtuesit. Kam insistuar për Ardian Simonin sepse doja të kishim një profesionit që ta mbledhi këtë situatë. Është e papranueshme që të mos i shërbejmë njerëzve. Mund të kemi shumë problem, por e kam të vështirë të kuptoj se përse psh, ZVRRPP Lezhë nuk komunikon me ALUIZNIN Lezhë… Askush nuk ka mbrojtjen e askujt! Detyra jonë është të shërbejmë. E kam të vështirë të kompromentoj veten time, Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë skemën e ZRPP-së me histori thashethemesh apo edhe të vërtetash, që nuk e kanë mbrojtjen e Ministrit të Drejtësisë dhe madje as përmbi Ministrin e Drejtësisë”, u shpreh z. Manjani

Z. Manjani ka tërhequr edhe njëhërë vëmendjen në lidhje me shkeljen e afateve procedurale për të cilat nuk do të ketë asnjë tolerancë, ndërsa po kaq me rëndësi vlerësoi edhe komunikim me çdo qytetar.