I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, të nderuar akademikë,
Të nderuar kolegë drejtues të institucioneve shtetërore,
Miq juristë,
Zonja dhe zotërinj,
Sot kam kënaqësi të veçantë t’i drejtohem kësaj Konference që mbledh ajkën e studiuesve shqiptarë të së drejtës, përtej çdo kufiri. Në radhë të parë, më lejoni të përshëndes gjithë studiuesit tanë të diasporës, të cilët teksa çajnë suksesshëm profesionalisht në vendet ku jetojnë nuk harrojnë ta kthejnë kokën edhe pas për t’u rilidhur me rrënjët e tyre dhe për të reflektuar mbi nevojat që ai ka në këtë moment historik shtetndërtimi.
Mirënjohje e veçantë sigurisht për të gjithë folësit e kësaj konference që japin kontributin e tyre profesional çdo ditë rregullisht në institucionet e arsimit të lartë në vend dhe më gjerë. Së treti, një falënderim i sinqertë i një rëndësie krejt tjetër ky, lipset patjetër për Akademinë e Shkencave, profesorë të nderuar para të cilëve pavarësisht pozitës profesionale të cilësdo fushe, mbetemi gjithnjë studentë. Meriton vërtet vlerësim fakti që përmes mbajtjes së kësaj konference shkencore mbarëkombëtare, Akademia jonë e nderuar tregon se ka ditur të ngrejë ura ku dijet dhe kapacitetet njerëzore mund të shkëmbejnë lirshëm, pa pengesë, për çështje të interesave të përbashkëta madhore kombëtare.
Pa dyshim, shteti i së drejtës është në krye të kësaj liste, veçanërisht sot, në një moment kur rrugëtimi evropian i Shqipërisë po bën gjerësisht pjesë të përditshme të punës sonë si njerëz të së drejtës, por edhe mendësisë sonë si qytetarë. Kjo aspiratë e jona dhe ky angazhim i yni kundrejt vlerave të mirëqeverisjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut në të gjithë historikun e shkurtër, por dinamik të sistemit tonë demokratik, janë tashmë të pandashme nga fati historik i Shqipërisë. Në emër të këtij rrugëtimi, shtetndërtimi shqiptar ka marrë një kthesë të pakthyeshme drejt ndërtimit të një sistemi të reformuar të drejtësisë dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit.
Reforma në drejtësi, përmes instrumentit të vettingu-t dhe të organeve të reja të luftës kundër korrupsionit po hap një epokë tjetër të vendosjes së themeleve solide të shtetit të së drejtës. Pas një 5-vjeçari shumë intensiv dhe dinamik, tashmë kemi hyrë në fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi: asaj të konsolidimit të institucioneve të reja përmes rritjes së efiçencës, qeverisjes së pavarur dhe llogaridhënies në drejtësi, me një sistem gjyqësor dhe prokurorial të aksesueshëm, transparent dhe efikas, me një sistem drejtësie penale që mbron dhe respekton të drejtat e njeriut, të përafruar me standardet evropiane. Më në fund po fillojmë të vjelim frytet e një pune e cila tashmë i afrohet gjithmonë e më shumë qytetarëve, për të treguar edhe njëherë se fokusi i kësaj qeverie janë në të vërtetë ata.
Në këtë fazë të dytë, prioritet mbetet plotësimi i vakancave në organet e sistemit të drejtësisë. Kriteret për kualifikimin e aplikantëve janë konceptuar që në fillesat e reformës si të arritshme vetëm nga kandidatë të një profili serioz dhe të denjë për një sistem të riorganizuar të drejtësisë. Paralelisht me adresimin e nevojave imediate të sistemit, kemi shtrirë vizionin tonë drejt modernizimit të sistemit të drejtësisë për periudhën në vijim të zbatimit të kuadrit strategjik për drejtësinë. Ngritja e një sistemi tërësor të integruar të manaxhimit të çështjeve dhe digjitalizimi i shërbimeve gjyqësore, duhet të marrë rëndësi primare, pasi shërbimet gjyqësore nuk mund të mbeten pas, krahasuar me revolucionin digjital në ofrimin e shërbimeve publike nga të gjitha strukturat e tjera publike.
Natyrisht që puna jonë në forcimin e shtetit të së drejtës, nuk mbaron me garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur, me integritet, efiçent e llogaridhënës, por me krijimin e hapësirës për funksionim një administrate publike e cila është po aq e përgjegjshme dhe e dedikuar ndaj nevojave të qytetarëve.
Që nga viti 2017 kur morëm rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit e deri më tani, është miratuar një korpus i tërë ligjor dhe është ngritur një arkitekturë e tërë institucionale për të mundësuar hetime administrative të mirëfillta, profesionale dhe të targetuara të cilat adresojnë shqetësimet e publikut. Megjithatë, përtej gjithë punës që është bërë deri në momentin që flasim për avancimin e luftës kundër korrupsionit, edhe më i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës është fakti se tashmë kemi një revolucion të mirëfilltë digjital në vend, i cili ka mundësuar që tashmë prej 1 majit të gjitha shërbimet të ofrohen online, duke bërë që Shqipëria të mbajë vendin lider në rajon për digjitalizimin e shërbimeve dhe qasjes në ofrimin e tyre sa më shpejt dhe pa kosto.
Ka shumë për të thënë për gjithë sa është bërë deri më sot, jo vetëm në sajë të vizionit të Qeverisë Shqiptare, por veçanërisht për hir të të gjithë atij stafi teknik të madh në numër që punon për të avancuar luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjen për reformimin e drejtësisë. Megjithatë, patjetër shumë ka ende për t’u bërë dhe syri kritik na shërben për t’i përmirësuar sipërmarrjet që ndikojnë jetën e të gjithëve ne. E kush më mirë mund ta ofrojë këtë konstruktivitet dashamirës sesa ju, elita akademike e së drejtës në vend…
Thënë kjo, unë kam bindjen e fortë se ky reflektim i përbashkët që do të pasojë me punimet tuaja të nderuara, do të rifkonfirmojë se i përkasim të gjithë në fakt të njëjtit kampi: atij që e dëshiron Shqipërinë një shtet ku sundon e drejta, ku punohet me sytë nga e ardhmja evropiane. Këto përpjekje nuk kanë finalitet, ato janë një proces. Duke u bashkuar në këtë interes madhor për veten dhe akoma më shumë, për fëmijët tanë, uroj që pas punimeve dy-ditore të kësaj konference të vijojmë rrugën në këtë proces duke parë së bashku edhe më intensivisht nga e ardhmja, besimplotë e me përgjegjësi, secili sipas detyrës së tij modeste, drejt institucionalizimit dhe përqafimit të kulturës së integritetit dhe drejtësisë si vlerë në shoqërinë shqiptare.
Ju falënderoj për hapësirën dhe ju uroj punime të mbara!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.