Lufta kundër korrupsionit Ministri I Drejtësisë takon Presidentin e ANAC - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/03/2022

Lufta kundër korrupsionit Ministri I Drejtësisë takon Presidentin e ANAC

Lufta kundër korrupsionit Ministri I Drejtësisë takon Presidentin e ANAC

Manja: “Shërbime cilësore për qytetarët dhe zero tolerancë për çdo zyrtar që abuzon”

Busia: “Korrupsioni ndryshon dhe përshtatet në kohë, duhen armë të reja për parandalim”

 

“Lufta kundër korruspionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar” ka qenë tema e tryezës që ka mbledhur sot në një konferencë, Ministrin e Drejtësisë dhe Koordinatorin Kombëtar kundër Korruspionit së Shqipërisë, z.Ulsi Manja, Presidentin e ANAC,  Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion në Itali, z. Guseppe Busia si dhe një sërë krerësh të institucioneve shqiptare si Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Arben Shehu, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, z.Besnik Dervishi, Drejtoreshën e Agjencisë së Prokurorimit Publik, Reida Kashta, etj. Konferenca u parapri nga një takim I ngushtë mes z.Manja dhe z.Busia. Shkëmbimi I eksperiencave të luftës kundër korrupsionit në të dy vendet, risitë dhe bashkëpunimi, ishin disa nga pikat e diskutimit mes dy zyrtarëve. Z.Busia u shpreh I hapur për mbështetjen e institucionit që ai drejton në adresë të institucioneve shqiptare me fokus luftën ndaj korrupsionit. Ndërkohë në fjalën e tij përgjatë konferencës, Ministri I Drejtësisë ka theksuar se: “Lufta kundër korrupsionit është prioritet mbi prioritetet për Qeverinë Shqiptare. Për pasojë dhe vëmendja kushtuar nga Koordinatori Kombëtar angazhimeve në luftën kundër korrupsionit është shumëfishuar, si në kapacitete institucionale, ashtu edhe në politikat e masat konkrete që kemi ndërmarrë e po ndërmarrim”.  Më pas ai ka bërë një ekspoze të punës disa mujore të Drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë duke theksuar se megjithëse një kohë e shkurtër, kanë nisur rezultatet. “Në sajë të punës hetimore kemi dërguar brenda kësaj kohe më shumë se 15 kallëzime penale dhe kemi kërkuar hetimin disiplinor të mbi 100  zyrtarëve”, ka thënë z.Manja duke shprehur besimin se institucionet ligjzbatuese do t’I trajtojnë me seriozitetin e duhur këto raste si dhe të tjerat që vijnë. Sipas tij objektivi kryesor i kësaj lufte është: “Shërbime cilësore për qytetarët dhe zero tolerancë për çdo zyrtar që abuzon me besimin që i është dhënë për të ushtruar një funksion publik”. Z.Manja ka falënderuar për bashkëpunimin ANAC dhe Presidentin Busia për gadishmërinë maksimale në ndërtimin e marrëdhënieve mes institucioneve si dhe për trainimin e stafit të Drejtorisë Antikorrupsion, si dhe shprehu sigurinë për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Nga ana e tij, Presidenti I Anac, z. Guseppe Busia tha se: “Institucionet tona duhet të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, me një angazhim plotësues, për të kuptuar se korrupsioni ndryshon në kohë, përshtatet gjatë kohës dhe kërkon nga subjektet që merren me të, strategji dhe armë të reja, për ta luftuar dhe parandaluar dhe për të shmangur që sidomos në momentet e vështira të prodhojë pasoja të rënda”. Z. Busia ka bërë një ekspoze të punës së zhvilluar në Itali për luftën ndaj korruspionit, një plagë e vjetër dhe e rëndë kjo për vendin fqinj. “Pra legjslacioni italian është fryt i elementi të dyfishtë, nga njëra anë lufta kundër kriminalitetit dhe kundër korrupsionit tradicional dhe nga ana tjetër hapje e tregut dhe hapje e konkurrencës. Këto dy bashkësi na bëjnë të kuptojmë se cili është objektivi që kemi, ai i menaxhimit të të gjithë të mirave publike në favor të qytetarit”, ka thënë ai. Në fund z.Busia ka listuar edhe ata që preken më së shumti nga ky fenomen: “Viktimat e korrupsionit janë më të dobëtit, korrupsioni godet meritën, godet atë që ka dëshirë të angazhohet. Kjo nuk është e pranueshme dhe kjo e shpërbën shoqërinë dhe krijon mosbesim tek institucionet. Kjo nuk është e pranueshme dhe sfida e vendit tuaj dhe institucioneve tona së bashku është pikërisht krijimi I një mjedisi të hapur, me transparencë dhe me nëpunës publikë krenarë në realizimin e misionit të tyre me interes publik dhe kjo është një rrugë e vështirë, sigurisht komplekse, e gjatë, por është një rrugë që duhet ta bëjmë së bashku, që nuk mund të mos e bëjmë së bashku dhe duam ta bëjmë së bashku”, ka thënë Presidenti i ANAC.

Në fund të konferencës, u shpërndanë ccertifikata për koordinatorët e Drejtorisë Antikorrupsion pranë Ministrisë e Drejtësisë, të cilët u trainuan me ANAC.