Korrupsioni, DPA kallzime të reja në Prokurori
Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, ka bërë publike sot disa prej hetimeve të zhvilluara pas denoncimeve të ndryshme ardhur në adresë të saj.
Kështu, janë kallëzuar në Prokurori katër punonjëse të gjendjes civile në Tiranë. Punonjësja B.H ka realizuar një martesë fiktive duke shënuar në procesverbal si të pranishëm, një person (bashkëshorti) të burgosur. Pas hetimit nga specialistët antikorrupsion rasti është kallëzuar në prokurori për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh nga punonjës I gjendjes civile.
Me të njëjtën akuzë janë kallzuar në Prokurori tre punonjëse të tjera, po të gjendjes civile në Tiranë, S.A, E.T, E.N, të cilat kanë falsifikuar aktet e gjendjes civile duke kryer martesa për të përfituar dokumente. Denoncimi për këtë rast ka ardhur nga një ambasadë mike.
Një tjetër rast I kallzuar në prokurori ka të bëjë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ku Drejtori Rajonal, Përgjegjësi I sektorit dhe specialisti, në raportin e tyre për vitin 2021 nuk kanë referuar një ndërtim bar-restorant brenda parkut kombëtar të Krujës, zonë e mbrojtur. Pas ankesës në Drejtorinë Antikorrupsion, specialistët e saj kanë nisur menjëherë hetimet duke konkluduar me kallzim në prokurori për këta persona për shpërdorim detyre si dhe në kërkesën për fillimin e ecurisë disiplinore për masën shkarkim nga detyra.
Së fundi, DPA ka rekomanduar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Durrës, fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën Rajonale të Tatimeve D.T, Përgjegjësin e Sektorit D.XH, dhe inspektorin B.L, pasi këta persona pa kryer kontroll fizik kanë gjobitur me 1 milionë lekë një subjekt. Akti është bërë më I rëndë, pasi subjekti është ankuar pranë Drejtorisë Antikorrupsion, dhe personat e sipërmendur sërish pa kontroll e kanë gjobitur edhe me një shifër tjetër prej 3.3 milionë lekësh, jo vetëm duke abuzuar me detyrën, por edhe duke u sjellë në mënyrë arrogante me qytetarin.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.