Deklarata e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në konferencën për shtyp me gazetarët. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/01/2022

Deklarata e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në konferencën për shtyp me gazetarët.

Përshëndetje

Jam këtu sot para jush për herë të parë për këtë vit, për të vijuar me rastet e denoncimit të korrupsionit kallëzuar  nga Drejtoria Antikorrupsion. Meqë po sot ka dalë dhe raporti i Amnesty Internacional mbi perceptimin e korrupsionit, dua të them se kemi filluar ta studiojmë me hollësi dhe seriozitet. Eshtë një shtysë më shumë për punën tonë, megjithëse sigurisht shtysa e parë është shërbimi ndaj vendit dhe shqiptarëve. Do të desha që kjo të vlente edhe për të tjerë aktorë dhe faktorë.

Duke u kthyer në arsyen pse jemi këtu sot, më lejoni fillimisht të bëj një përmbledhje me pak shifra të dy muajve të parë të punës së Drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë që përkon me nëntor-dhjetor 2021:

Gjithsej denoncime janë rreth 200

Kallëzime penale janë 11. Masa administrative janë 48.

Për më shumë, nëse do keni pyetje mund t’i sqaroj në fund të konferencës.

Vazhdojmë.

Ajo çka desha të ndaj me ju sot ka të bëjë me degë të ndryshme të agjencisë së legalizimeve. Nëse do të përdor paksa letërsi do të thosha se nëse presim një kokë, dalin pesë të tjera, si hidra. Eshtë institucioni ku pjestarët e Drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, mjafton të tërheqin një denoncim nga tavolina dhe me të gjitha gjasat aty do të ketë parregullsi që kërkojnë hetim.

Fillojmë me Drejtorinë Vendore të Agjencisë shtetërore të Kadastrës në Durrës.

Që në fillim të herës po them se kemi çuar si masë për shkarkim nga detyra, pothuajse të gjithë drejtorinë, pra praktikisht kemi referuar shkrirjen e saj duke filluar; nga Drejtori i DVASHK Durrës, tek Përgjegjësi i sektorit të legalizimeve, Përgjegjesi i sektorit të Hartografisë dhe Rregjistrimit, Specialisti i sektorit të Hatografisë dhe Rregjistrimit, Përgjegjësi i sektorit të Kalimit të Pronësisë si dhe 10 Specialistë të tjerë të kësaj drejtorie.

Janë 215 dosje për legalizim objektesh që janë marrë në shqyrtim nga inspektorët tanë (vetëm për periudhën gusht-tetor 2021) ku ka rezultuar se në këto dosje mungonin pothuajse totalisht dokumentacionet më të rëndësishme. Një praktikë pune totalisht abuzive dhe fiktive, pa vetëdeklarime për legalizim nga subjektet, pa akte evidentimi në terren, pa kartelë të pasurisë apo statusit juridik, pa harta treguese, pa ortofoto, etj shkelje. Për mua është një guxim i madh, një kompani e gjithë në shkelje, nga drejtori deri tek specialistët, të sinkronizuar si çetë kaçakësh me rroga shtetërore e në mall të qytetarëve shqiptarë. Sa për dijeni:

A: Emetimi  i lejes së legalizimit pa pasur në dosje dokumentacionin e plotë, është në kundërshtim me ligjin.

  1. B) Emetimi i lejes së legalizimit përpara se të bëhet akti i evidentimit në terren, është në kundërshtim me ligjin.
  2. C) Emetimi i lejes së legalizimit pa vërtetuar periudhën e ndërtimit pa leje, është në kundërshtim me ligjin.
  3. D) Emetimi i lejes së legalizimit për objekte të pa qëndrushme, është në kundërshtim me ligjin.

Jo vetëm kaq. Por pasi Drejtoria Antikorrupsion ka tërhequr dosje dhe ka nisur kontrollet, DVASHK e Durrësit është përpjekur të ribëjë dosjen duke e plotësuar me të dhëna të ndryshuara. Kjo gjë e rëndon akoma më shumë, pasi institucioni që është objekt kontrolli nuk mund të bëjë asnjë riformulim të akteve të vëna të dispozicion të grupit të inspektimit.

Në lidhje me këtë raport, Ministria e Drejtësisë ka bërë tashmë kallëzimet penale përkatse si dhe po con dhe shtesa kallëzimesh për këto cështje. Gjithsej kemi konkluduar me një raport prej 386 faqesh për legalizimet e kryera nga ASHK Durrës për periudhën 3 mujore gusht-tetor 2021. Imagjinoni tani jo 3 muaj por 3 vite, e jo një drejtori por 22 drejtori vendore kadastre.

Rasti tjetër që desha të ndaj me ju sot, nga moria e rasteve që marrim në shqyrtim dhe referojmë në prokurori, i takon Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë. Në fakt janë dy raste që i përkasin shtetasve P.D dhe R.D (nuk kanë lidhje gjaku mes tyre) për të cilët është kallëzuar në Prokurori ish drejtori dhe ish përgjegjësi i sektorit të legalizimeve të ALUIZNI-t Sarandë në rastin e parë dhe Ish Drejtori bashkë me, Ish përgjegjësin dhe ish specialsitin e sektorit të legalizimeve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë në rastin e dytë.

Në rastin e parë, pavarësisht vendimit të gjykatës Gjirokastër për pezullimin e procesit të legalizimit dhe kthimin në gjendjen fillestare të situatës, DVASHK ka vijuar me legalizimin e objektit dhe pajisen me lejen përkatëse.

Jo vetëm kaq, por krejt si në mall pa zot, objekti i legalizuar rezulton se nuk i plotëson kriteret urbanistike të parcelizimit dhe ndërtimit sipas studimit të miratuar, duke zënë me ndërtim pjesërisht sipërfaqe të 4 parcelave ndërtimore, si dhe duke zënë rrugën e parashikuar nga studimi urbanistik. Të gjitha këto janë qartësisht kritere që përjashtojnë legalizimin.

Rasti i dytë është sërish një kundërvënie ndaj një vendimi gjykate për sigurimin e masës së padisë mbi një objekt, por me sa duket zotërinjtë e këtyre agjencive e ndjejnë veten edhe mbi gjykatat, ndaj kanë vazhduar hesapet e tyre duke i dhënë qytetarit S.D lejen e legalizimit pavarësisht se godina e legalizuar prekte infrastrukturën rrugore.

Unë këto kisha për të ndarë me ju sot, duke shprehur edhe besimin tim të plotë në punën e prokurorisë për një reagim të shpejtë dhe efikas. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë Antikorrupsion do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe të pandërprerë në zbatimin e ligjit dhe çuarjen para drejtësisë të gjithë abuzuesve me besimin e shtetit dhe qytetarëve.

Faleminderit