Pesë raste të reja janë referuar në Prokurori nga Drejtoria Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp, Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja. Tre prej tyre janë të lidhura me Kadastrën e Durrësit, lidhur me procedurat e legalizimit. „Printohen leje legalizimi duke mos respektuar kërkesat dhe procedurat që kërkon ligji përkatës. Apo më keq, është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe pastaj më vonë janë bërë dhe dokumentat përkatëse që duhet të shoqërojnë dhe një leje legalizimi. Pra data e dhënies së lejes së legalizimit të qytetarit ka një datë të caktuar dhe një javë më mbrapa janë të gjitha dokumentat që janë bashkëngjitur dosjes, në një datë më vonë“, ka thënë z.Manja. Ai ka përmendur po ashtu rastin e një doganieri në Korçë, i cili kishte mundur të hyjë në shërbimin doganor duke falsifikuar dokumnetet e shkollës. Së bashku me të, kanë nisur procedurat e hetimit edhe për noterin publik. Një tjetër rast i referuar nga Ministri i Drejtësisë përpara publikut kishte të bënte me një punonjës të Drejtorisë së Transportit Rrugor në Tiranë, i cili së bashku me një sekser, ofronin shërbimin e shtetit kundrejt rryshfetit. Z.Manja ka ngritur në konferencë për herë të parë, një problem të ri, atë të zgjatjes së lejeve të ndërtimit, ku të përfshirë janë veçanërisht bashkitë e bregdetit. „ Jemi duke trajtuar disa raste abuzive të rifreskimit të lejeve zhvillimore në bashki në vijën bregtetare dhe në përfundim të tyre, nëse do konstatojmë shkelje të ligjit të planifikimit të territorit nuk do të hezitojmë për asnjë sekondë të kallëzojmë penalisht personat përgjegjës që kanë bërë këto shkelje“, ka thënë z.Manja. Ai ka përmendur edhe punën e gjyqtarëve në raste të tilla, të cilët sipas tij, marrin atribute që nuk u takojnë. „Kam vendosur që këtë shqetësim fillimisht t’ja bëj prezent Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe më pas me raste konkrete do i referoj pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra dua ta bëj të qartë si kristali, sa herë do të hasim të tilla vendimarrje nga bashkitë dhe nga gjykata, do të investohem personalisht, për të vënë në lëvizje autoritetet përgjegjëse, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në rastin konkret. Ne jemi pjesë e këtij sistemi ligjor dhe duhet të jemi të parët për ta respektuar ligjin, nëse ne jemi të parët për ta thyer ligjin, mendoni pastaj seç mbetet për të tjerët, prandaj jam i vendosur që çdokush të mbaj përgjegjësit që i takojnë dhe të veprojnë brenda kompetencave që i jep ligji“, ka paraljmaëruar z.Manja.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.