Z. Ulsi Manja: Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion, trajtim i posaçëm financiar
Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, pas mbledhjes së qeverisë ku u kalua projektbuxheti për vitin e ardhshëm, ka bërë publik lajmin për rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e burgjeve.
“Projektbuxheti që sapo kaluam në qeveri, ka dy lajme të mira edhe për Ministrinë e Drejtësisë dhe Luftën kundër Korrupsionit:
Lajmi i parë i mirë, ka të bëjë me rritjen e pagave, në një masë të konsiderueshme, për të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve. Duke i barazuar me gradë dhe me funksion me punonjësit e policisë së shtetit. Një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare”, është shprehur ministri.
Z. Manja ka shpjeguar më pas edhe mënyrën e trajtimit financiar të njësisë më të re antikorrupsion. “Para dy ditëve në mbledhjen paraardhëse të Këshillit të Ministrave, miratuam krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa sot për të ruajtur integritetin e kësaj strukture, u vendos që njësia përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë do të ketë një trajtim financiar të posaçëm, për të mos u tunduar nga korrupsioni. Koordinatorët e rrjetit antikorrupsion, që do të jenë në 47 institucione shtetërore, sipas vendimit të qeverisë, do të jenë të mirëpaguar dhe në strukturë, do të jenë në nivel të barabartë me zëvendësdrejtuesin e atyre institucioneve ku ata do të ushtrojnë funksionet e tyre”.
Z. Manja në përfundim ka njoftuar edhe vlerësimin nga skema e bonuseve për Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë “për performancë të lartë në punë, përsa i përket kodifikimit, hartmit dhe harmonizimit të legjislacionit në Republikën e Shqipërisë”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.