Konferenca “Strengthening criminal justice through close cooperation of justice institutions”.
E nderuar zonja Ambasadore,
I nderuar Prokuror i Përgjithshëm,
I nderuar Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë
I nderuar Drejtues i Prokurorisë së Posaçme,
E nderuar zj. Lakomy,
Të nderuar përfaqesues të institucioneve të drejtësisë,
Pas 5 vitesh, nga miratimi i Reformës në drejtësi, jemi dëshmitare të një pune të jashtëzakonshme jo vetëm në hartimin dhe miratimin e një korpusi të tërë ligjor, por dhe në ngritjen e ngrehinës së re me institucionet e drejtësisë, dhe funksionimin e plotë të tyre, përkundër të gjithë vështirësive dhe pengesave që u vendosën në çdo hallkë të zbatimit të saj.
Tashmë dihet, reforma në drejtësi ishte një nevojë jetike jo vetëm për vetë sistemin e drejtësisë por edhe për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, dhe kjo ishte edhe më e dukshme në sistemin e drejtësisë penale.
Funksionimi i sistemit të mëparshëm të prokurorisë, si një sistem i centralizuar dhe hierarkik, pa asnjë sistem kontrolli, kishte dështuar. Një sistem i cili nuk garantonte pavarësinë e brendshme të prokurorëve, një sistem që nuk i përgjigjej sfidave aktuale të kriminalitetit dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti, një sistem i lehtë ndikueshëm politikisht apo edhe nga krimi, i cili provonte dita ditës që nuk garantonte ndjekjen penale në mënyrë të drejtë, të barabartë, në mbrojtje të lirive personale dhe të drejtat e njeriut, por një sistem që i dha rrugë të lirë pandëshkueshmërisë. Kjo bëri që qytetarët shqiptarë të humbisnin plotësisht besimin tek sistemi i drejtësisë.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë që pavarësia e prokurorit në raport me drejtuesin hierarkik ishte praktikisht e kufizuar, duke qënë një pengesë edhe për prokurorët me kurajo, integritet dhe guxim profesional që të ushtronin plotësisht ndjekjen penale dhe të vinin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit. Kjo padyshim lidhej me varësinë e drejtëpërdrejtë të karrierës së prokurorit, ku shumë prej tyre janë gjendur përpara transferimeve të papërligjura.
E bëra këtë panoramë të shkurtër të sistemit të kaluar, për të kuptuar që sot nuk kemi thjesht ligjet e reja dhe arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, nuk kemi vetëm institucionet e reja, me njerëz të rinj të zgjedhur me procese transparente, meritokratike dhe te pandikuara politikisht në krye të këtyre institucioneve, por kemi një sistem të drejtësisë penale tërësisht të ndryshuar, në të cilën garantohen parimet dhe standartet e pavarësisë, paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.
Pavarësia e jashtme dhe e brendshme e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale tashmë është e garantuar nga sistemi i ri, ashtu siç është garantuar emërimi, transferimi, promovimi meritokratik dhe transparent. Një promovim që tashmë është i pandikuar nga zakoni i vjetër i zbatimit ose jo i urdhërave të eprorëve. Por është momenti që prokurorët të tregojnë se ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjshmëri dhe vetëm në zbatim vetëm të ligjit. Procedimi disiplinor i prokurorëve si një proces tërësisht i pavarur, i pandikuar nga politika si në të kaluarën duhet të bëjë që sistemi të përmirësohet.
Ngritja dhe funksionimi i Këshillit të Lartë të prokurorisë, të SPAK-ut, të emërimit me një proceduë tërësisht ndryshe të Prokurorit të Përgjithshëm, janë rezultate të cilat janë shumë të vlerësuara si një hap i jashtëzakonshëm, aspak i lehtë që janë bërë në drejtim të sistemit të ri penal. Tashmë, është plotësisht funksionale edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe pritshmëria për të pasur një sistem drejtësie penale që godet krimin e organizuar dhe korrupsionin, është në nivelet më të larta.
Proçesi i pastrimit të sistemit të prokurorisë ashtu si dhe gjyqësorit, ishte një proçes mëse i nevojshëm i cili ka dhënë rezultate shumë të mira dhe që do të vijojë të mbështetet nga ne.
Kemi patur vullnetin dhe angazhimin maksimal dukë dhënë mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe strukturore, mbështetje në infrastrukturën e godinave për institucionet e reja, mbështetje për sistemin e ri të pagave të prokurorëve, të mbështetjes së diferencuar me paga për shkak të vështirësisë të prokurorëve të të gjithë strukturës së SPAK-ut për të siguruar ushtrimin e detyrës me pavarësi dhe përgjegjshmëri të plotë. Dhe do të vazhdojmë ta japim këtë mbështetje.
Ashtu siç jemi mbështetur për reformën në drejtësi, që në krye të herës pa asnjë kushtëzim, duke ditur që kjo reformë është gjëja e duhur për Shqipërinë. Jemi mbështetur nga partnerët tanë, SHBA dhe BE.
Por tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në drejtësi dhe specifikisht të sistemit penal. Sapo kemi dizenjuar Strategjinë e re ndërsektoriale të zbatimit të reformës në drejtësi për fazën tjetër, për periudhën 2021 – 2025, e cila do të prezantohet shumë shpejt.
Ministria e Drejtësisë në funksionin e koordinatorit dhe monitoruesit të rezultateve të kësaj strategjie ka udhëhequr procesin, dhe janë mbështetur të gjitha nevojat dhe prioritetet që vetë institucionet kanë identifikuar, për periudhën në vijim, duke patur si qëllimin kryesor efektshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë, vendosjen në punë të makinës së re të drejtësisë.
Por besoj që ndajmë të njëjtin mendim, njëherë që institucionet janë ngritur, kanë hedhur bazat për funksionimin të tyre, kanë arritur prioritetet e nevojshme diku më shpejt diku më vonë; – dicka më mirë, dicka më pak mirë, por tashmë është momenti që secili të shoh brenda përgjegjësisë së tij dhe funksionit në bërjen sukses, në arritjen e rezultateve duke vendosur në themel standartet më të mira të drejtësisë së re.
Përgjegjësitë tona janë të përcaktuara dhe të ndara në kufijtë e kushtetutës dhe ligjit, por bashkëpunimi dhe ndërveprimi midis institucioneve është thelbësor pasi i shërben vetë qëllimit që synon reforma në drejtësi.
Dhe në reflektim të përgjegjësive të secilit nga institucionet, kemi pika takimi të përbashkëta të vendosura nga kushtetuta dhe ligji, dhe jo pa qëllim, por duhen që këto pika takimi të shihen dhe shfrytëzohen si mundësi për tu koordinuar dhe bashkëvepruar, për të mos i parë si pika ndarje apo parcela të veçanta për të ruajtur pavarësinë e institucioneve.
Ndryshimet kushtetuese dhe paketa e ligjeve që sollën reformimin më të madh të sistemit, nuk janë vetëm ngushtësisht gërma e ligjit por është edhe fryma, parimet, standartet që mbart kjo reformë, për të arritur qëllimin tonë të përbashkët dhe për të bërë histori suksesi të gjithë bashkë, duhet të bashkëveprojmë.
Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, ne mundet të çojmë para angazhimin që të gjithë kemi marrë përpara qytetarëve shqitarë që të përmbushim pritshmëritë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm.
Unë besoj që në këtë tryezë në të cilën jemi mbledhur sot dhe kemi kënaqësinë të jemi prezent 5 institucionet të cilat lidhen ngushtësisht me sistemin e drejtësisë penale. Duke falënderuar njëkohësisht Ambasadoren, zonjën Kim e cila ju bashkangjit kësaj tryeze, pikërisht për të dhënë fokusin dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe rezultateve që ne presim të gjithë nga reforma në drejtësi.
Ju Falenderoj!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.