Vizita ne Austri, Ministri Manjani: Stabilitet klimës së biznesit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/04/2016

Vizita ne Austri, Ministri Manjani: Stabilitet klimës së biznesit

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Austri, me ftesë të homologut të tij, z. Wolfgang Brandstetter.

Gjatë takimit me Ministrin e Drejtësisë së Austrisë, z. Wolfgang Brandstetter është diskutuar çështja e nevojës së sigurisë juridike për përthithjen e investimeve dhe rritjen e klimës së biznesit. Në këtë kuadër z. Brandstetter theksoi me rëndësi luftën kundër korrupsionit për krijimin e stabilitetit në klimën e biznesit, pasi korrupsioni prish konkurrencën.

Qeveria Austriake na është gjendur në ditë të vështira dhe sot jemi një shtet i stabilizuar në Ballkan dhe anëtare e Këshillit të Europës edhe për shkak të mbështetjes së Austrisë.

‘Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e deritanishme. Qëllimi është të përvetësojmë kulturën austriake në zbatimin e ligjit dhe populli shqiptar e mirëpret këtë gjë. Shërbimet gjyqësore në Austri janë ndër më të mirat që njoh dhe ne duam që t’i përafrojmë. Nevojë aktuale prioritare mbetet ndërtimi i një sistemi të integruar të informacionit ligjor’, u shpreh z. Manjani

Ministri Brandstetter vlerësoi se hyrja në Bashkimin Evropian nuk është një fazë e largët për Shqipërinë dhe në këtë kuptim ai solli në vëmendje se natyrisht që në një moment të tillë Shqipëria do të ketë shumë baza të njëjta juridike me vendet anëtare. Në vijim të kësaj ideje, z. Manjani theksoi se gjithsesi bashkëpunimi bilateral do të mbetet një proces mjaft pozitiv, pavarësisht hapësirave të përbashkëta që krijon aderimi i ardhshëm në BE.

Ministri Manjani e informoi homologun austriak lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi, ku vlerësoi se mesazhet e Komisionerit Hann për Shqipërinë mbeten objektiv parësor. Gjithashtu z. Manjani vuri në dukje se modernizimi i shërbimeve në sistemin e drejtësisë pritet më shumë interes nga qytetarët dhe mbetet ndër objektivat kryesore të punës së tij, ndërsa është i vendosur në zbatimin e menjëhershëm të projekteve antikorrupsion.

Lidhur me çështjen e fluksit emigrant, çështje për të cilën Ministri Brandstetter shfaqi një interes të posaçëm, z. Manjani sqaroi se Shqipëria duhet konsideruar si pjesë e zgjidhjes globale. Ministri Manjani bëri me dije se kontrolli i kufirit ka qenë dhe do të mbetet i rreptë dhe se parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore, mbetet përparësi.

Në përfundim të takimit Ministri i Drejtësisë së Austrisë, z. Wolfgang Brandstetter garantoi mbështjetjen ndaj çdo nisme dhe propozimi që mbështet forcimin e shtetit ligjor.

***

Në nisje të takimeve zyrtare, z. Manjani është pritur nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve në Parlamentin Austriak, takim i cili është drejtuar nga kryetarja e këtij komisioni, zj. Michaela Steinacker.

Anëtarët e komisionit të ligjeve kanë shprehur interes lidhur me proceset reformuese në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa sollën në vëmendje përvojën e gjatë të Austrisë dhe konsolidimin e patjetërsueshëm ndër vite të këtij shteti në fushën e legjislacionit.

Ndër të tjera, Ministri Manjani theksoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë në drejtim të krijimit të një sistemi që ndër të tjera krijon mundësinë e rritjes së klimës së stabilitetit në biznes.

‘Ne i jemi mirënjohës Austrisë për ndihmën themelore në lindjen e shtetit shqiptar. Pra, pa ndihmën tuaj ne nuk do të ishim shtet dhe madje as shtet stabël, njëkohësisht nuk do të ishim anëtar i NATOS dhe nuk do të bënim asnjë hap para drejt BE-së pa mbështetjen tuaj. Bashkëpunimi ndërparlamentar është shumë efikas sepse ligjbërja duhet të ndodhi në çdo parlament por përvoja që shkëmbehet është shumë e domosdoshme. Në këtë aspekt do të vlerësoja se ndryshimet frekuente të legjislacionit nuk janë pozitive dhe referuar eksperiencës në Shqipëri, për shkak të këtyre ndryshimeve, ligjet që kanë të bëjnë më klimën e biznesit janë të parat që i kanë ndjerë këto ndryshime, që nuk është gjë e mirë. Me rëndësi është krijimi i një klime stabiliteti për biznesin dhe reformat duhet të fokusohen në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe mirëqenia vjen përmes investimeve’, tha z. Manjani

Lidhur me krijimin e kulturës së zbatimit te ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, është sugjeruar se mund të realizohen referuar eksperiencës austriake, ndërsa zj. Steinacker ka shprehur vullnet të plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen për çështje konkrete.

Ministri Manjani theksoi gjithashtu se Shqipëria ka rastin më të mirë që të përfitojë nga përvoja austriake në drejtim të atyre ligjeve që e ndihmojnë drejt realizimit të proceseve integruese ne BE.

Në këtë aspekt, z. Manjani vlerësoi se Europa mbetet ëndrra e të gjithë shqiptarëve dhe në frymën e ecurisë së diskutimeve mbi këtë çështje, i informoi anëtarët e Komisionit të Ligjeve pranë Parlamentit Austriak se prej disa kohësh është ndërmarrë një reformë, që po ndiqet nga një komision i posaçëm dhe me realizimin e saj shpresohet të rikthehet besimi i humbur i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.