Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Pro-Eksport Albania - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/01/2021

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Pro-Eksport Albania

“Krenare të nisim sot për herë të parë Programin e Punësimit për të dënuarit, si pjesë e masterplanit për reformimin e sistemit penitenciar dhe që bëhet realitet me firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit midis DPB-së dhe Shoqatës Pro-Eksport Albania që përfshin 700 fasoneri të vendit.” u shpreh ministrja Gjonaj në fjalën e saj.

Me anë të kësaj marrëveshjeje u finalizua një premtim dhe nisi një rrugëtim i ri drejt rritjes së kapacitetit profesional, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve, një prioritet ky për Qeverinë Shqiptare dhe për Ministrinë e Drejtësisë.

Ky Program Punësimi ka si qëllim krijimin e mundësive për punësimin e personave të burgosur, në kuadër të garantimit të fitimit, ruajtjes dhe zhvillimit të aftësive për punë dhe njohurive profesionale, gjatë dhe pas përfundimit të kryerjes së dënimit. Një pjesë e madhe e të dënuarve do të bëhen pjesë e këtyre programeve të punësimit, si ky i sotmi që po iniciojmë tashmë, ku ata do të trajnohen dhe do të prodhojnë produkte të cilat më pas tregëtohen.

Të ardhurat do t’u shkojnë personave që vuajnë dënimin për të rritur trajtimin e tyre financiar dhe në këtë mënyrë bëjmë të mundur punësimin e tyre gjatë vuajtjes së dënimit, një shtysë kjo pozitive e cila do t’i ndihmojë për rehabilitimin gjatë qëndrimit në IEVP. Znj. Gjonaj u shpreh se ishte shumë e gëzuar që kjo marrëveshje do të pilotohet fillimisht për burgun e grave, të cilat vërtet e kanë shumë të nevojshme mbështetjen ekonomike, jo vetëm për vete, por edhe për familjet e tyre.

Ministrja e Drejtësisë falenderoj shoqatën “Pro – Eksport Albania” me të cilën DPB nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit pa afat, duke garantuar punësimin e qëndrueshëm të të dënuarve në industrinë fasone. Gjithashtu ajo falenderoj z.Saimir Bidaj dhe Edvin Prençe nga Pro-Eksport Albania dhe gjithashtu Drejtorin e Përgjithshëm Agim Ismaili dhe Zv.Drejtoren e DPB, Klotilda Kareci për angazhimin e tyre.