Zhvillohet Konferenca Shkencore, “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqin e Transformimit” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/05/2016

Zhvillohet Konferenca Shkencore, “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqin e Transformimit”

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqin e Transformimit”, gjatë së cilës janë trajtuar një sërë temash me rëndësi mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit gjyqësor, edukimin dhe kualifikimin juridik, shërbimet ligjore të avokatisë, noterisë, përmbarimit etj.

Në fjalën e tij gjatë kësaj konference, Ministri Manjani vlerësoi se tema e zgjedhur është mjaft interesante dhe na nxit për të analizuar se nga duhet nisur për të dalë nga udhëkryqi.

“Gjykatën nuk e beson njeri, po ashtu edhe prokurorinë. Por nga duhet filluar? Ky është udhëkryqi i parë dhe shpresoj se kjo konferencë t’i japi disa përgjigje. Ne e kemi zgjedhur se nga t’ja fillojmë. Duhet të fillojmë nga gjyqësori sepse nuk ka rrugë tjetër për të garantuar qeverisje të mirë, në kuptimin e gjerë të fjalës. Problemin do ta zgjidhim duke krijuar sistemin e drejtësisë. Në radhë të parë sistemin e rregullave dhe në radhë të dytë institucionet e pavarura që garantojnë zbatimin e tyre. Kjo është arsyeja pse duhet ta fillojmë nga gjyqësori, sepse gjyqësorin nuk e beson askush”, u shpreh z. Manjani

Ministri Manjani vlerësoi gjithashtu se është koha e detajeve dhe se duhet diskutuar për disa elementë me rëndësi që e formësojnë reformën.

“Tashmë është koha që të diskutojmë nëse duhet të mbajmë një sistem puritan akuzator apo një sistem të gërshetuar me inkuizicion brenda, jo në kuptimin inkuizicion klasik, por besoj procedurialistët e njohin mirë skemën. Unë mendoj se një sistem akuzator i pastër do të na sillte për pasojë një prokurori më të fortë se sa deri më sot, që do të ishte një prokurori shumë më aktive në hetimin penal, një institucion realisht i pavarur, profesional. Kjo është një nga temat e cila vërtet meriton një debat më të gjerë dhe nuk është e lidhur detyrimisht me pjesën politike të vendimmarrjes, por do të na ndihmonte në vendimmarrjen e parlamentit në muajt në vijim dhe shpresojmë që deri në fund të vitit edhe pjesa tjetër e ligjeve të jetë e miratuar. Unë vetë jam besimplotë që dhe amendamentet kushtetuese do të miratohen me përparësi, pra do të na hapet rruga që të diskutojmë edhe për pjesën tjetër të legjislacionit që është shumë e rëndësishme, sepse në ato 40 ligje fshihen të gjitha pyetjet, fshihen të gjitha shqetësimet që ngrihen jo vetëm nga komuniteti i juristeve por në radhë të parë nga qytetarët shqiptar”, tha ndër të tjera z. Manjani

Duke iu referuar pjesës më të madhe të ankesa që mbërrijnë në Ministrinë e Drejtësisë nga qytetarë të ndryshëm, z. Manjani vuri në dukje se numri më i madh i tyre adresohet lidhur me afatet e gjykimit, se kur do të nisi dhe do të mbarojë një proces gjyqësor, kur shpesh këta qytetarë mjaftohen që të dalë vendimi, pavarësisht se në avantazh të kujt do të jetë.

“Kemi diçka që nuk na shkon me sistemin procedurial si dhe në sistemin e shërbimit gjyqësor. Këtë përgjigje duhet t’ju japim qytetarëve shqiptar. Ky është një element shumë i rëndësishëm, ashtu siç ka elementë të tjerë që lidhen me gjykimin kushtetues, që lidhen me gjykimin në Gjykatën e Lartë, që lidhen me unifikimin e praktikave gjyqësore, tema të cilat janë të lidhura drejtëpërdrejtë me respektimin e të drejtave të njeriut”, theksoi z. Manjani

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë vlerësoi se kjo konferencë është mjaft e dobishme dhe vjen në një kohë ku realisht ka nevojë që të diskutohet për këto tema dhe për të arritur në konkluzione sa më të drejta dhe sa më të harmonizuara me interesat e komunitetit.

“Ligji më i mirë është ai që del nga konsultimi dhe krijon të gjithë hapësirat e nevojshme që nesër të respektohet dhe të zbatohet”, përfundoi z. Manjani.