TAKIMI INFORMUES
“Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të Integritetit në Institucionet e Qeverisjes Qendrore”
12.11.2020, 14.00-15.15
FJALA E ZËVENDËSMINISTRES PIRDENI
Përshëndetje,
E nderuar Znj. Eltayeb, Përfaqësuese Rezidente e United Nations Development Program,
Të nderuar drejtues dhe ekspertë të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim,
Anëtarë të Komitetit Koordinator Kundër Korrupsionit,
Të nderuar kolegë të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve bashkëpërgjegjëse në luftën kundër korrupsionit,
Përfaqësues të nderuar të shoqërisë civile,
Jam shumë e kënaqur të hap sot këtë takim për një tematikë që na mbledh të gjithëve në mision të përbashkët: në forcimin e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit në administratën publike. Rrethanat objektive të kohëve të fundit nuk na lejuan të mund të shkëmbejmë diskutime konstruktive fizikisht në numër edhe më të madh, megjithatë më bëhet qejfi që një pjesë e konsiderueshme e aktorëve që ndajnë me ne përpjekjet për këtë mision të rëndësishëm na janë bashkuar virtualisht për të kontribuuar në ndarjen e eksperiencës dhe shtrimin e rrugës për të vijuar punën më tej.
Sikurse tashmë jeni vënë në dijeni, na bën bashkë sot lancimi i dy dokumentave tejet të rëndësishëm për Ministrinë e Drejtësisë në rolin e saj si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, respektivisht Plani i Integritetit për Ministrinë e Drejtësisë dhe Metodologjia përkatëse për Vlerësimin e Riskut ndaj Integritetit. Shkurtimisht, sikurse jeni familjarë me konceptin, Plani i Integritetit është një mekanizëm anti-korrupsion, i cili ofron kornizën konceptuale nё lidhje me politikat dhe masat për të parandaluar shkeljet e integritetit të zyrtarëve publikë në institucion. Në këtë kuadër, ai shërben si gur themeli i sistemit te menaxhimit të integritetit në nivel institucioni duke forcuar rezistencën institucionale ndaj cenimeve të integritetit. Për më tepër, një dokument i tillë kontribuon në përmirësimin e transparencës së institucionit, rritjen e besueshmërisë publike në qeverisje dhe në performancën e sektorit publik.
Këto dokumente janë frut i një procesi të nisur vitin e shkuar si një projekt i udhëhequr nga UNDP, me asistencën shumë të çmuar të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ekspertët e angazhuar të të cilit e kanë asistuar stafin e Ministrisë së Drejtësisë me shumë profesionalizëm, punë për të cilën dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen maksimale dhe falënderimet tona.
E gjithë puna është finalizuar në muajin tetor me miratimin nga Ministrja e Drejtësisë të dy dokumentave, të cilët theksojnë dhe ripërforcojnë edhe njëherë angazhimin institucional të Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar luftën kundër korrupsionit. E them këtë pasi tanimë përmes dokumentash të tillë, arma kryesore për thyerjen e zinxhirit korruptiv nuk kufizohet veç në masat represive ndaj shkelësve të ligjit, por fokus i veçantë tashmë u atribuohet edhe masave parandaluese.
Në këtë kuadër, këto dokumente janë hartuar në një metodologji qartësisht të përcaktuar, duke garantuar përfshirjen e stafit drejtues të Ministrisë së Drejtësisë dhe stafit përgjegjës të Drejtorisë së Politikave dhe Programeve kundër Korrupsionit, çka ka mundësuar përfshirjen dhe ndërgjegjësimin e gjitha subjekteve të cilave u drejtohen rregullimet në fjalë, ashtu sikurse edhe ka lehtësuar parashikimin e rregullimeve që janë efektivisht të realizueshme.
Rëndësia e këtyre dokumentave shtohet edhe në kuadër të faktit se me miratimin e tyre, Ministria e Drejtësisë është kështu institucioni i parë i qeverisjes qendrore në vend që ka de jure të zhvilluar një Plan Integriteti në funksion të detyrimeve të sipërcituara. Në këtë mënyrë Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit synon të iniciojë këtë proces me shembullin e mirë pozitiv si i pari institucion, duke vënë kështu gurin e parë të themelit në miratimin e akteve me këtë rëndësi.
Thënë kjo, këta dy dokumenta miratohen dhe lancohen këtu sot me ju si partnerët tanë të rëndësishëm në kuadër të luftës kundër korrupsionit për dy arsye kryesore:
1. Së pari, ndarja e eksperiencave të secilit institucioni në kuadër të këtyre përpjekjeve i shton vlerat gjithë zinxhirit të punës ndërinstitucionale ku secili prej jush kontribuon sipas kompetencave specifike, dhe
2. Së dyti, me miratimin e tyre, në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, do të udhëheqë dhe mentorojë procesin e hartimit të planeve të integritetit për institucionet e saj të varësisë (brenda vitit 2021) dhe për Ministritë e linjës (brenda vitit 2022).
Ky aktivitet dhe këta dokumenta të miratuar na ndihmojmë të tentojmë të kthejmë fokusin drejt një qasjeje pozitive parandaluese në luftën kundër korrupsionit përmes promovimit të integritetit, proces i cili nuk konsiston vetëm në hartimin e një tërësie rregullash, por mbi të gjitha synon ndryshimin e mendësisë në vetëvlerësimin e sjelljeve tona si zyrtarë publike në funksion të garantimit të integritetit në qeverisje, nëpërmjet përcaktimit të filtrave konkretë në
Po ashtu, përmes këtij Plani Integriteti kemi tentuar të garantojmë zbatimin në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse të standardeve, parimeve dhe objektivave ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit.
Natyrisht që këto përpjekje për të forcuar mekanizmat parandalues vijnë në vazhdën e një sëre inicitiavash që ka marrë e po ndërmerr edhe aktualisht Ministria e Drejtësisë në funksion të zhvillimit të mekanizmave të luftës kundër korrupsionit. Për të përmendur nismën më të fundit të mbështetur nga Qeveria Shqiptare, që është krijimi i Rrjetit Antikorrupsion. Kjo strukturë e përbërë nga 17 koordinatorë do të funksionojë si një mekanizëm kombëtar referimi për rastet korruptive, si platformë përmes së cilës koordinatorët e atashuar në sektorë shumë të ndjeshëm ndaj korrupsionit, do të jenë në gjendje të ngrenë flamuj të kuq nëse evidentojnë se disa praktika institucionale mund të sjellin në të ardhmen cënime të integritetit në ushtrimin e funksioneve publike. Në këtë kuadër, si përmes dokumentave të miratuar, ashtu edhe nëpërmjet mekanizmave tashmë të vënë në jetë, synojmë që të arrijmë një qasje gjithëpërfshirëse dhe kapilare në funksion të luftës kundër korrupsionit.
Në përfundim, ne jemi besimplotë se si Plani i Integritetit, ashtu edhe Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të Integritetit janë tashmë dy mekanizma që do të na shërbejne për të luftuar shkaqet e korrupsionit, në funksion të forcimit të kulturës së zbatimit të parimeve të shtetit të së drejtës, si edhe të rritjes së besueshmërisë së institucioneve në sytë e qytetarëve.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për prezencën, i uroj punime të mbara këtij takimi promovues.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.