Fjala e Ministres së Drejtësisë znj. Gjonaj, në konferencën e nivelit të lartë AntiKorrupsion - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/10/2020

Fjala e Ministres së Drejtësisë znj. Gjonaj, në konferencën e nivelit të lartë AntiKorrupsion

I nderuar Kryeministër z. Rama,

 I nderuar Sekretar Ekzekutiv i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit z. Esposito,

 I nderuar Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian z. Soreca,

 E nderuar Shkëlqesia juaj Ambasadore e ShBA znj. Kim,

 Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri dhe të organizatave ndërkombëtare,

 

Më lejoni të shpreh kënaqësinë e veçantë që kam sot në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, t’ju mirëpres në këtë tryezë partnerësh.

Sot na mbledh bashkë një prej prioriteteve më të rëndësishme, lufta efikase kundër korrupsionit dhe rrënjosja e një kulture të shëndoshë integriteti për të gjithë shoqërinë, ku Qeveria Shqiptare ka treguar vullnetin dhe angazhimin maksimal nën vëmëndjen e posacme të Kryeministrit z. Rama.

Padyshim jemi të vetëdijshëm që në Shqipëri sikurse në shumë vënde të tjera, korrupsioni është një fenomen persistent, I cili duhet adresuar me vendosmëri jo vetëm nëpërmjet marrjes së masave por edhe ngritjes së mekanizmave funksionalë në luftën kundër korrupsionit.

Këto masa fillojnë pikërisht nga shtylla kryesore e një shteti që është sistemi i drejtësisë, ku  tashmë kemi arritur një sërë rezultatesh pozitive duke luftuar korrupsionin në sistem nëpërmjet vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe një sërë mekanizmash të tjerë të cilat do të garantojnë integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rezultatet e reformës në drejtësi do të konsolidojnë akoma më shumë rezultatet e luftës kundër korrupsionit edhe në sektorë të tjerë.

Jemi të vetëdijshëm që perceptimi i qytetarëve për korrupsionin është i lartë, por perceptimi është një proces që kërkon kohë për tu ndryshuar dhe një dialog më pozitiv.

Sot duhet të jemi të vetëdijshëm që raporte ndërkombëtare tregojnë se masat që kjo qeveri ka marrë në luftën kundër korrupsionit po japin rezultate positive.

Ashtu sic tregojnë edhe rezultatet e fundit mbresëlënëse të raportit të GRECOs, për Shqipërinë, të cilat kam kënaqësinë ti prezantojmë në këtë tryezë, arritje të cilat janë fryt edhe i  mbështetjes së qendrueshme dhe të pakursyer të partnerëve tanë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj thellësisht.

Në këto vite, me shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri, kemi investuar energjitë, kohën dhe potencialin tonë në luftën kundër korrupsionit, dhe shumë arritje të vogla tani po bëhen së bashku duke sjellë rezultate dhe vlerësime pozitive ndërkombëtare. Njohja dhe vlerësimi I këtyre përpjekjeve nga  GRECO,  një institucion prestigjoz i Këshillit të Evropës i cili prej 21 vitesh qëndron fort si një rojtar i shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, përbën për ne një nga arritjet më të rëndësishme ndërinstitucionale.

Raporti i fundit i GRECO-s për Shqipërinë, prezantuar në 6 tetor 2020, me fokus “Parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët”, ka njohur rezultatet tona për plotësimin e 9 rekomandimeve nga 10 të adresuara nga GRECO. Më vjen mirë të përmënd se Ministria e Drejtësisë, si Institucioni lider i këtij procesi, në një periudhë kohore më pak se dy vjet ka arritur të cojë procesin përpara duke marrë rezultate dhe vlerësime positive. GRECO përfundimisht e ka mbyllur këtë Raund Vlerësimi për Shqipërinë, duke e hequr nga lista e monitorimit. Ky vlerësim i progresit të vendit, i referuar shprehimisht nga Presidenti i GRECO-s përgjatë Seancës Plenare si një rezultat “afër perfektes” e rendit Shqipërinë edhe si vendin e parë në rajon që arrin një nivel të tillë përmbushjeje të rekomandimeve.

GRECO në raportin e tij ka konsideruar si thelbësore hapat progresivë të realizuara në drejtim të miratimit të një Kodi Sjelljeje për deputetet ashtu si dhe ndryshimet e bëra në Rregulloren e Kuvendit.

Gjithashtu, në raportin e tij GRECO ka vlerësuar pozitivisht arritjet në kuadër të reformës në drejtësi, veçanërisht në drejtim të ngritjes së një sistemi gjyqësor të bazuar në integritet dhe përgjegjshmëri, me qëllim parandalimin e korrupsionit tek gjyqtarët dhe prokurorët. Në këtë raport është theksuar se është bërë një punë shumë e mirë në ngritjen dhe funksionimin e arkitekturës insitucionale të qeverisjes së gjyqësorit, përfshirë funksionimin efektiv të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si organe kryesore përgjegjëse për avancimin e standardeve etike tek gjyqtarët dhe prokurorët.

GRECO ka vlerësuar vecanërisht ngritjen e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si institucion përgjegjës për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një premisë solide për të shmangur ndërhyrjet e mundshme të ekzekutivit në pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Këto rezultate natyrisht na bëjnë të ndihemi mirë, por edhe rrisin përgjegjësinë për t’iu përkushtuar edhe më intensivisht vendosjes së standardeve të etikës dhe integritetit, si dhe politikës me zero tolerancë ndaj akteve korruptive në të gjithë hallkat e administratës publike.

Një rezultat i tillë është mundësuar falë kurimit të procesit të koordinimit dhe raportimit me shumë kujdes dhe përkushtim nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë, si dhe kontributit të çmuar të të gjitha institucioneve publike raportuese, të cilat gjej rastin t’i falënderoj.

Vlerësimi tejet pozitiv i GRECOs, është pasuar nga një tjetër vlerësim pozitiv që buron nga Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, në të cilin theksohet se Shqipëria ka bërë progres në forcimin e kapaciteteve operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu një nga kushttet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Progresi vlerësohet në miratimin e Planit të ri të Veprimit në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2020-2023 si dhe masat kryesore të ndërmarra për ndëshkimin e rasteve korruptive, ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion si dhe shtrirjen e veprimtarisë inspektuese.

Gjatë kësaj periudhe jemi angazhuar tërësisht për të pasur struktura të qëndrueshme dhe të dedikuara në luftën kundër korrupsionit. Si vazhdimësi e rezultateve shumë të mira të Task forcës kundër korrupsionit, është ngritur rrjeti antikorrupsion me koordinatorët në 17 agjencitë kryesore të administratës publike, në sektorët më nevralgjikë dhe vecanërisht të ndjeshëm ndaj korrupsionit. Falë mbështetjes së Kryeministrit Rama kjo strukturë synon qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e mekanizmit antikorrupsion.

Koordinatorët do të shërbejnë si avokatët e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit duke marrë dhe verifikuar denoncimet e qytetarëve për veprimet korruptive. Më vjen mirë që thirrjes së hapur për të shërbyer në këtë mision të vështirë i janë përgjigjur një numër i lartë kandidatësh, të cilët pas një procesi përzgjedhës, ku janë verifikuar dhe vlerësuar si për kapacitetet profesionale por edhe për integritetin e tyre, mund të them me kenaqësi se kemi arritur të përthithim kandidaturat më të mira. Profilet e koordinatorëve janë të larmishëm, disa kanë kryer studimet jashtë vendit,  një pjesë janë me tituj shkencorë, dhe paraqesin një angazhim profesional në një sërë projektesh ndërkombëtare dhe vendase ose në shkrime dhe pjesëmarrje konferencash me fokus luftën kundër korrupsionit.

Uroj që ky mekanizëm i cili do të mbështetet nga një Task forcë e ngritur në Ministrinë e drejtësisë, do të arrijë të ketë rezultate pozitive në evidentimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit në administratën publike.

Shumë shpejt, do të nisim një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese dhe informuese me qëllim njohjen e qytetarëve me këtë mekanizëm të ri që u ofrohet për të denoncuar cdo akt korruptiv, duke i bërë ata bashkëshoqërues në procesin tonë të instaurimit të kulturës së integritetit.

Një nga nismat më të fundit është dhe miratimi i Planit të Integritetit të Ministrisë së Drejtësisë, ku Ministria e Drejtësisë është Institucioni i parë pilot i administratës qendrore që do të zbatojë një plan integriteti dhe një metodologji konkrete për identifikimin e risqeve të tij. Në këtë mënyrë do të garantojmë që struktura jonë monitoruese dhe luftuese e praktikave korruptive të mund t’u nënshtrohet në vetvete filtrave rigorozë të integritetit për ta shtrirë më pas në të gjitha Ministritë.

Nëpërmjet një analize të detajuar, duke shkuar qelizë më qelizë, kemi evidentuar edhe problematikat që rezultojnë në perceptimin e qytetarëve ndaj korrupsionit, të evidentuar në raportin e Transparency International. Përfundimet e të cilës janë ngritur në nivelin e një dokumenti politikash për të adresuar të gjitha cështjet që përbëjnë perceptimin e korrupsionit.

Vlen të theksohet se gjatë gjithë veprimtarisë sonë në luftën kundër korrupsionit, në tryezat tona, pjesë të diskutimeve kemi pasur partnerët ndërkombëtarë, misionet e asistencës por vlen të theksohet edhe shoqëria civile, të cilët na kanë mbështetur me ekspertizën e tyre por njëkohësisht edhe me syrin vëzhgues dhe kritik për të përmirësuar dhe për ta luftuar së bashku kundër korrupsionit. Përfaqësuesit e biznesit dhe dhomat e jashtme të tregtisë gjithashtu kanë qënë pjesë e tryezave tona si për të dëgjuar shqetësimet e tyre por edhe njëkohësisht për të marrë sugjerime nga ta nëpërmjet iniciativave si java e integritetit, një risi e zhvilluar për herë të parë këtë vit e cila do të pasojë edhe në dhjetor për të ndërtuar ura të një dialogu gjithëpërfshirës dhe të qendrueshëm.

Aleati ynë kryesor është qytetari dhe besoj se të gjithë jemi në të njëjtën mendim se mënyra e vetme për t’i bërë qytetarët partnerë në luftën kundër korrupsionit është duke fituar besimin e tyre dhe kjo ndodh vetëm kur tregojmë vullnetin dhe angazhimin e qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit.

Gjithashtu sot qytetarët arrijnë të marrin një gamë prej 620 shërbime online duke shmangur sportelet dhe duke hequr gangrenën e përhershme të sorollatjeve por edhe të veprimeve korruptive nëpër sportele.

Padyshim unë dua të shpreh mirënjohjen të gjithë ekipit të Ministrisë së Drejtësisë që punojnë me shumë përkushtim, të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e kolegëve Ministra të Qeverisë, Kryeministrit Rama, si dhe tju shpreh mirënjohjen e vecantë shteteve tuaja dhe ju që keni qënë gjithmonë mbështetës të iniciativave tona në luftën kundër korrupsionit.

Gjithashtu më lejoni së fundmi por jo nga rëndësia, të shpreh vlerësimet dhe mirënjohjen për punën tejet serioze të kryer nga GRECO, duke falenderuar vecanërisht, Sekretarin ekzekutiv të GRECOs njëherësh dhe drejtues i departamentit të aksionit kundër krimit, të Këshillit të Evropës z. Esposito, të cilin kemi nderin ta kemi sot të pranishëm në këtë konferencë.

  1. Esposito, përpara se tju kaloj fjalën, më lejoni t’ju falënderoj thellësisht për punën e udhëhequr nga ju, stafi juaj dhe raporterët, për pasqyrimin në mënyrë tejet objektive, profesionale, dhe realiste të të gjitha zhvillimeve pozitive, për bashkëpunimin në vazhdimësi të proceseve që Shqipëria po ndjek në luftën kundër korrupsionit.

 

Ju faleminderit!