INTERPELANCA E MINISTRES SË DREJTËSISË PËR SITUATËN NË BURGJE - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/10/2020

INTERPELANCA E MINISTRES SË DREJTËSISË PËR SITUATËN NË BURGJE

I nderuar kryetar

 

Të nderuar deputetë

 

Më vjen mirë që jam thirrur sot në këtë interpelancë për të sqaruar të gjithë situatën në sistemin e burgjeve dhe problematikat e këtij sistemi. Kur mora drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë situata si në aspektin e burimeve njerëzore, infrastrukturës, buxhetit dhe trajtimit, fliste më së miri me fakte për gjendjen në të cilën ndodhej.

Në këto 3 vite kemi arritur të bëjmë një reformë të qënësishme të sistemit penitenciar, duke filluar që nga kuadri ligjor, që ju të nderuar deputetë keni votuar në këtë parlament. Ku edhe pse në situatë pandemie, ne kemi kryer bashkarisht në cdo gërmë të 4 ligjeve të paketës penitenciare, konsultimet me të gjithë organizatat që kanë në fokus sistemin penitenciar dhe në vecanti ato të cilat janë kritiket më të mëdha dhe njëherazi udhërrëfyeset e punës tonë kur vjen puna tek respektimi i të drejtave dhe trajtimit të të burgosurve, sic janë Këshilli i Europës, OSBE, Avokati  i Popullit, Euralius, por edhe sindikatat e policisë së burgjeve me të cilët u ulëm bashkarisht në tryeza diksutimesh dhe konsultimesh. Kjo reformë u realizua me miratimin e 4 ligjeve në korrik të 2020.

Ndryshimi rrënjësor prej 2017 preku disa procese të rëndësishme për sistemin penitenciar: Burimet njerëzore / rekrutimi i stafit të burgjeve: investimet e përkthyera në ndërhyrje infrastrukturore, siguri dhe kushte më të mira pune, trajtimi dinjitoz i punonjësve, por dhe rekrutim me staf adekuat shëndetësor ashtu edhe civil.

Ndryshim i cili është i dukshëm në sytë e të gjithëve, tashmë edhe në konkluzionet e Progres Raportit të vitit 2020 për sistemin penitenciar, megjithëse ende kemi punë përpara për të qënë aty ku synojmë.

Jam njohur me kërkesat e interpelancës të grupit të deputetëve, por më lejoni ta filloj me atë që përbën rëndësi, rendi dhe siguria në burgje.

RRITJA E SIGURISË

Filtri i sigurisë si për takimet favorizuese ashtu edhe për sendet e ndaluara u rrit ndjeshëm nëpërmjet kontrolleve ku kemi patur dhe raste arrestimi të punonjësve të cilët kanë favorizuar lejimin e tyre. Është përmirësuar sistemi i mbikqyrjes dhe kontrollit përmes investimeve të sallave monitrouese, mjeteve të kontrollit, skaner dedektor, sistemeve të vëzhgimit me kamera, bllokuesve të valëve telefonike me mbështetjen me mbështetjen e Ambasadës Britanike në IEVP Peqin dhe Fushë, etj.

Gjatë periudhës 2017 – 2020, nga ana e SHKBB-së janë kryer veprimet e para proceduriale dhe janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore 937 vepra penale ku 295 autorë janë personel burgjesh. Nëse do të krahasonim periudhën e pararendësve të mi Janar 2014-Gusht 2017, nga ana e SHKBB-së janë kryer veprimet e para proceduriale dhe janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse 546 vepra penale ku  68 autorë janë personel burgjesh.

Një hap i pakthyeshëm dhe i pazbatuar më parë në rritjen e sigurisë në burgje është regjimi i posacëm 41 bis. Situatat e gjendjes së jashtëzakonshme dhe fatkeqësisë natyrore shtynë kohën, por nuk ndaluan procesin për fillimin e këtij regjimi me vendimet e para të dhëna në korrik të këtij viti për 7 të burgosur. Sikundër disa herë por edhe sot po e përsëris ky regjim u miratua për herë të parë në 2018 ku dhe u përcaktuan dy institucionet në të cilat zbatohet ky regjim. Konkretisht në IEVP Jordan Misja për personat e paraburgosur dhe në IEVP Peqin për personat e dënuar që do të vendosen në këtë regjim. Çdo procedurë dhe standard është i miratuar dhe funksional.

Një masë tjetër për forcimin e sigurisë në burgje është aplikimi i regjimit të mbikqyrjes së veçantë në zbatim të nenit 55, regjim në të cilin janë vendosur 110 të dënuarit që kanë thyer rëndë sigurinë dhe rendin në burgje. Ky ishte një regjim që nuk ishte aplikuar më parë në sistemin e burgjeve dhe këto janë fakte.

  1. BURIMET NJERËZORE

Për të vijuar me burimet njerëzore gjetëm një gjendje jo të rregulluar të marrëdhënieve të punësimit ku punësimet sipas preferencave partiake dhe marrja e punonjësve pa asnje ditë trajnimi, ishin rregull në kushtet kur asnjë ambjent për të kryer trajnime nuk kishte. Nga ana tjetër procedurat e rekrutimin jo vetëm që u bënë sipas një konkurimi të hapur dhe meritokratik por gjithashtu u vlerësua mjaft pastërtia e figurës si dhe pasja apo jo e rekordeve penale. Synimi ynë ishte krijimi i një sistemi funksional meritokratik dhe ngritja e kapaciteteve profesionale të sistemit të burgjeve

a-Trajnimi.

Në 2017 menjëherë vepruam në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë për të kryer të gjitha proceset e trajnimit nëpërmjet punës së punonjësve të burgjeve në ambjentet e tyre si dhe kryerjen për herë të parë të një trajnimi bazë për ata që ishin të rinj në sistemin penitenciar, aq sa kishte edhe persona te cilët nuk e përballuan dot dhe u larguan pa filluar akoma pune.

Duhet thënë që edhe pse nuk ka një akademi të mirëfilltë për sistemin e burgjeve ne synojmë të ofrojmë trajnime të vazhdueshme për tú dhënë mundësinë e rritjes në karrierë pse jo edhe në drejtimin e sistemit të burgjeve. Kjo gjë është mundësuar për herë të parë në 2020 falë një qendre trajnimi të ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për të gjithë stafin. Krijimi i ambjenteve të detajuara do të bëhet në vijim e mundur në cdo IEVP.

 b- Rekrutimi.

Në 2018 u rekrutuan 415 punonjës policie burgjesh nga rreth 900 aplikues, për të plotësuar vakancat të cilat ishin në të gjitha IEVP-të. Në 2019 gjithashtu janë rekrutuar nëpërmjet Akademisë së Sigurisë 175 punonjës për policinë e burgjeve.  Gjatë 2020 në këtë moment që flasim,  po përmbyllet faza e rekrutimit e cila ka filluar që para pandemisë, por situata e fatkeqësisë natyrore ngadalësoi ritmet e këtij procesi rekrutimi.  Janë 230 vakanca në të gjithë sistemin të cilat do të mbyllen me emërimin e policëve të rinj të burgjeve të cilët sapo kanë përfunduar trajnimin.

 c-Transferimi.

Një nga problematikat më madhore të burimeve njerëzore ka qënë edhe cështja e trasnferimit të punonjësve. Siguri dhe qëndrueshmëri, është një objektiv tashmë i përcaktuar edh në ligjin  Për policinë e Burgjeve.

Një moto si për punonjësit dhe për ne, që u adresua dhe dha zgjidhje vështirësive të hasura gjatë transferimeve qysh me urdhërim tim si Ministre Drejtësie të Janarit 2019  ku punonjësi nuk mund të transferohej më shumë se 45 km nga vendbanimi.

d-.Trajtimi financiar

  1. Për herë të parë pothuaj pas 10 vitesh ëmë një rritje shumë të madhe në vitin 2019 me 7% të pagës së punonjësve të policisë së burgjeve. Ky trajtim iqënësishëm që u bë në 2019 me rritjen e pagës 7% kishte si synim për tíu afruar trajtimit financiar të policise së shtetit,apo forcat ushtarake ku ndoshta për nga vështirësia mund të themi se jo vetëm nuk duhet barazuar por duhet trajtuar edhe më i vështirë, pasi punonjësit e burgjeve kalojnë 1/3 e jetës së tyre në burg. Për më tepër asnjëherë nuk janë njohur shpenzimet e transportit, pavarësisht ato që ne kemi realizuar me mundësitë tona me kontrata për të bërë transportin e Policisë së Burgjeve nga një institucion në një tjetër. Por nuk u ndalëm me kaq. Trajtimin dinjitoz financiar e mbrojtëm me prezantimin e ligjit të ri “Për Policinë e Burgjeve”, ku ne kemi parashikuar që deri në vitin 2022 do të kemi një barazi në trajtimin financiar të policisë së burgjeve me policinë e shtetit. Rritja e pagave me miratimin e ligjit të ri deri në barazimin me pagën e policisë së shtetit në vlerën totale 6 ml të llogaritura në PBA 2020 – 2022[1]
  2. Gjithashtu stafi prej vitesh nuk kishte as trajtim etik profesional duke nisur me uniformën. Në 2018, 85-90% të efektivit të policisë së burgjeve u pajis me uniformë e cila është parashikuar cdo vit.

e- Lëvizjet e padrejta nga puna dhe vendimet gjyqësore për to.

Lidhur me levizjet pa të drejtë nga puna, më lejoni t’iu them që rezultojnë këto të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve sipas një tabele, emër për emër, vit pas viti.

Për periudhën 2019-2020 për cështjet gjyqësore me objekt marrëdhëniet e punës, kemi fituar afro 60% gjyqe nga ana e Drejtorisë së Burgjeve. Po ashtu ka një rënie të dukshme të shumës së pagesave të shtetit nga 2017 në 2020 për vendimet e gjykatave me fitues ish punonjësit në cilësinë e paditësit. Kjo rënie tregon se edhe ata që janë gjyqfitues nuk kanë marrë maksimumin teorik të dëmshpërblimit që parashikon Kodi i Punës por shumë më pak, kjo në sajë të mbrojtjes të së drejtës dhe interesit publik nga përfaqësuesit e DPB në gjyqe.

Gjithashtu duhet të theksoj se edhe në ato 4% të rasteve që gjyqet janë fituar nga ish punonjësit, peshën më të madhe e zënë ato të cilët ankimojnë vendime të mëhershme largimi para vitit 2017 ku unë mora drejtimin e Ministrisë dhe që vërtet janë bërë arbitrarisht.

Dëshiroj të theksoj se nga 95 praktika gjyqësore që kanë qënë në 2016 me 63,009,914 lekë shpenzime tashmë në tetor 2020 arritëm në 32 praktika me 19,193,112 lekë shpenzime për vendime gjyqësore nga buxheti i Ministrisë, pra thënë praktikat gjyqësore janë ulur në masën 70% nga ç’ka qënë në 2016 dhe shpenzimet për to po ashtu.

III. INVESTIMET DHE INFRASTRUKTURA

Ka pasur një mungesë vëmëndje për përmirësimin e kushteve të të burgosurve, stafit të burgjeve apo sigurisë. Me qëllim trajtimin më të mirë të të dënuarve si në kushte ashtu edhe respektim të drejtash jo vetëm që nuk bëhet fjalë për mbipopullim në burgje, ku kemi minus-21 % nga kapaciteti i pranueshëm, por janë adresuar një sërë problematikash infrastrukturore si në 2 godinat e Burgut Jordan Misja ku kanë përfunduar punimet dhe arredimi të cilat sollën dhe rritjen e kapacitetit të burgjeve me 160 veta ( vlera 49.918.800 lekë).

IEVP si Korcë, Sarandë, Lezhë, etj me vlerë në total prej 24.000.000 lekësh. Janë kryer investime në IEVP Peqin dhe në IEVP Burrel, U përmirësua flota e automjeteve duke rritur sigurinë e transportimit të të burgosurve. U bë e mundur hapja më në fund e Institucionit të ri në Shkodër. Një Institucion, i cili nga paraardhësit e mi ishte marrë në dorëzim edhe pse punimet nuk kishin përfunduar ende si dhe ishin bërë premtime për vendet e punës ku edhe ishin rekrutuar punonjës sipas bindjeve partiake dhe premtimeve elektorale por ndërkohë ky institucion nuk ishte vënë në funksion edhe pse mbipopullimi në sistemin e penitenciar ishte një problem i ngritur jo vetëm nga institucionet vendase por edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Me hapjen e IEVP Shkodër, jo vetëm u ul mbipopullimi por u mundësua punësimi i rreth 400 punonjësve, personel policor dhe civil i cili u rekrutua në Akademinë e Sigurisë dhe mbi baza meritokratike.

– Spitali i burgjeve. Për herë të parë pas 20 vitesh Përfunduam rehabilitimi i plotë të Spitalit të burgjeve ku u investua  për ta kthyer në kushte me standardet më të mira trajtimi i të dënuarve të sëmurë. Rikonstruksioni i kësaj godine zgjidhi edhe një problematikë jo të vogël, e cila nuk ishte adresuar në të shkuarën dhe tanimë të dënuarit marrin një shërbim cilësor në kushte spitali bashkëkohor brenda sistemit penitenciar. Investimi në total kap vlerën prej 29.398.609 lekë.

– Rikonstruksioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe hapja e Qendrës së Trajnimit, me kapacitet rreth 100 persona është një tjetër hap i hedhur nga ne.

– Një arritje është se vendosja e të miturve në një Institucion të vetëm. Për herë të parë nuk do të ketë të mitur në IEVP ku janë edhe të rriturit. IEVP e Kavajës edhe nga ndërkomëtarët është konsideruar një histori suksesi ku të miturit në këtë Institucion trajtohen me programet më të mira ndërkombëtare për riedukimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

  1. LIDHUR ME SITUATËN E DITËVE TË FUNDIT NË BURGUN E PEQINIT.

Refuzimi i ushqimit nga një grup i të dënuarve në burgun e Peqinit më 28 shtator 2020 nga rreth 135 të dënuar filloi si një reflektim i vendimeve të marra për regjimin 41 bis si dhe duke paraqitur kërkesa të karakterit legjislativ për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm, uljen e dënimeve, amnisti. Këto ngjarje u pasuan në Shkodër, Korcë, Lezhë, FushKrujë etj.  Pra, nuk ka patur grevë urie nga të burgosurit, por refuzim të ushqimit të burgut, ndërsa kanë konsumuar ushqime, që në vijimësi marrin nga familjarët e tyre ose blejnë në njësitë tregtare të miratuara.

Evidentojmë se, burgu i Peqinit është burg i sigurisë së lartë, në të cilin janë të akomoduar të burgosurit me burgim të përjetshëm apo/dhe me dënime të rënda, si dhe njëri prej seksioneve për të burgosurit e regjimit 41 bis (aktualisht, me dy të burgosur të akomoduar në këtë regjim Vetë ekipi i DPB, bashkë me SHKBB dhe një ekip të Ministrisë arritën që ta menaxhojnë situatën. Padyshim kemi nxjerrë përgjegjësitë për ata drejtues apo për ata punonjës që nuk kanë arritur ta menaxhojnë ashtu siç duhet këtë situatë.

Kjo çështje tashmë e referuar në Prokurorinë e Elbasanit po hetohet me të gjithë elementët apo faktorët që kanë ndikuar në këtë revoltë e cila u masivizua edhe në disa institucione të tjera. Janë orientuar të burgosurit që problematikat ligjore që ata kanë t’i adresojnë përmes rrugëve institucionale me përfaqësuesit e tyre ligjor apo organizma monitorues të të drejtave të njeriut, si dhe të distancohen nga elementë (nga brenda apo jashtë burgut), që kërkojnë destabilizim të burgjeve. Edhe kjo formë reagimi e të burgosurve (duke refuzuar ushqimin) është tregues i drejpërdrejtë se fitimi i lirisë nga të burgosurit, përmes blerjes së drejtësisë, intimidimit dhe blerjes së funksionarëve të burgjeve – është gjithnjë e më pak mundësi reale derisa të shuhet krejtësisht.

Nga ana tjetër janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, për të maksimizuar komponenten e rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve – si e vetmja mënyrë për të përfituar benefitet ligjore për ‘ulje dënimi’ e ‘lirim me kusht’.

  1. PËRMIRËSIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR TË BURGOSURIT

Për herë të parë filloi kryerja e kontrollit mjekësor bazë për të gjithë të burgosurit e grupmoshës 35 – 70 vjeç. Fillimisht u bë kontrolli bazë për gratë e burgosura dhe po ndiqet në të gjitha IEVP-të.

Janë krijuar Sektorët e Kujdesit të veçantë për persona me probleme të shëndetit mendor.

Janë lidhur kontrata për punësim me kohë të pjesshme të mjekëve, si dhe kemi forcuar bashkëpunimin me Spitalet rajonale për konsulta dhe ekzaminime mjekësore të një numri të shtuar të të burgosurve;

a-IEVP Krujë për personat me mjekim të detyruar.

Një nga sfidat e mëdha me të cilat përballemi është marrja e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës tdhe trajtimit të grupeve vulnerabël, veçanërisht më shumë të riskuar janë personat me çrregullime të shëndetit mendor.në sistemin e burgjeve janë tregues i ndjeshmërisë së lartë jo vetëm në përmbushje të një detyrimi ligjor, por edhe në aspekt të humanizmit. Çështja e papërshtatshmërisë së IEVP Krujë për akomodimin e pacientëve psikiatrikë është identifikuar si problematikë edhe në raportin e fundit të CPT-së, të vitit 2019, të cilët janë njohur me masat e planifikuara dhe kanë mbështetur vullnetin institucional të MD-së, për mbylljen e këtij institucioni.

Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë ekzaminuar dhe identifikuar si problem serioz çështjen pacientëve me masë mjekësore, e madje pa asnjë hezitim është nxjerrë që prej dy viteve Urdhri për kalimin në konservim, deri në mbylljen e plotë të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Zahari, Krujë; Është vlerësuar zgjidhja e përkohshme e çështjes së akomodimit të këtyre shtetasve (deri në ndërtimin e Institucionit të Posaçëm të Psikiatrisë Ligjore), në 2 godinat e përshtatura në IEVP Lezhë me të gjitha standardet e e nevojshme për trajtimin e këtyre shtetasve – proces, i cili është në fazën përfundimtare, i shtyrë në kohë edhe për shkak të pandemisë.  Janë marrë masa serioze për forcimin e shërbimit shëndetësor, e veçanërisht atë të shëndetit mendor, për të siguruar mirëqenien e personave me çrregullime të shëndetit mendor në sistemin e burgjeve me shtim personeli mjek psikiatër dhe medikamente.

VI.TËRMETI DHE PANDEMIA

  1. Periudha e pandemisë ishte një sprovë tjetër përkushtimi e kujdesi ndaj tyre – megjithë se IEVP Krujë gjendet në një zonë që ishte kritike gjatë pandemisë është fakt që asnjë prej shtetasve të akomoduar atje nuk u rrezikua nga COVID-19.

Gjatë vitit të fundit edhe sistemi penitenciar u përballë me 2 ngjarje si ajo e tërmetit ashtu edhe përballimi me situatën e pandemisë. Në të dyja këto situata stafi i burgjeve i ka përballuar me një gadishmëri që është për tu përgëzuar. Përsa i përket situatës së tërmetit i gjitha stafi i MD, DPB dhe i IEVP-ve që ishin brenda zonës së tërmetit u angazhuan në përballimin e situatës si dhe në evidentimin e pasojave brenda zonës së prekur nga tërmeti. U realizua menjëherë transferimi i të dënuarve nga godinat e IEVP Lezhë ku ishin shpallur të pabanueshme.

Sfidës tonë iu shtua dhe fatkeqësia natyrore e pandemisë Covid 19 ku na u desh të aplikonim protokollet shëndetësore brenda sistemit të burgjeve, protokolle që për të gjithë ne ka qënë një privim i disa të drejtave dhe lirive me qëllim shkëputjen e zinxhirit të virusit COVID 19.   Pas një pune paraprake të kryer nga strukturat, si dhe në vijim të vendimeve të marra në respektim të rregullave dhe udhëzimeve të CPT, OBSH dhe në bashkëpunim me ISHP aktualisht në QSB kemi 3 te burgosur që janë aktiv të cilët janë kthyer nga leja e posacme, një (1) i IEVP Fushë Krujë dhe 2 të IEVP Fier.

Situata që nga fillimi i pandemisë për të burgosurit Që nga fillimi i situatës së pandemisë janë kryer 273 testime për të burgosur nga ku 74 të burgosur pozitiv dhe 199 të burgosur negativ. Nga 74 të burgosur që rezultuan pozitiv, 1 i burgosur (Caush Banaj) ka humbur jetën (Ekzitus Letalis), 70 janë negativizuar, 3 janë aktualisht pozitiv. Në IEVP Lezhë që u kthye në një spital COVID, aktualisht nuk kemi asnjë të burgosur.

Situata COVID 19 përsa i përket stafit të IEVP: Janë kryer  390 testime për stafin punonjës nga ku 80 kanë rezultuar pozitiv dhe 310 kanë rezultuar Negativ. Nga 80 rastet e konfirmuara pozitiv 72 janë negativizuar, 1 punonjës ka humbur jetën dhe 7 rezultojnë ende pozitiv.

 

Në tërësi çështja e trajtimit të të burgosurve është edhe në fokusin e punës e misionit të organizmave vendor monitorues, sikurse janë Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit – të cilët, janë edhe bashkëpunëtorët tanë më të mirë: Secili prej këtyre institucioneve ka patur sensibilitet tejet të lartë, sidomos për trajtimin e shtetasve të akomoduar në IEVP Krujë, e në këtë kuadër kanë kryer inspektime në vend;

 VII. Raport progresi BE

Të gjitha sa më lart janë disa nga arritjet dhe përgjigjet tona për këtë interpelancë urgjente të thirrur nga një grup deputetësh por më shumë se unë flasin disa nga konkluzionet e Progres raportit të BE-se për Shqipërine të fillim tetorit ku përshendeten masat e ndërmarra

në sistemin e burgjeve, sa i përket:

  1. Përgatitjen e planeve për krijimin e një instituti të veçantë për trajtimin e personave me sëmundje mendore në burg dhe rikonstruktimit të ambienteve në burgun e Lezhës për të shërbyer si një objekt ndërmjetës për të trajtuar personat me trajtim të detyrueshëm mjekësor në burgje;
  2. Miratimit të planit të ri të veprimit për sistemin e burgjeve, për vitet 2019-2022;
  3. Adresimit dhe uljes së mëtejshme të mbipopullimit në të gjithë sistemin e burgjeve.
  4. Reformave që synojnë profesionalizmin dhe integritetin e personelit të burgjeve.
  5. Adresimit të masave parandaluese në kuadër të pandemisë COVID-19, përmes transferimit të rreth 450 të dënuarve (10% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve) për më shumë se tre muaj në shtëpitë e tyre. Vendimi u miratua nga qeveria si një masë për të parandaluar përhapjen e mundshme të COVID-19 në IEVP.

[1] Për vitin 2020 për shtesën për gradë  për 4 muaj (Shtator-Dhjetor) parashikohen  rreth 45,000,000 lekë të cilat do të përballohen nga buxheti i miratuar në 2019 me ligjin “Për Buxhetin e vitit 2020” , i ndryshuar.

Për vitin 2021 në total parashikohen 185,675,949  lekë nga te cilat: 136,522,408 lekë për shtesën e gradës dhe  49,153,540 lekë për shtesë për vështirësi  shërbimi.

Për vitin 2022 janë parashikuar në total  305,650,498 lekë nga të cilat: 136,522,408 lekë për shtesën e gradës dhe  49,153,540 lekë për shtesë për vështirësi shërbimi dhe 119,974,548 lekë për shtesa për natyrë të vecantë pune.