Prezantimi i Kodit të Ri Penal - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/10/2020

Prezantimi i Kodit të Ri Penal

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, së bashku me Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, prezantoi sot publikisht një iniciativë të re ligjore, e cila vijon nismat legjislative të ndërmarra muajt e fundit nga Ministria e Drejtësisë dhe një sërë reformash, që përfshijnë që nga Reforma në Drejtësi dhe deri tek reforma të tjera të rëndësishme në fushat e përgjegjësisë së kësaj ministrie.
Nisma më e re e Ministres së Drejtësisë është Reformimi i Kodit Penal. Ministrja Gjonaj u shpreh se ‘Sistemi i drejtësisë ka kohë që ka patur nevojë për një rishikim tërësor dhe cilësor të Kodit Penal dhe e kam shprehur shpesh herë këtë nevojë disa herë në Kuvend kur ka patur iniciativa për ndryshimin e Kodit Penal’.
Që nga miratimi I Kodit penal për herë të parë në vitin 1995, pavarësisht se ka pësuar ndryshime të shumta gjatë këtyre viteve, kjo është hera e parë që ndërmerret iniciativa për një Kod të ri Penal.
Ministrja Gjonaj theksoi se kjo është ‘Një iniciativë sfiduese por mëse e nevojshme për të sjellë qëndrueshmëri dhe standardizim të drejtësisë penale’.
Për këtë projekt ka pothuajse një vit që punohet, por puna intensive është zhvilluar muajt e fundit nga një grup pune i ngritur në Ministrinë e Drejtësisë i përbërë nga pedagogë të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, ekspertë të së drejtës penale, si dhe një ekip profesionistësh duke përfshirë edhe stafin e ekselencës të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë theksoi se ishte kenaqësi e vecantë dhe privilegj që përgjegjësinë e kryesimit të këtij grupi t’ia besonte prof. Arben Rakipit, ekspert dhe njohës me përvojë të gjatë i fushës penale.
Pas një analize të detajuar të problematikave në praktikë, po ashtu edhe konsolidimit në një dokumenti të posacëm të nevojave për ndërhyrje të qënësishme në Kod, grupi i punës ka hartuar draftin e parë të Kodit të Ri Penal.
Ky draft i parë i Kodit, synon adresimin e problematikave serioze që vijnë si rezultat i paqartësisë dhe boshllëqeve të mundshme të dispozitave ligjore, të cilat janë bërë dhe bëhen shkak jo rrallë herë, për interpretime abuzive në vendime gjyqësore.
Kodi i Ri Penal synon reflektimin e vendimeve të shumta të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre unifikuese të Gjykatës së lartë, të cilat shpesh herë kanë dhënë vendime për shfuqizimin e neneve të ndryshme të Kodit, të cilat janë gjetur prej saj në kundërshtim me parimin e kushtetueshmërisë.
Kodi i Ri Penal përvec vendosjes në mënyrë të qartë të instituteve të të drejtës penale, riorganizimin e veprave penale, kriminalizimin e veprimeve të reja që nuk gjejnë vënd sot në Kod, synon njëkohësisht uljen edhe të diskrecionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në dhënien e dënimeve për veprat penale.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi deklaroi se ‘Objektivi i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe grupit të punës është miratimi i një kodi modern, të qëndrueshëm, të përshtatur me standardet më të mira të diktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNJ dhe aktet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është pjesë, si dhe për të përafruar me acquis communaitare, në kuadrin e aspiratave dhe proceseve integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian’.
Detyrime këto të adresuara në dokumentin e analizës dhe reflektuara në këtë projekt të ri duke marrë në konsideratë dhe një sërë legjislacionesh të ngjashme me modelet tona.
Kjo metodologji pune analitike dhe më pas në përgatitjen e projektit të parë është bërë me qëllimin e qartë që të kemi një kod penal të qëndrueshëm në vite, që të pasqyrojë vlerat dhe parimet kushtetuese dhe t’u japë zgjidhje kërkesave të një politike penale moderne.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj theksoi se ky është vetëm prezantimi i parë publik i Kodit të Ri Penal, pasi në periudhën në vijim gjatë muajit tetor dhe nëntor ky projekt do t’i nënshtrohet një procesi intensiv konsultimi për të patur gjithëpërfshirjen e profesionistëve të fushës, përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, anëtarëve të komisioneve të ligjeve dhe të sigurisë, misioneve të asistencës teknike, shoqërisë civile, avokatëve dhe praktikantëve të së drejtës penale.
Kjo me qëllim për të pasur një kod sa më cilësor, të gjithëpranuar dhe që t’i rezistojë kohës.
Ministrja Gjonaj u shpreh: ‘Besoj që ky Kod do të jetë një ndër projektet më të diskutuara për vetë rëndësinë që bart por njëkohësisht se është edhe një ndër iniciativat më sfiduese dhe të rëndësishme ligjore’.
Ministria e Drejtësisë planifikon që brenda këtij viti, kjo nismë të depozitohet në Kuvend si një nismë e Qeverisë Shqiptare me qëllim që më pas ti nënshtrohet procedurave parlamentare.
Ministrja Gjonaj falenderon përzemërsisht prof. Rakipin dhe grupin e punës, për kontributin e pakursyer, për orët e pafundme të punës dhe të diskutimeve, me qëllim finalizimin në mënyrë të suksesshme të kësaj iniciative.