Ditën e sotme Ministrja e Drejtësisë ka hapur Zyrën e Ndihmës Juridike Parësore në Lushnjë, një tjetër rezultat i Reformës në Drejtësi. Me fonde nga Buxheti i Shtetit, u ngrit një strukturë e konsoliduar edhe në Bashkinë Lushnjë me fokus të drejtpërdrejtë tek qytetarët, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet ligjore FALAS për një akses edhe më të mirë në organet e drejtësisë. Qytetarët që përfitojnë janë ata në pamundësi financiare për të marrë një avokat, qoftë për t’u këshilluar, për t’u përfaqësuar në gjykatë apo për të përgatitur dokumentat për përfaqësim në gjykatë, apo për të ditur kujt t’i drejtohen. Përfaqësimi në gjykatë realizohet FALAS për qytetarët në pamundësi financiare dhe kategori të tjera si gratë viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit, të miturit, grupet në nevojë, grupet që i përkasin komuniteteve apo pakicave.
Ministrja Gjonaj u shpreh se për të ka rëndësi themelore që sa më shumë qytetarë të marrin ndihmë ligjore FALAS, duke garantuar cilësinë më të lartë të shërbimit.
Zyra e Ndihmës Juridike pranë Bashkisë Lushnje është e pesta zyrë e hapur në vend dhe ky model është risi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit, ndaj jemi të përkushtuar për të krijuar një model professional që të shërbejë si histori suksesi.
‘‘Deri në fund të vitit do të ngremë edhe katër qendra të tjera të ndihmës ligjore FALAS, edhe në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si UNDP-i dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA)“ u shpreh Gjonaj në fjalën e saj.
Në këtë takim morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Lushnjes z. Fatos Tushe që vuri në dispozicion mjediset për Zyrën e Ndihmës Juridike Falas, si dhe tre Deputetët e Lushnjes z. Bashkim Fino, znj. Tatiana Piro dhe z. Bujar Çela.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.