Ministri Manjani takon Avokatin e Popullit të Greqisë, z. Andreas Pottakis. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 08/09/2016

Ministri Manjani takon Avokatin e Popullit të Greqisë, z. Andreas Pottakis.

Në vijim të takimeve të tij zyrtare në Greqi, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani është pritur edhe nga Avokati i Popullit të Greqisë z. Andreas Pottakis.

Ministri Manjani i shprehu z. Pottakis mirënjohjen për të gjithë punën e bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Greqi, ku bën pjesë edhe një komunitet mjaft i gjerë shqiptarësh që jeton atje.

Gjithashtu, Ministri Manjani e ka falenderuar veçanërisht z. Pottakis për interesimin e tij të posaçëm në zbardhjen e rrethanave të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marknikollaj, në mjediset e policisë greke.

Lidhur me këtë çështje Ministri Manjani u sigurua se ka një hetim administrativ por edhe një hetim penal nga policia dhe prokuroria greke, ndërkohë që sapo të ketë një rezultat do të informohen menjëherë autoritetet e shtetit shqiptar.