Deklarata e Ministrit Manjani mbi hetimin administrativ te pronesise tek "Gjiri i Lalzit". - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 26/09/2016

Deklarata e Ministrit Manjani mbi hetimin administrativ te pronesise tek “Gjiri i Lalzit”.

Ministri i Drejtësië, z. Ylli Manjani, ditën e sotme gjatë një dalje për media, ka bërë publike një përmbledhje të rezultateve të arritura pas përfundimit të hetimit administrativ, i cili nisi pak ditë më parë, në bazë të urdhërit të tij, me qëllim sqarimin e dinamikës së situatës që lidhej me pronësinë e truallit ku do të investonte shoqëria OMNIX, presidenti i së cilës u dhunua fizikisht pak kohë më parë.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Manjani gjatë deklaratës për media:

“Javën e shkuar sikurse ju kam informuar fillova një procedurë hetimi administrartiv, për të ashtuquajturën çështja e “Gjirit të Lalzit”.

Ju e dini që ndodhi një ngjarje e rëndë, ku u godit në mënyrë kriminale presidenti i kompanisë ONMIX dhe sigurisht kjo gjë krijoi një sensitivitet të jashtëzakonshëm publik dhe si Ministër i Drejtësisë nuk mund të rrija pa ndërhyrë, brenda kompentencave që sot më jep ligji në fuqi.

Kompania ONMIX ka dërguar edhe një kërkesë ankimore e cila shërbeu si shkak ligjor për fillimin e një hetimi kompleks administrativ, me natyrë mbledhje faktesh dhe të dhënash ligjore, për të kuptuar realisht se cili është problemi i pronësisë në këtë resort që do të ndërtohej.

Dua të theksoj që në fillim se për asnjë sekondë, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, nuk kanë tentuar të zëvendësojnë prokurorinë shqiptare. Pra, hetimi penal për zbardhjen e ngjarjes kriminale është një histori tjeter, por ajo që ne tentuam të bëjmë është mbledhja e fakteve dhe provave si dhe të analiza e sjelljes së institucioneve publike në raport me pronësinë.

Sot kemi disa konkluzione që vendosa t’i ndaj me ju:

Së pari, më lejoni të sqaroj se kompania ONMIX ka filluar përpjekjet e saj për të ndërtuar në Shqipëri një resort turistik në Gjirin e Lazit që në vitin 2008, pra jo në 2016. Ka prova të faktuara tashmë që në këtë vit kjo kompani ka blerë tokë rreth 100 000 metër katrorë nga pronarët legjitim të asaj zone dhe rreth 200 mijë metra katrorë të tjera i ka marrë me qira nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor të kohës, pra në vitin 2008, e cila varej atëherë por edhe sot nga Ministria e Mjedisit. Pra, rreth 300 mijë metra katrorë tokë e vënë në dispozicion në Gjirin e Lalzit për të ndërtuar një resort turistik. Leja e ndërtimit për kompaninë është lëshuar në datën 28.07.2016, pra këtë vit në korrik dhe po në korrik Qeveria Shqiptare vendosi që ta nxjerrë këtë sipërfaqe toke nga fondi pyjor, për ta vënë në dispozicion të kompanisë. Pra, me dokumentat e pronësisë, atë të lejes së ndërtimit dhe me vendimin e qeverisë për ta çliruar këtë zonë nga fondi pyjor, kompania kishte dhe ka ende edhe sot të drejtën ligjore për të filluar ndërtimin. Kjo ishte situata me kompaninë, por çfarë ka ndodhur më tej?

Paralelisht me këtë situatë, vjet në korrik, pra në vitin 2015, nga ana e një familjeje me emrin Seçuni, është depozituar në Gjykatën e Durrësit një padi ku kërkohet njohja dhe kthimi i një sipërfaqe toke në Gjirin e Lalzit, sipërfaqe e cila në total ishte 45 mijë metër katrore, ku 42 mijë prej të cilave janë ekzaktësisht mbi një pjesë të tokës që kompania e kishte marrë me qira nga ndërmarrja pyjore. Ky është pretendimi i paraqitur në gjykatë. Pra, pretendimi sipas gjuhës ligjore, për të gjithë ata që kuptojnë sado pak ligjërisht gjuhën e marrëdhënieve juridiko-civile, kërkohej nëpërmjet parashkrimit fitues, që do të thotë se nëse dikush mban një copë tokë apo një pasuri për një periudhë 20 vjeçare, pa ndërpreje, do të duhet ta fitojë tokën. Ky ishte dhe pretendimi që u paraqit në gjykatë, e cila ka bërë rreth 12 seanca dhe pas afërsisht 8 muaj ka marrë vendim. Me këtë vendim gjykata praktikisht e njeh pronën në favor të familjes Seçuni dhe detyron Bashkinë dhe ZVRPP Durrës pronën e dhënë ndërtuesit për të ndërtuar, t’ja njohë pronarit të ri. Këtë thotë gjykata, fare ftohtë dhe pa asnjë koment më shumë.

Dua t’ju them edhe një fakt tjetër, që familja Seçuni ka kërkuar prej vitesh në komisionin e kthimit të pronave të asaj kohe dhe në Agjencinë e sotme të Trajtimit të Pronës, kthimin e tokës, por ka marrë gjithnjë refuzim për marrjen e një përgjigje pozitive, për arsyen se nuk provohej me dokumentacion ligjor që kjo familje ishte pronare dhe kjo është arsyeja që ata kanë shkuar në gjyq dhe gjykata më pas ka dhënë atë vendim që ka dhënë…

Këto janë faktet që kemi zbuluar. Vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë në datën 19.04.2016, për fat të keq i paankimuar. Një vendim prej 45 mijë metra katrorë tokë nuk është ankimuar dhe ai ka marrë formë të prerë. Për fat, ZVRPP Durrës nuk e ka regjistruar këtë vendim, pikërisht me arsyetimin se nëse duhej ta regjitronte do të krijonte një mbivendosje, për sa kohë që prona i ishte dhënë dikujt tjetër për t’u zhvilluar dhe kjo është arsyeja se përse ka krijuar një situatë të paqartë ligjore.

Me këto fakte që në kemi grumbulluar na rezulton se kemi përgjegjësi të rënda ligjore, shumë të rënda madje dhe që fillojnë nga Gjykata e Durrësit.

Së pari, Gjykata e Durrësit në këndvështrimin tonë ka gabuar shumë rëndë. Ka gabuar procedurialisht, si dhe në substancë se si është zbatuar ligji. Ka gabuar procedurialisht sepse u mjaftua të thërriste në gjyq vetëm bashkinë që në fakt nuk kishte një lidhje të drejtpërdrejtë apo edhe Avokaturën e Shtetit e cila sido që ta marrësh mund edhe të thirrej edhe të mos thirrej. Por ky nuk është gabimi kryesor. Gabimi themelor i gjykatës ishte që nuk thirri asnjëherë në seancë, as hipotekën e Durrësit dhe as Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, e cila kishte qenë drejtoria që kishte dhënë me qira tokën për të cilën pretendohej.

Së dyti, shumë e çuditshme  është sis i ka mundësi që një çështje e tillë me vlera të jashtëzakonshme për interesin publik dhe jo vetëm, të gjykohet nga një gjyqtare e vetme. Sidoqë ta lexoni ligjin procedural, do të kuptoni që minimalisht duhej ndërtuar një trup gjykues, pra duhet të ishin tre gjykatës që ta jepnin këtë vendim.

Së treti, nga shqyrtimi që inspektorët tanë i kanë bërë dosjes, na rezulton se gjykata nuk ka qenë e bindur në ligj dhe në fakte që personi që kërkon pronën e ka poseduar, pra e ka mbajtur atë për 20 vite qetësisht dhe pa ndërprerje. Fakti që në këtë tokë kishte një kontratë qiraje, mjafton për ta hedhur poshtë argumentin që personi e ka mbajt këtë tokë, dmth që nuk ka qenë e tij për asnjë çast. Pra, nuk formëson asnjë lloj bindje që këtij personi i takonte kjo tokë për shkak të parashkrimit fitues, mund t’i takonte për ndonjë arsye tjetër, por jo për këtë…

Së fundi, gjykata ka bërë gabim që ka injoruar zyrën e kthimit dhe kompesimit të pronave, sepse në këtë zyrë kishte një proces administrativ të çelur dhe ende të pambyllur. Sipas parimit të së drejtës administrative, nuk mund të shkohet në një proces gjyqësor, pa u shterruar më parë mjetet e ankimit në administratë. Gjykata ka dështuar ta bëjë këtë gjë dhe sigurisht nuk lihet pa përgjegjësi, as Bashkia Durrës dhe as Avokatura e Shtetit. Të dyja këto institucione do të duhet, pavarësisht pretendimeve që ishin palë ndërgjyqëse apo nuk ishin palë ndërgjyqëse, duhet të kishin ankimuar këtë vendim. Sepse nëse Gjykata ka bërë gabim që ka shkelur ligjin, mos-ankimi është gjithashtu gabim, sepse ai vendim është sot në fuqi për shkak se nuk u ankua.

Kështu që nga kjo pikëpamje kam arritur në një konkluzion paraprak si më poshtë:

Së pari, kam vendosur të filloj procedim disiplinor me kërkesë të pakthyeshme në KLD, për shkarkimin e gjyqtares dhe këtë do ta bëj pasi të përfundoj procedura ligjore, korrekte e procedimit disiplinor. Inspektimi është ende “domain” i Ministrisë së Drejtësisë dhe nga kjo pikëpamje nuk kam asnjë arsye të tërhiqem nga kjo kërkesë, përkundrazi, do ta çoj në KLD dhe do ta mbroj fort si një rast që nuk duhet të ndodh më. Nëse biznesi në këtë vend trembet për shkak të këtyre vendimeve krejtësisht absurde, ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë. Nuk ka këtu as diskutim varësie, as diskutim pavarësie. Nuk dua t’i vë asnjë emër tjetër, as një etiketim tjetër! Gjyqtarja më rezulton sot dhe gjithë ditën një gjyqtare e vlerësuar pozitivisht ndër vite, por ky është një vendim shumë i rëndë me një pasojë shumë të rëndë për interesin publik. E patolerueshme, e pafalshme! Kështu që kam vendosur ta çoj për procedim disiplinor për shkarkim sepse shkelja e ligjit në këtë rast cënon rëndë figurën e gjyqtarit të Republikës së Shqipërisë, shumë rëndë madje.

Së dyti, do t’i kërkoj Avokates së Përgjithshme të Shtetit të thellojë analizën e saj në institucionin që drejton dhe që nga ky moment Drejtuesi i Avokaturës sw Shtetit Durrës është i shkarkuar së bashku me juristin që  ka qenë prezent në gjyq dhe nuk kanë marrë masa për t’u ankuar ndaj këtij vendimi. Janw tw shkarkuar! Asnjë lloj tolerance as për këtë rast dhe i kërkoj me të njëjtën mungesë tolerance Kryetarit të Bashkisë Durrës të analizojë përgjegjësinë për zyrën ligjore që ka dhe të shkarkojë edhe ai juristët të cilët e kanë lënë këtë çështje të hyj në fuqi. E kanë lënë këtë absurd të hyj në fuqi.

Unë nuk e di nëse kjo çështje ka lidhje apo s’ka lidhje ende me hetimin penal dhe kjo është kërkesa ime e tretë për Prokurorin e Shtetit. Të hetojë me gjithë maksimumin e fuqive  që i jep ligji nëse kanë lidhje apo s’kanë lidhje këto dy çështje, por sido qoftë i kërkojë Prokurorit që të trajtojë vlefshmërinë e këtij vendimi gjykate absurd në kuadër të zgjidhjes së çështjes penale.

Kjo çështje meriton vëmendje të jashtëzakonshme. Kërkon reagim proporcional të jashtëzakonshëm dhe ne nuk kemi pse ta tolerojmë. Prandaj konkluzionet e këtij raporti do t’i bëhen të ditur institucioneve, do t’i bëhet me dije Prokurorit të Shtetit i cili ka çelur një hetim dhe mbi këtë bazë na duhet pastaj të vendosim, të vendos sigurisht drejtësia shqiptare, nëse ka faj apo s’ka faj, ka prova apo s’ka prova, se këto janë çështje që i takojnë drejtësisë dhe unë si Ministër i Drejtësisë nuk komentoj më gjatë.

Për këtë vendim dua ta sqaroj që ne kemi inspektuar, ai ka marr formë të prerë, pra nuk ishte një vendim në proces dhe sigurisht është detyra e Ministrit të inspektojë vendimet që marrin formë të prerë. Për të gjithë ata që më kërkojnë mua të ndërhyj në vendimmarrjen e Gjykatës, e përsëris qw nuk e kam bërë dhe nuk kam ndërmend ta bëj. Po ky është rasti tipik se si Ministri i Drejtësisë duhet të kryej detyrën  në favor të interesit publik.

Do t’i rri deri në fund kësaj çështje deri sa të ndëshkohen fajtorët ashtu siç është për t’u ndëshkuar sipas ligjit”.