Shqipëri-BE, nënshkruhet memorandumi për pjesëmarrjen në programet mbi drejtësinë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/09/2016

Shqipëri-BE, nënshkruhet memorandumi për pjesëmarrjen në programet mbi drejtësinë

Në emër të Republikës së Shqipërisë, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka nënshkruar ditën e sotme një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bashkimit Europian, që garanton pjesëmarrjen e vendit tonë në programin e drejtësisë të BE-së.

Ky memorandum është firmosur në Bruksel ndërmjet Ministrit Manjani dhe Komisioneres për Drejtësinë, në Komisioni Evropian, Znj. Vera Jourova.

Gjatë takimit me Komisioneren Jourova, pas nënshkrimit të memorandumit, Ministri Manjani është ndalur në rëndësinë e miratimit të amendamenteve kushtetuese, duke e cilësuar këtë proces mjaft pozitiv për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi.

Z. Manjani theksoi se ky hap i parë tregoi se klasa politike shqiptare e ka vullnetin për gjetjen e hapësirave për konsensus.

Znj. Jourova e ka përgëzuar Ministrin Manjani për nënshkrimin e këtij memorandumi dhe u shpreh e kënaqur mbi mbështetjen e deritanishme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë.

Njëkohësisht znj. Jourova vuri në dukje rëndësinë e inkurajimit të mëtejshëm të proceseve reformuese, veçanërisht atyre në drejtësi.

Duke iu referuar çështjes së “vettingut”, Komisioneria Jourova vlerësoi se aktualisht, zbatimi i reformës në drejtësi çel një periudhë mjaft të mprehtë politike, ndërsa u shpreh se ky proces duhet të shërbejë për rritjen e besimit tek qytetarët sikundër edhe tek shtetet e tjera.

Lidhur me procesin e “vettingut”, Ministri Manjani sqaroi se ai mbetet nga proceset më imediate të zbatimit të reformës në drejtësi, ndërsa e sqaroi Komisioneren Jourova lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit të ri ligjor, për të cilin informoi se gjatë seancës plenare të parlamentit në datën 6 tetor pritet dhe miratimi i gjashtë ligjeve të tjera, për të cilat Ministri Manjani vuri në dukje se ekziston vullneti se do të votohen.

“Pritshmëria jonë është marrja e një rekomandimi pozitiv për të vijuar më pas me çeljen e negociatave”, u shpreh ndër të tjera Ministri Manjani.

Në objektivat kryesore të tij, ky memorandum përfshin lehtësimin dhe mbështetjen në bashkëpunimin gjyqësor për çështjet civile dhe penale, nxitjen e trajnimit gjyqësor, duke përfshirë trajnimin mbi terminologjinë juridike, me qëllim nxitjen e një kulture të përbashkët ligjore dhe gjyqësore si dhe lehtësimin e qasjeve efektive për të gjithë në drejtësi, duke mbështetur të drejtat e viktimave të krimit, si dhe duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e mbrojtjes.

http://ec.europa.eu/avservices/photo/photoByReportage.cfm?ref=032524&sitelang=en