Ndihma juridike falas për qytetarët, Gjonaj nënshkruan marrëveshjen: Këshillim ligjor në të gjitha qytetet e mëdha, do të trajtohet çdo rast i paraqitur deri në zgjidhje të problemit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 25/10/2019

Ndihma juridike falas për qytetarët, Gjonaj nënshkruan marrëveshjen: Këshillim ligjor në të gjitha qytetet e mëdha, do të trajtohet çdo rast i paraqitur deri në zgjidhje të problemit

Në bashkëpunim me UNDP dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim, ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj nënshkroi një marrëveshje për zbatimin e projektit: Shtrirja e shërbimeve të ndihmës ligjore falas për gratë dhe burrat në Shqipëri.

Ky projekt që kap vlerën totale prej 1 milionë Euro, ka për qëllim garantimin e aksesit në drejtësi për qytetarët në nevojë dhe grupet e margjinalizuara.

Detajet e kësaj marrëveshje janë bërë publike nga vetë ministrja Gjonaj e cila ndër të tjera siguron se:

“Në bashkëpunim me UNDP dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim, mundëm të nënshkruajmë marrëveshjen për zbatimin e projektit tonë “Shtrirja e Shërbimeve të Ndihmës Ligjore Falas për Gratë dhe Burrat në Shqipëri”, ndërmjet të cilit synojmë ta bëjmë më të lehtë aksesin e qytetarëve në drejtësi. Jam besimplotë që kjo marrëveshje do ta përmirësojë më tej punën e qendrave që po ngremë në të gjitha qytetet e mëdha, të cilat do të jenë streha ku qytetarët do marrin këshillim ligjor profesional, si dhe trajtim korrekt për çdo rast. Ky nënshkrim do bëjë të mundur rritjen e numrit të qendrave që ofrojnë ndihmë juridike falas si dhe do japë mbështetje të plotë për drejtorinë e ndihmës juridike falas përmes ngritjes së kapaciteteve dhe aspekteve rregullator. Ndërkohë, bashkëpunimi me shoqërinë civile është një ndër komponentët më të rëndësishëm, ku ngritja e një rrjeti të specializuar OJF-sh me kapacitete institucionale dhe zhvilluese, do na mundësojë të shkëmbejmë dhe përfitojmë nga ekspertiza e tyre në fushën e shërbimit të ndihmës juridike falas”, nënvizon ministrja Gjonaj.

Projekti i lançuar do të zbatohet përgjatë viteve 2019-2020 ku fokus do të jetë ngritja e qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore, rritja e kapaciteteve profesionale të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas si dhe  mbështetjen për ngritjen e një rrjeti të specializuar OJF-sh.