Pjesëmarrja e Ministrit Manjani në tryezën e diskutimit të OSBE mbi dënimet alternative - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/12/2016

Pjesëmarrja e Ministrit Manjani në tryezën e diskutimit të OSBE mbi dënimet alternative

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në tryezën e diskutimit të organizuar nga Prezenca e OSBE në vendin tonë, e fokusuar në aplikimin e dënimeve alternative.

Pjesë e kësaj tryeze diskutimi të drejtuar nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, ishin edhe Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Drejtori i Shërbimit të Provës, z. Ilir Qafa si dhe gjyqtarë e prokurorë.

Gjatë fjalës së tij Ministri Manjani vlerësoi bashkëpunimin afatgjatë me OSBE-në, ndërsa theksoi se tema për diskutim është nga më kritiket, duke qenë se ka të bëjë me efiçencën e sistemit të ndjekjes penale në Shqipëri.

“Gjithnjë e më shumë jam i bindur se ka një reflektim të së shkuarës në ndjekjen e sotme penale dhe kjo nuk vjen për shkak vetëm të zbatimit por dhe mënyrës sesi i kemi konceptuar ligjet e ndjekjes penale në Shqipëri. Miqtë e mi, burgu është mjeti i fundit! Nuk mundet që në konstatimet e para të luhet me fjalën “dyshim i arsyeshëm” pasi ky nuk është standart demokratik. Mund t’ju njoftoj që jemi në një proces rishkrimi bashkë me prokurorinë dhe shoqatat e gjyqtarëve, të Kodit të Procedurës Penale, i cili duhet të sqarojë në mënyrë shteruese se çfarë është “dyshimi i arsyeshëm”. Në sistemin penitenciar, nga 6000 persona që kemi sot, 3200 pra më shumë se gjysma janë të paraburgosur dhe kjo nuk është efiçencë e ndjekjes penale, për mos të folur dhe për mbipopullimin”, tha Ministri Manjani

Ndërsa riktheskoi edhe njëherë se burgu duhet konsideruar si një mjet i fundit, Ministri Manjani vlerësoi se ka mjete alternative, shumë të efekshme dhe që shumë pak përdoren nga sistemi gjyqësor.

“Ka një detyrim në Kushtetutë, sipas të cilit askush nuk mund të burgoset për pamundësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare, kontraktuale. Shumë e shumë vepra penale për arsye të presionit pozitiv të klimës politike, që tenton t’i zgjidhi shpejt gjerat dhe unë po e quaj presion pozitiv, por në fakt nuk është aspak presion pozitiv për shkak se sjell si pasojë sekondare rëndimin e situatës së ndjekjes penale. Kjo shton presionin mbi prokurorët, mbi oficerët e policisë gjyqësore dhe e gjitha kjo shkarkohet në sallën e gjyqit. Këtë diagnosë të situatës ku jemi duhet ta ndryshojmë. Duhet ta konsiderojmë burgun si mjet të fundit dhe shërbimin e monitorimit elektronik të mbikqyrjes elektronike si mjetin e parafundit, sepse nuk është e thënë që do të duhet të shkarkojmë një paraburgim për të krijuar një paraburgim tjetër, ka mjete alternative, shumë të efekshme dhe që shumë pak përdoren nga sistemi gjyqësor sot, të cilat duhet t’i nxisim që të përdoren. Bllokimi i shtëpisë në hipotekë për llogari të prokurorisë, ndalimi i lëvizjes jashtë shtetit, bllokimi i pasaportës, ndalimi i ushtrimit të detyrës publike, etj, janë mjete efektive”, u shpreh Ministri Manjani

Sipas Ministrit Manjani sistemi jonë penal e ka humbur humanizmin për arsye të ndërhyrjeve amatoreske të bëra ndër vite në lëgjislacionin penal.

“Procedurat e faljes janë shumë të vështira për t’u aplikuar, amnistitë mbetën nisma politike por këto jënë shumë masive dhe nuk arrihet të individualizohen për t’i trajtuar ngjarjet rast pas rasti. Në qoftë se duam vërtet të jemi pjesë e hapësirës së Bashkimit Europian, sistemi i ndjekjes penale duhet të jetë europian. Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që ta rimbledhim këtë tryezë shumë shpejt për të diskutuar edhe propozimet konkrete me qëllim që të arrijmë në një standart realisht demokratik, që t’i përdorim mjetet alternative si mjete efiçente. Në shumë raste t’i marrësh paratë dikujt si ndëshkim penal është më e shtrenjtë dhe më e ndëshkueshme sesa ta mbash në burg me bukë dhe të shpenzosh dhe para. Kjo është e vërteta dhe ne nuk kemi përse të mos e legjitimojmë këtë të vërtetë në legjislacion dhe në praktikën e ndjekjes penale”, përfundoi z. Manjani.